Trupa gjyqësore e KPA gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA

KPA u nda në rrëzimin e vendimit për gjyqtarin në pension, Petraq Çurri

Gjyqtari i Durrësit, Petraq Çurri u shkarkua nga detyra më 12 maj 2023, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludoi se ai kishte kryer deklarim të paplotë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia me qëndrimin e tij gjatë hetimit administrativ.

Qëndrimi jo bashkëpunues dhe dorëzimi të dhënave të pavërteta për të përmirësuar situatën financiare pas konstatimit të balancave negative në vlera të mëdha për periudhat para dhe dhe gjatë ushtrimit të detyrës, u vlerësuan si sjellje që cënojnë besimin e publikut të një funksionari të drejtësisë.

Çurri ushtroi ankim ndaj vendimit të Komisionit duke kërkuar ndryshimin, riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera të rivlerësimit, të figurës dhe profesionalizimit, si dhe konfirmimin e tij në detyrë. Ndërsa në parashtrimet e paraqitura në Kolegj në muajin shkurt 2024, ai ka kërkuar përfundimisht prishjen e vendimit të Komisionit si absolutisht të pavlefshëm, pushimin e gjykimit të çështjes në Kolegj, si dhe rregullimin e pasojave të ardhura nga vendimi i Komisionit në aspektin material dhe moral.

Në vendimin e arsyetuar të KPA thuhet se gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, është konstatuar se Çurri kishte mbushur moshën e pensionit të pleqërisë më datë 13 qershor 2023, një muaj pasi është shkarkuar nga detyra.

Për rrjedhojë, është çmuar se paraprakisht duhej vlerësuar plotësimi i kushteve ligjore për përfundimin e statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit. KPA ka verifikuar se subjekti i është drejtuar në shkurt të vitit 2023 Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj me kërkesë për dalje në pension pleqërie, duke sqaruar se ai mbushte moshën 67 vjeç më datë 13 qershor. KLGJ më datë 14 qershor ka dalë me vendim duke deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin Çuri, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë. Subjekti nuk rezulton të ketë ushtruar ankim ndaj këtij vendimi që ka marrë formë të prerë.

KPA vëren se kur subjekti ka ushtruar ankim ndaj vendimit të Komisionit, ka qenë në pension pleqërie.

Trupi gjykues i Kolegjit vëren se, në kushtet kur Çuri, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë 67 vjeç, ka shprehur me kërkesë vullnetin e tij për të mos vazhduar ushtrimin e detyrës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka deklaruar me vendim mbarimin e statusit të magjistratit të tij, atëherë ai nuk bën më pjesë në rrethin e subjekteve që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar ex officio, në zbatim të legjislacionit të vetingut të magjistratëve.

Këto rrethana, janë vlerësuar nga shumica se përbëjnë shkak për përfundimin e procesit të Çurit pa një vendim përfundimtar. “Pasi objekti dhe qëllimi për të cilin kishte nisur procedura e rivlerësimit kalimtar është bërë i pamundur dhe procesi nuk mund të vazhdojë në Kolegj, për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit për efekt të ligjit nr. 96/2016”, argumenton shumica dhe vlerëson se ankimi i subjektit ka mbetur pa objekt.

Në përfundim, shumica e trupit gjykues të Kolegjit, e përbërë nga Rezarta Schuetz në cilësinë e kryesueses, Mimoza Tasi relatore dhe anëtarët Sokol Çomo e Ina Rama, kanë vendosur përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Petraq Çuri pa një vendim përfundimtar për çështjen, me argumentin se objekti dhe qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur.

Gjyqtarja Mulaj ka dalë në pakicë dhe ka votuar kundër kolegëve. Ajo vëren, se subjekti rreth tre muaj para se KPK të merrte vendimin për vetingun e tij, i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesë për daljen në pension, duke u shprehur se më 13 qershor mbushte moshën 67 vjeç.

Përveç kërkesës drejtuar KLGj-së, Mulaj sjell në vëmendje se Çuri gjatë vetingut të zhvilluar ndaj tij, ka manifestuar një sërë sjelljesh të evidentuara qartë në vendimin e Komisionit, e që kanë çuar në zbatimin e përcaktimit ligjor lidhur me cënimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

“…Veprime këto që konsistojnë kryesisht në kërkesa të vazhdueshme, të përsëritura dhe haptazi të pabazuara, për shtyrje të afatit në paraqitjen e përgjigjeve të pyetësorit dhe rezultateve të hetimit administrativ, me qëllim zvarritjen e këtij procesi deri në muajin qershor, që përkonte me kohën e daljes së tij në pension”, shprehet Mulaj.

Ajo shton se legjislacioi përcakton se statusi i magjistratit mbaron kur mbush moshën 67 vjeç ose moshën 70 vjeç, në rastet kur ka kërkuar të qëndrojë në detyrë deri në këtë moshë. Po ashtu, në ligj përcaktohet se këshilli deklaron me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se dy javë para fundit të muajit përkatës.

Sipas Mulajt, me mbushjen e moshës së pensionit, magjistrati nuk i drejtohet me kërkesë këshillit përkatës, për t’i bërë të ditur që plotëson kushtet për pension pleqërie, pasi është vetë këshilli, që në rolin e punëdhënësit deklaron kryesisht mbarimin e statusit të magjistratit.

Pakica çmon se në këtë rast, dalja në pension e subjektit duhet vlerësuar në tërësinë e tij, së bashku me veprimet e tij dhe mungesën e gatishmërisë së treguar për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit me seriozitet.

“Në vlerësimin tim, si gjyqtare në pakicë, ndonëse kërkesa drejtuar KLGj-së nga pikëpamja formale nuk përfaqëson dorëheqje nga detyra, në kushtet kur subjekti i rivlerësimit ishte përfshirë tashmë në procesin e rivlerësimit, veprimet e tij gjatë procesit, kërkesa drejtuar KLGj-së, përpara se ai mbushte moshën për pension, si dhe kërkesat e shumta për shtyrje afati në kthimin e përgjigjeve ndaj Komisionit, dëshmojnë qartë përpjekjet e subjektit për t’iu shmangur këtij procesi rivlerësimi, dhe për ta përfunduar atë pa një vendim përfundimtar”, vlerëson Mulaj dhe çmon se vendimarrja e shumicës ka shkuar përtej parashikimeve në ligjin për vetingun e magjistratëve.

Ajo nënvizon se në këtë rast, shumica përfundoi procesin e rivlerësimit për Çurin pa një vendim përfundimtar, por pa u shprehur për fatin e vendimit të Komisionit, ndonëse objekt të vendimarrjes kishte pikërisht shqyrtimin e vendimit të shkallës së parë të vetingut.

Mulaj përfundon se në çështjen e rivlerësimit të gjyqtarit Petraq Çuri, Kolegji nuk kishte hapësirë tjetër ligjore për të vlerësuar sjelljen e mbajtur nga subjekti i rivlerësimit përveçse nëpërmjet zbatimit të nenit G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, që përcakton se subjekti që dorëhiqet nuk mund të emërohet gjyqtar ose 6 prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *