Gjyqtarja Vjollca Spahiu pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

Drejtuesi i SPAK kërkon lënien në fuqi të konfirmimit për Vjollca Spahiun

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 11 shkurt me konkluzionet përfundimtare në çështjen e vetingut të gjyqtares së Tiranës, Vjollca Spahiu. Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje, i cilësoi bindëse shumicën e pretendimeve të subjektit dhe duke ju referuar parimit të objektivitetit e proporcionalitetit kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares Spahiu. Subjekti i cilësoi të drejtë konkluzionet përfundimtare të drejtuesit të SPAK dhe kërkoi pushimin e çështjes.

Gjyqtarja Vjollca Spahiu u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 28 qershor të vitit 2024, pas një procesi rivlerësimi të fokusuar tek pasuria e saj dhe e bashkëshortit. Por, vendimarrja e KPK nuk e gjet e drejtë nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila e ankimoi duke ngritur pretendime për një dyqan dhe një apartament në Tiranë.

Lidhur me njësinë, pasuri për të cilën në ankim u ngritën pretendime për pagesën e një vlere më të madhe nga sa ishte deklaruar, drejtuesi i SPAK ndryshoi qëndrim gjatë konkluzioneve përfundimtare. Prokurori Xholi vërejti se subjekti ka shënuar në deklaratën veting se çmimi i blerjes së dyqanit ka qenë 63 mijë e 600 euro, si dhe pagesën e shumës 40 mijë euro në vitin 2005 dhe 23 mijë e 600 euro në 2010-ën. Sipas tij, Spahiu ka deklaruar të njëjtat të dhëna për këtë pasuri, në vitet 2005 e 2010, si dhe gjatë gjithë procesit të vetingut.

Po ashtu, drejtuesi i SPAK i gjen deklarimet e subjektit në përputhje me të dhënat e dërguara nga shoqëria që ka shitur njësinë. Nga verifikimet e kryera për shitjen e njësive të tjera, ka rezultuar se çmimi ka qenë i njëjtë me atë që e ka blerë gjyqtarja Spahiu.

Xholi konstatoi se nga të dhënat konfirmohet se bashkëshorti i subjektit ka shlyer dy këstet e deklaruara, në vlerën totale 63 mijë e 600 euro. Për rrjedhojë, janë gjetur bindëse deklarimet e subjektit për këtë pasuri.

Drejtuesi i SPAK ka gjetur të bazuara edhe shpjegimet për përfitimet e bashkëshortit në cilësinë e ushtarakut. Duke iu referuar të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtuesi i SPAK ka ribërë analizën duke ulur shpenzimet, nga për rrjedhojë është reduktuar pamundësia financiare e konstatuar për vitin 2007.

Drejtuesi i SPAK ndryshoi qëndrim edhe lidhur me nënshkrimin e dy kontratave të ndryshme për përfitimin e një kredie tregtare. Këto veprime u cilësuan gjatë parashtrimeve se e vendosnin subjektin në kushtet e cënimit të besimit të publikut, por në konkluzionet përfundimtare, Xholi vërejti kredia ishte nënshkruar nga bashkëshorti i gjyqtares. Po ashtu, kredia ka rezultuar se është përfituar me kushtet e tregut, si dhe është shlyer rregullisht e nuk ka sjellë asnjë pasojë negative.

Në përfundim të verifikimit të këtij shkaku, nga drejtuesi i SPAK vlerësohet se veprimet e bashkëshortit të subjektit, nuk janë të mjaftueshme për ta vendosur këtë të fundit në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Mosdeklarimi i blerjes së një apartamenti në vitin 2003, pasaktësi për të cilën subjekti tha se e kishte korrigjuar përmes deklarimit në 2004-ën, vlerësohet nga drejtuesi i SPAK si e pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Ndërkohë, në analizën financiare të përgjithshme, vlerësohet se subjekti nuk arriti të provojë në formë ligjore të ardhurat nga qiradhënia e njësisë. Megjithatë, Xholi konstatoi se ka indicie se një pjesë e të ardhurave nga qiraja mund të jenë përfituar.

Drejtuesi i SPAK vlerëson se pamundësia financiare për të gjitha vitet mbetet në vlerën rreth 1.4 milionë lekë, që e konsideruar bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, vlerësohet e pamjaftueshme për të sjellë shkarkimin e gjyqtares Vjollca Spahiu. Në përfundim, Xholi kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Vjollca Spahiu.

Subjekti e konsideroi të drejtë vlerësimin e drejtuesit të SPAK, si dhe të bazuar në praktikën e Kolegjit. Ajo vërejti se në këto kushte, shqyrtimi çështjes mbetet pa objekt dhe kërkoi që të pushohet.

Kolegji u tërhoq për të marrë vendim, që njoftoi se do e shpallë të enjten më 12 shkurt, në orën 16:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *