Gjykata dënon me 9 muaj burg ish-gjyqtarin Admir Thanza
Lajme

Gjykata dënon me 9 muaj burg ish-gjyqtarin Admir Thanza

Ish anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza u dënua me 9 muaj burg për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, por gjykata vendosi po ashtu të pezullonte dënimin. Thanza e cilësoi akuzën të pavërtetë.

Ish-Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Argumentet e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza se akuza ndaj tij ishte e pavërtetë nuk e bindën gjyqtarin Ardian Kalia, i cili vendosi ta shpallë atë fajtor dhe ta dënojë me 9 muaj burg. Thanza u gjet sipas gjykatës fajtor për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, gjë që u zbulua gjatë procesit të vettingut.

Gjykata vendosi po ashtu ta pezullojë e dënimit dhe caktoi detyrimin e Thanzës për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës për 18 muaj dhe të mos kishte kontakte me persona të papërshtatshëm gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, gjykata vendosi të deklarojë të falsifikuar dokumentin e vetëdeklarimit të kryer nga Admir Thanza.

Prokuroria kishte kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për Thanzën, kurse ai vetë pretendoi se ishte i pafajshëm.

Problemet për Thanzën filluan gjatë hetimit të tij si gjyqtar për procesin e vettingut. Veç problemeve të tjera që iu gjetën atij në seancën dëgjimore të zhvilluar më 10 korrik 2018 pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri të ditur se kishte zbuluar një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali në vitin 1999, të cilën nuk e kishte përfshirë në vetëdeklarim. Pas referimit nga KPK, prokuroria konstatoi se Thanza nuk e kishte pasqyruar këtë fakt në formular dhe ngriti ndaj tij akuzën e falsififikimit të formularit dhe kërkoi dënimin em 1 vit e 6 muaj.

Në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë sqarohet se Thanza nuk e kishte pranuar akuzën e ngritur dhe se ka pretenduar se kishte dëshmi penaliteti të pastër. Prokurori sqaroi gjatë pretencës se në dëshminë e penalitetit të lëshuar nga Italia pas një letër-porosie është shënuar dënimi i Thanzës. Po sipas organit të akuzës Thanza nuk ka deklaruar as faktin e arrestimit të tij në flagrancë në Itali dhe kërkoi dënimin e tij me një vit e gjashtë muaj heqje lirie si edhe të deklarohet i falsifikuar formulari i vetëdeklarimit.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare që ish-gjyqtari Admir Thanza paraqiti të premten në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ai ngriti fillimisht pretendimin se nuk ishte njoftuar nga prokuroria për shtimin e akuzave duke theksuar se nuk është respektuar procedura dhe se gjykata duhej ta merrte parasysh këtë fakt në vendimarrjen e saj.

Duke ju referuar legjislacionit dhe Gjykatës Italiane të Kasacionit, Thanza pohoi se në shtetin fqinj nuk kishte një dënim ndaj tij, por ishte një marrëveshje me prokurorin. “Mora përsipër një sanksion penal për të shpëtuar jetën e nipit tim dhe do ta bëja gjithmonë. Nuk ka një vendim dënimi apo masë sigurimi personal ndaj meje”, pohoi Thanza në gjykatë.

Duke pretenduar se akuzën e ngritur ndaj tij do ta pushonte çdo gjykatë, Thanza i kërkoi gjyqtarit Kalia që të merrte vendim jashtë “vettingo-fobisë”.

Ai shtoi se nuk ka pasur fshehje të fakteve dhe se nuk ka qenë diçka e qëllimshme mospaqyrimi i këtij sanksioni. Më tej Thanza u ndal tek formulari i vetëdeklarimit duke e cilësuar atë të parregullt. Në fund, ish-gjyqtari Admir Thanza kërkoi pafajësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *