Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjykatësja e Apelit të Vlorës Brikena Ukperaj konfirmohet nga KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit cilësoi se anëtarja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përmbushte të tre kriteret e vetingut, ndërsa denoncimet e 11 qytetarëve që vendosnin pikëpyetje mbi profesionalizmin e saj u konsideruan të zgjidhshme në rrugë gjyqësore.

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | LSA

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja), njëkohësisht kandidate për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), u konfirmua në detyrë mëngjesin e të hënës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

KPK, në një sallë ndryshe nga normalisht gati të zbarzët,  njoftoi se Ukperaj i plotësonte të treja kriteret e rivlerësimit, ndërsa ajo i shtohet listës së gjyqtarëve të rinkonfirmuar në detyrë. Rasti i Ukperaj ishte i veçantë për shkak të 11 denoncimeve nga qytetarët, disa prej të cilëve u paraqitën në seancë dëgjimore dhe kontestuan qëndrimin e komisionit.

Megjithatë trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Valbona Sanxhaktari deklaroi se gjyqtarja Ukperaj pas hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit nuk kishte probleme.

Ukperaj vetë nuk foli pas marrjes së vendimit për konfirmimin në detyrë. Më herët në seancë dëgjimore ajo vlerësoi procesin ndërsa tha se e shihte veten në “pjesën e shëndetshme” të sistemit të drejtësisë.

Akuza për Ukperaj pati nga familja Bodo e cila pretendon se “gjyqtarja kishte marrë një vendim të padrejtë në shkelje të afateve ligjore”, por ankesa e tyre në KPK kishte rënë në vesh të shurdhër. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se familja Bodo e fitoi çështjen në shkallën e parë, por një vendim i Gjykatës së Apelit me relatore gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) e rrëzoi vendimin për “shkelje të rënda proceduriale” dhe e riktheu çështjen për rigjykim.

KPK e cilësoi këtë rast dhe të tjerët si çështje që zgjidheshin në rrugë gjyqësore dhe jo si shkelje për të cilën gjykatësja mund të ndëshkohej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *