Komisioneri Publik ngre pikëpyetje mbi dorëheqjen e Adriatik Llallës

Komisioneri Publik Lajme
Në seacën përfundimitare të apelimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e vetingut ndaj ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, Komisioneri Publik Florian Ballhysa ka ngritur dyshime nëse Llalla e ka firmosur dorëheqjen apo firma është falsifikuar nga dikush tjetër.  

Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Sokol Como, Luan Daci, Ina Rama, gjatë një seance të Kolegjit të Posaçem të Apelimit, KPA, | Foto : LSA

Administrimi ligjor i dorëheqjes së ish Prokurorit të Përgjithashëm Adriatik Llalla, u kthye në objekt debati në seancën e dytë të Kolegjit të Posacëm të Apelimit i cili po shqyrton ankimimin e Komisionerit Publik për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj ish kreut të akuzës.

Komisioneri Publik Florian Florian Ballhysa argumentoi përballë trupës gjyqësore arsyet se përse sipas tij  vendimi për ndërprerjen e procesit të vetingut për ish kryeprokurorin është nul, e për pasojë duhet të shfuqizohet.

Komisioneri Publik deklaroi se  Adriatik Llalla është ende magjistrat, pasi dorëheqja e tij nuk është dhënë sipas formës që  kërkon ligji, e për pasojë Kolegji i posacëm i Apelimit nuk mund ti referohej  pikës G të aneksit të  Kushtetutës për ndërprerjen e vetingut për Llallën.

Duke iu referuar mbledhjes së 10 shkurtit të  vitit 2017 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Komisioneri Publik tha se nuk është e qartë forma në të cilën është dhënë dorëheqja e ish kryeprokurorit – mangësi kjo që sipas tij mund të rikthejnë në sistemi e drejtësisë Adriatik Llallën.

“Sot asnjë prej institucioneve nuk mund të verifikoje nëse kjo dorëheqjeje është nënshkruar nga vetë magjistrati kur dorëheqja është bërë me postë? Ditën që mbaron mandati i institucionit të rivlerësimit, gati 4 vite më pas nga dita e sotme që po zhvillohet ky gjykim, ai ka gjithë të drejtën të kërkojë rikthimin në sistem duke mos e kaluar procesin e rivlerësimit, ndaj ne kërkojmë  prishjen e vendimit të KPK-së ,” deklaroi  Ballhysa.

Krejt  të kundërtën ka argumentuar avokati mbrojtës i Adriatik Llakës.  Sipas  Sokol Hazizajt ish kryeprokurori ka zbatuar procedurat ligjore dhe ka kërkuar dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë. “Klienti im  është shprehur vullnetarisht për tu larguar nga sistemi. Ai ka dhënë dorëheqje dhe nga të qënurit  magjistrat ashtu edhe për rikthimin e tij në pozicionin e më parshëm të punës, para se të emërohej  si kryeprokuror” deklaroi Hazizaj, duke e cilësuar të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese u tërhoq ne dhomën e këshillimit dhe vendimin lidhur me ankimimin e Komisionerit Publik pritet ta bëjë publik në 11 qershor, në orën 13.00.

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla  i është shmangur përballjes me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit  ku po shqyrtohet vazhdimi ose jo i procesit të vetingut për të. Procesi i rivlerësimit për ish-kryeprokurorin Llalla nisi në nëntor 2017 dhe u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi ai dha dorëheqjen nga mundësia për të marrë një pozicion tjetër në sistemin e drejtësisë më 12 shkurt 2018.

Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut.

Sipas Kushtetutës, ky institucion ushtron apelimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit.