Prokurori Julian Çafka në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 14 shtator 2021. Foto: BIRN
KP Lajme Vendi

Konfirmimi i prokurorit Julian Çafka ankimohet bazuar në një denoncim për profesionalizmin

Bazuar në një denoncim ku ngrihen pretendime mbi profesionalizmin e prokurorit të Gjirokastrës, Julian Çafka në hetimin e disa çështjeve, Komisioneri Publik Florian Ballhysa ka ushtruar ankim ndaj vendimit të KPK për konfirmimin e tij në detyrë.

Prokurori Julian Çafka në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 14 shtator 2021. Foto: BIRN

Një denoncim i mbërritur pranë institucionit të Komisionerëve Publikë kundër prokurorit të Gjirokastrës, Julian Çafka ka sjellë ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e tij në detyrë.

Në ankimin e paraqitur pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA prej Komisionerit Florian Ballhysa renditen çështjet për të cilat kërkohet hetim i thelluar. Megjithatë, Ballhysa kërkon që në përfundim të shqyrtimit të ankimit të tij, Kolegji të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Prokurori Julian Çafka u konfirmua në detyrë më 14 shtator pasi disa çështje të denoncuara nga publiku ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera nga drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Gjirokastrës, si dhe dyshimet e ngritura nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për veprime korruptive, nuk u konsideruan penalizuese.

Ndërkohë, KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej prokurorit Çafka në vitet 2018 dhe 2019 , për “inspektim të shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore”.

Në ankimin e Ballhysës sqarohet se është kryer një denoncim që konsiderohet se përmbush kushtet e pranueshmërisë, pasi përmban çështje për të cilat konstatohet se është i nevojshëm një hetim i mëtejshëm.

Në denoncimin që u është drejtuar edhe disa institucioneve të tjera, ngrihen pretendime për disa çështje penale për të cilat është vendosur mosfillim procedimi penal, që janë hetuar dhe përfaqsuar në gjykim nga prokuori Julian Çafka.

Për një procedim penal të vitit 2017 për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i detyrës”, pretendohet se subjekti i rivlerësimit ka zvarritur me qëllim hetimin e çështjes për vite me radhë, me qëllim favorizimin e një funksionari të zgjedhur vendor, si dhe hetimi është kryer në shkelje të Kodit të Procedurës Penale duke kërkuar pushimin e çështjes.

Komisioneri vëren se në aktin e bashkëlidhur denoncimit, konstatohet se subjekti ka kërkuar pushimin e një procedimi penal të viti 2017 lidhur me një kallëzim penal ndaj Bashkisë Gjirokastrës për “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre”.

Në kallëzim është pretenduar se Bashkia Gjirokastër, duke falsifikuar dokumentet ka arritur të miratojë kontraktimet e marrjes me qira të një prone private dhe më pas tenderimin e ndërtimit të tregut industrial, duke shkelur rregullat urbanistikë dhe duke kryer procedime tenderimi në mënyrë të dyshimtë. Gjithashtu, kallëzuesi ka pretenduar se tregu është ndërtuar jashtë çdo standardi, si dhe janë kryer ndërhyrje për të ndryshuar hartat dhe planvendosjet e pronave.

Vendimi i pushimit të Çafkës i nëntorit 2020 është rrëzuar nga gjykata në muajin shkurt, duke i kërkuar subjektit të rivlerësimit të vazhdojë hetimet. Nga aktet e administruara ka rezultuar se nuk është kryer ankim nga prokuroria.

“[…]Konstatohet se pretendimi i denoncuesit, bazohet në argumentet e përdorura nga Gjykata, kur referon faktin se Prokuroria Gjirokastër nuk ka regjistruar emrin e personit, të cilit i atribuohet vepra penale e parashikuar nga neni 248, “Shpërdorimi i detyrës”, i Kodit Penal, por ka përdorur, gjatë hetimeve për identifikimin e subjektit, termin e përgjithshëm: Bashkia Gjirokastër, duke shmangur eventualisht zbatimin e nenit 75/a të K. Pr. P.”, konstaton Ballhysa.

Komisioneri shprehet se ka nevojë të hetimit të mëtejshëm nga ana e Kolegjit lidhur me verifikimin e shkaqeve që kanë sjellë kohëzgjatjen e hetimit, verifikimin e subjekteve të cilëve u atribuohet vepra penale dhe zbatimi i detyrave të lëna prej gjykatës.

Denoncuesi pretendon gjithashtu se prokurori Juljan Çafka, ka tejkaluar afatet ligjore për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor, si dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar për një shtetas. Nga shqyrtimi i akteve të depozituara në denoncim, konstatohet se Gjykata e Gjirokastrës ka deklaruar fajtor një shtetas për veprën penale “pengime për ekzekutimin e vendimit gjyqësor”, që është lënë në fuqi edhe nga apeli. E njëjta situatë konstatohet edhe lidhur me një çështje tjetër për të cilën Gjykata e Gjirokastrës ka marrë vendim në dhjetor të vitit 2019.

“[…]Konstatohet nevoja e hetimit të mëtejshëm në drejtim të verifikimit nëse veprimet procedurale janë kryer nga subjekti i rivlerësimit, z. Juljan Çafka, dhe nëse është zbatuar në mënyrë korrekte legjislacioni në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale[…], kërkon Ballhysa.

Në denoncim është pretenduar se në një çështje të vitit 2013, subjekti ka favorizuar palën e kallëzuar për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi nuk ka vendosur sekuestrimin e një pasurie të llojit “apartament”, me vendndodhje në qytetin e Tiranës, që pretendohet se është blerë me të ardhura të realizuara nga kryerja e veprës penale.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit bashkëlidhur denoncimit ka rezultuar se Gjykata e Gjirokastrës e ka deklaruar fajtore të pandehurën për veprën penale të “mashtrimit”, me pasoja të rënda, pasi një apartament në emër të prindërve të saj ka rezultuar se është blerë me lekët që e proceduara ka përfituar nëpërmjet mashtrimit.

Edhe në këtë rast, Ballhysa konstaton nevojën e një hetimi të mëtejshëm lidhur me verifikimin e ecurisë së procedimit penal për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Komisioneri vlerëson se çështjet e transferuara për inspektim, ku janë evidentuar prej Komisionit mangësi profesionale, në varësi edhe të rezultateteve të hetimit të kërkuara nëpërmjet këtij ankimi, do të ndikonin në vlerësimin përfundimtar të prokurorit Julian Çafka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *