KPA i cilëson abuzive kërkesat e Bujar Memisë për shtyrje të seancës
KPA Lajme

KPA i cilëson abuzive kërkesat e Bujar Memisë për shtyrje të seancës

Kur pritej që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA të njihej me konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin e prokurorit të Krujës, Bujar Memia kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e tij, ankuesi dhe përfaqësuesi i tij ligjor paraqitën një sërë kërkesash, që u konsideruan prej trupës gjykuese si abuzive dhe me qëllim zvarritjen e procesit.

Bujar Memia u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 31 mars 2021 me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me argumentin se kishte qëndruar pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin me kusht të të dënuarve për vepra të rënda penale Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor 2020.

Kolegji i rrëzoi të hënën më 9 maj kërkesat e Memisë dhe të avokatit të tij, Anteo Papa për parashtrimin e pyetjeve drejtuar përfaqësuesve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD dhe KLP-së; për më shumë kohë për përgatitjen me shkrim të konkluzioneve përfundimtare; për shtesë të objektit të padisë; për pavlefshmëri absolute të vendimit; për pezullimin e procesit deri sa të kryhet rivlerësimi i tij nga institucionet e vetingut; për përjashtimin e kryesueses së trupës Albana Shtylla dhe për pajisjen me një avokat tjetër pas largimit të atij që ishte i pranishëm. Përfaqësuesit e KLP-së dhe ILD-së, po ashtu i kosideruan të pabazuara kërkesat e Memisë.

Ankuesi petendoi se po diskriminohej pasi nuk po trajtohej në mënyrë të barabartë me subjektet e tjera. Por kryesuesja Shtylla vërejti se në seancën parardhëse më 7 prill, Kolegji urdhëroi palët që të përgatisnin konkluzionet përfundimtare, duke pranuar edhe një kërkesë të mbrojtësit të Memisë për më shumë kohë.

Pasi për 4 orë e gjysmë, Memisë iu rrëzuan kërkesat për shtyrje të seancës, për 3 orë të tjera ai lexoi pyetjet drejtuar KLP-së dhe ILD-së lidhur me hetimin disiplinor të zhvilluar ndaj tij dhe me vendimin e shkarkimit, për të cilat tha se nuk kishte marrë përgjigje.

Memia paraqiti me detaje qëndrim për shumicën e pikave të vendimit të KLP-së duke pretenduar se hetimi i ILD-së dhe KLP-së nuk ishte i bazuar në ligj dhe në prova. Ai e cilësoi vendimarrjen e KLP-së në cënim të pavarësisë së magjistratëve.

Prokurori Memia pretendoi se hetimi dhe masa disiplinore e dhënë ndaj tij ishte bazuar në trillime dhe se përbënë ‘shpifje disiplinore’. Sipas tij, është e provuar se vendimi për shkarkimin e tij ka qenë i paracaktuar dhe se është marrë në kushtet e konfliktit të interesit nga disa prej anëtarëve të KLP-së. “Vërtetohet komploti ndaj meje nga ana e ILD-së dhe diskriminimi krahinor për shkak të deklaratave politike,” deklaroi ndër të tjera Memia.

Pasi kaluan rreth 7 orë e gjysmë, KPA vendosi të shtyjë seancën për vijimin e paraqitjes së konkluzioneve për të martën me 10 maj në orën 13:00. KPA u shpreh se shtyrja u vendos me qëllim që të mundësohet për gjithë palët dhe pjesëmarrësit ndjekjen me vëmendje të konkluzioneve përfundimtare në këtë gjykim.

Edhe gjatë parashtrimeve më 7 prill, Memia i cilësoi të pabazuar e kontradiktorë vendimin e KLP-së dhe hetimin ILD-së, duke ngritur edhe pretendime për bullizim gjatë procedimit disiplinor. Ndërsa përfaqësuesit e ILD-së dhe KLP-së praqitën argumentet mbi të cilat kishin konkluduar se ankuesi kishte kryer shkelje të rënda dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *