Seanca e prokurorit Bilbil Mete ne KPA
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Sulejman Kurti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të martës më 29 mars vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti. Në njoftim thuhet se trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ina Ramën, Mimoza Tasin e Rezarta Schuetz, pasi gjykoi në dhomë këshillimi ankimin e Kurtit kundër vendimit të Komisionit, në mënyrë unanime vendosi ta lërë në fuqi vendimarrjen e shkallës së parë të vetingut, duke e larguar përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 6 nëntor të vitit 2019 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Sulejman Kurti, pasi ky i fundit nuk arriti të justifikojë burimet financiare të dy shtëpive, një të ndërtuar në Librazhd dhe për një apartament të blerë në Tiranë. KPK e vlerësoi Kurtin në nivel kualifikues për profesionalizmin, ndërsa një raport i dytë i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK që rekomandonte papërshtatshmërinë e tij për të vazhduar detyrën nuk u gjet bindës.

Sulejman Kurti e filloi karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1996 dhe punoi për gati një dekadë si gjyqtar i Gjykatës së Librazhdit. Me shkrirjen e kësaj gjykate në vitin 2007, Kurti u emërua gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërkohë në vitin 2016 u promovua si kryetar i kësaj gjykate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *