Fatri Islamaj pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA rihap shqyrtimin gjyqësor për Fatri Islamajn, bazuar në një mendim të ONM

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 31 mars se kishte vendosur rihapjen e shqyrtimit gjyqësor lidhur me ankimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës Fatri Islamaj, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e shkarkoi nga detyra më 10 dhjetor 2019.

Në seancën e të enjtes kur pritej që të shpallej vendimi, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo bëri me dije se pas vendimit të ndërmjetëm për mbylljen e hetimit gjyqësor të marrë më 17 mars, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Ferdinando Buatier ka paraqitur një mendim me shkrim për këtë çështje.

Çomo shpjegoi, se me shumicë votash ishte vendosur që përpara se të merrej vendim për këtë çështje, të rihapet gjykimi dhe Islamaj të njihet me mendimin me shkrim të vëzhguesit ndërkomëbar, duke revokuar kështu vendimin e mëparshëm për mbylljen e hetimit gjyqësor.

Gjyqtari Islamaj kërkoi një kohë të arsyeshme për t’u njohur me mendimin e Buatier dhe për të paraqitur qëndrimin e tij. KPA vendosi të shtyjë seancën ku do të dëgjohet Islamaj lidhur me këtë mendim të ONM-së, për në datën 12 prill, në orën 09:00.

Kolegji vendosi më 17 mars të pranojë të gjitha provat e dorëzuara nga gjyqtari Fatri Islamaj, i cili paraqiti parashtrimet dhe kërkimin përfundimtar për ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Islamaj u shkarkua me shumicë votash nga KPK, pasi dy komisioneret Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko arritën në përfundimin se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament të blerë nga i ati në vitin 2010 për 65 mijë euro. Sipas shumicës, babai i subjektit nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie të përdorur nga Islamaj.

Në pakicë, Lulzim Hamitaj e kundërshtoi këtë arsyetim me argumentin se babai i Islamajt kishte pasur burime financiare dhe se kërkesa e shumicës për dokumentim të shkëmbimeve financiare për qiranë brenda familjes ishte e tepruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *