Gjyqtarja Rilinda Selimi pas vendimit nga KPK-së | Foto : Vladimir Karaj
KPK Lajme Vendi

KPK konfirmon në detyrë Rilinda Selimin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi konfirmimin në detyrë të Rilinda Selimit, gjyqtare e Gjykatës së Apelit Administrativ, pavarësisht se dy vjet më herët bashkëshorti i saj ishte shkarkuar me akuzat për lidhje me personazhe të krimit të organizuar.

Gjyqtarja Rilinda Selimi pas vendimit nga KPK-së | Foto : Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të hënën konfirmimin në detyrë të Rilinda Selimit, gjyqtare e Gjykatës së Apelit Administrativ. Selimi, e cila po ashtu u zgjodh sëfundmi anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, u hetua nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici.

Vendimi u mor pas një seance të gjatë dëgjimore, në të cilën Selimi u pyet për disa pasuri dhe po ashtu edhe për lidhjen e saj me personat që u cilësuan kontakte të papërshtatshme të bashkëshortit.

Por që në relatim KPK la të kuptohej se ndryshe nga bashkëshorti, i shkarkuar me vendim të Komisionit të konfirmuar edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar, gjyqtarja kishte figurë të pastër dhe nuk ishte e ndikuar nga marrëdhëniet e bashkëshortit.

Selimi u pyet për një policë sigurimi të lëshuar në emër të saj dhe të bashkëshortit, për përdorimin e një mjeti në pronësi të shtetasit I.Ç. – i skeduar nga policia për aktivitete kriminale. Por ajo mohoi të kishte dijeni dhe lidhje me kontaktet e bashkëshortit; deklaratë që relatori Lulzim Hamitaj e mori të mirëqenë.

Selimi nuk u pyet në seancë për lidhjet e bashkëshortit me Arben Isfuaj, i njohur si Ben Qimja, një prej kontakteve për të cilat bashkëshorti i saj u shkarkua.

Ndërkohë një karburant i ndërtuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Administrativ dhe bashkëshorti i saj, Shkëlzen Selimi në Lungomaren e Vlorës, për të cilin ka pasur një sërë polemikash, u gjet i rregullt nga KPK.  Po ashtu të rregullta u gjetën edhe pasuritë e tjera të saj dhe bashkëshortit, ndërsa Komisioni vuri në dukje si probleme vetëm balanca të vogla negative. Selimit nuk iu vunë në dukje probleme të profesionalizmit.

Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Librazhdit dhe më pas, për rreth një dekadë në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Selimi është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *