Skënder Haluci pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra për problemet me pasurinë për kryetarin e Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci.

Skënder Haluci pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci u shkarkua nga detyra të premten për pasuri të pajustifikuara. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komici, me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Procesi rivlerësimit kalimtar të subjektit u përqendrua tek kriteri i pasurisë, ndërkohë që KPK hodhi poshtë kërkesën për rihapjen e hetimit për dy kriteret e tjera si dhe përjashtimin e trupit gjykues për shkak të mospranimit të kërkesës së parë.

Komisioni evidentoi gjatë seancës dëgjimore mungesë burimesh financiare për ndërtimin e një apartamenti papafingo me sipërfaqe 242 m2 në Sauk, probleme me shitblerjen e disa pronave si dhe mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar shpenzimet për jetesën e vajzës së gjyqtarit gjatë kohës së studimit në Wesley College në SHBA.

Haluci e kundërshtoi analizën financiare të KPK-së si të gabuar, duke nënvizuar se vlerësimet e bëra për pasurinë e tij të patundshme ishin jo realiste dhe kërkoi rihapjen e hetimeve. Në mënyrë të veçantë ai kundërshtoi me forcë vlerësimet e KPK për shkollim e vajzës së tij në Bosnje dhe SHBA, duke nënvizuar me krenari se e bija kishte marrë një burse të plotë me vlerë 247 mijë USD, që ishte paguar nga taksapaguesi amerikan dhe nuk kishte pse t’i jepte llogari shtetit shqiptar.

Kreu i Gjykatës së Vlorës e krahasoi gjithashtu procesin e vetingut me dënimin gjatë regjimit komunist.

“Në moshën 23-vjeçare jam dënuar me vdekje nga regjimi i kaluar, kjo është më keq” tha Haluci gjatë seancës dëgjimore. “Po më ngarkoni atë që nuk e kam bërë,” shtoi ai, duke u ankuar se KPK i kishte ngarkuar me pa të drejtë një barrë pasurore të barabartë me 1 miliardë lekë [të vjetra].

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *