Gjyqtarja Flutura Hoxha | Foto : Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Veting

KPK: Flutura Hoxha fshehu një apartament pasi nuk justifikonte burimet

Gjyqtarja e Pukës Flutura Hoxha u shkarkua nga detyra më 25 shkurt, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se nuk provoi dot burimet e ligjshme të pasurive dhe se për këtë arsye kishte fshehur blerjen e një apartamenti në Tiranë në emër të babait. Ndërkohë ajo e vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se kishte arritur nivel minimal kualifikues për profesionalizmin.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Hoxha u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilian dhe anëtare Pamela Qirkon.

Flutura Hoxha ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor shqiptar. Nga viti 1998 deri në vitin 2006 ajo ka shërbyer si kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë. Gjatë periudhës 2007-2011 ka mbajtur funksionin si inspektore në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë, KLD dhe në 2012-ën u rikthye në Gjykatën e Pukës, ku dhe e ushtroi detyrën deri në vendimin e shkarkimit.

Problemet për pasurinë

Megjithëse subjekti rezulton të jetë ndarë nga trungu familjar prej vitit 1993, ajo ka deklaruar gjatë hetimit administrativ se ka jetuar gjatë gjithë kohës me prindërit dhe në periudha të ndryshme me motrën dhe vëllain.

Në deklaratën veting ajo ka shënuar se deri në vitin 2015 u ka dhënë prindërve kursime të saj. Lidhur me këtë deklarim, ILDKPKI-ja ka konstatuar pasaktësi pasi nuk është deklaruar sa është vlera e tyre.  Gjithashtu në deklaratat e interesave private në vite subjekti nuk është shprehur në lidhje me këtë fakt.

Edhe Komisioni konstaton të njëjta gjetje. Referuar deklaratave vjetore për periudhën 2004 – 2007 subjekti ka deklaruar kursime cash në vlerën totale progresive 2 milionë lekë, por në këto deklarata dhe në ato në vijim deri në vitin 2017 nuk ka deklaruar asnjëherë dhënien e kursimeve cash prindërve të saj apo ndryshim të gjendjes cash.

E pyetur nga KPK, Hoxha ka deklaruar se nuk ka mbajtur shënime për gjendjen cash ndër vite, përveç atyre të pasqyruara në deklaratat periodike. “Pjesa më e madhe e këtyre kursimeve u është dhënë prindërve, ndër vite, për të mbuluar shpenzimet e jetesës dhe shpenzime të tjera në formë kontributi familjar. Në këtë kontekst nuk ka qenë një dhurim në vlerën totale të vlerës cash të deklaruar në deklaratat periodike, por kontribute në vlera dhe periudha të ndryshme”, ka saktësuar Hoxha.

Ajo ka shtuar se pas vitit 2007 nuk ka pasur gjendje cash në shtëpi dhe për rrjedhojë nuk ka shtim apo pakësim të gjendjes cash, por se ka pasur vetëm debitime të llogarisë së pagës për nevojat e jetesës së saj dhe familjes.

Bazuar në rezultatet e hetimit administrativ, KPK e ka konsideruar gjendjen cash të akumuluar deri në vitin 2007 të pandryshuar deri në fund të vitit 2016.

“Vlera progresive e kursimeve cash, të deklaruara nga subjekti në deklaratat periodike, rezultoi 2,000,000 lekë. Kjo vlerë arrihet në vitin 2007 dhe, pas këtij viti, nuk ka asnjë deklarim për kursimet cash nga subjekti. Në analizën financiare kjo gjendje progresive mbartet deri në fund të vitit 2016. Në deklaratën Vetting subjekti nuk deklaron kursime cash. Ndërkohë që në përgjigje të pyetësorëve, subjekti ka bërë deklarime kontradiktore lidhur me kursimet cash dhe përdorimin e tyre”, konstaton KPK dhe i ka kaluar subjektit barrë prove për disa gjetje të bazuara në analizën financiare të kryer sipas deklarimeve periodike.

Gjyqtarja Hoxha ka shpjeguar se ka bashkëjetuar gjatë gjithë kohës me prindërit, nisur dhe nga statusi shoqëror, beqare. Sipas subjektit, edhe përpara detyrimit ligjor për deklarimin e pasurisë në vitin 2004, të ardhurat e saj kanë qenë të njësuara me ato të prindërve dhe se janë përdorur për shpenzime familjare dhe për kursime të përdorura nga babai.

Mosdeklarimin e pakësimit të kursimeve për përdorimin e tyre nga babai në investimet në bono thesari apo në llogari bankare, Hoxha e ka konsideruar si pasaktësi që ka ardhur si rrjedhojë e mosnjohurive të duhura për plotësimin e deklaratave të pasurisë dhe për shkak të statusit të saj social.

Në përfundim Komisioni konstaton se subjekti nuk arriti të përcaktojë vlerën e saktë ose të përafërt që u ka dhënë prindërve dhe periudhën e saktë kur janë bërë këto dhurime, duke vlerësuar se ajo ka bërë deklarim të pasaktë lidhur me kursimet cash dhe gjendjen e tyre në fund të viteve përkatëse.

Po ashtu, është konstatuar pamundësi financiare dhe deklarim i pamjaftueshëm për krijimin e depozitave në vlera të konsiderueshme dhe shtesat në vite nga babai, prej 2004-ës deri në 2012-ën.

Në vijim Komisioni ngre dyshime se gjyqtarja Hoxha ka fshehur një apartament që ka blerë babai në vitin 2008. Në vendimin e arsyetuar thuhet se subjekti ka deklaruar përdorimin e një apartamenti në Tiranë për periudhën 2008-2012 kur ajo punonte si inspektore pranë KLD-së. Gjatë hetimit ajo ka shpjeguar se banesa është blerë me të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes, përfshi dhe ato nga pagat e saj.

Komisioni vlerëson se, në rastin konkret, subjekti i rivlerësimit ka pasur dhe ka lidhje interesi me këtë pronë si bashkëkontribuese në blerjen e saj, si dhe për shkak të përdorimit. Por nga hetimi ka rezultuar se Hoxha nuk e ka deklaruar këtë pasuri në përdorim apo si bashkëpronare në deklaratën “veting”, nuk ka pasqyruar kontributin financiar dhe as burimin e krijimit të saj.

Subjekti ka sqaruar se apartamenti është porositur nga i ati në vitin 2007 për vlerën 63 mijë e 250 euro dhe se pagesa e çmimit është kryer e ndarë në dy këste, i pari në shumën 28 mijë e 70 euro dhe kësti i dytë në shumën 35 mijë e 180 euro.

Ajo ka shpjeguar se burimi kanë qenë kursimet ndër vite të prindërve, të ardhurat nga puna e babait në sektorin privat si topograf; të ardhurat e saj, të vëllait dhe të motrës. Po ashtu, Hoxha ka sqaruar se për shlyerjen e këstit të parë në shtator të vitit 2007 babai ka marrë dhe një hua në shumën 1 milion nga një miku i tij, që e ka shlyer në dhjetor të atij viti pas maturimit të një investimi në bono thesari.

Subjekti ka shpjeguar edhe transaksionet e kryera për pagesën e këstit të dytë, ku si burim kanë shërbyer bonot e thesarit në vlerën totale afro 5.2 milionë lekë, për krijimin e të cilave ka rezultuar pamundësi financiare.

Në analizën financiare KPK ka konsideruar të ardhurat nga puna të subjektit, nënës, vëllait dhe motrës deri në dhjetor të vitit 2007, ato nga pensioni i pleqërisë të përfituara nga babai për periudhën 1998-2007, si dhe dëmshpërblimi për një aksident sipas një vendimi gjykate të vitit 1999. Ndërkohë, nuk janë përfshirë të ardhurat e huasë, pasi nuk është arritur të provohet mundësia financiare e huadhënësit.

Pasi Hoxha ka deklaruar se ka banuar me prindërit gjatë gjithë kohës, si dhe me motrën dhe vëllain në periudha të kufizuara, në analizën financiare janë përfshirë edhe të ardhurat dhe shpenzimet e të gjithë familjarëve prej nga ka rezultuar pamundësi për blerjen e apartamentit me burime të ligjshme.

Në përfundim, Komisioni ka vlerësuar se subjekti nuk e ka deklaruar përdorimin e këtij apartamenti dhe burimet e krijimit në deklaratën “veting”. Po ashtu, konstatohet se as gjatë hetimit administrativ Hoxha nuk ka deklaruar qartë burimin e krijimit të këtij apartamenti, duke mos përcaktuar pjesën e saj takuese në vlerë monetare.

KPK konstaton se gjyqtarja ka marrëdhënie të pandërprerë me përdorimin e kësaj banese që nga momenti i blerjes, kohë kur ushtronte detyrën si inspektore në KLD, ndërkohë që prindërit jetojnë në Pukë dhe e përdorin vetëm në rastet kur vijnë bashkë me subjektin në Tiranë.

“Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka ndërmarrë veprime të tilla si vendosja e këtij apartamenti në emër të babait të saj, si person i cili nuk ishte i lidhur me subjektin (pasi nga gjendja civile vërtetohet se subjekti nuk është në certifikatë familjare me babain) dhe, si i tillë, nuk është i detyruar të deklarojë pasurinë, me qëllim fshehjen e kësaj pasurie”, vlerëson trupa e KPK-së.

“Mosdeklarimi i përdorimit të kësaj pasurie nga subjekti në deklaratën Vetting sipas kërkesave të ligjit nr. 84/2016, është bërë me qëllimin e vetëm për t’u mos evidentuar dhe deklaruar në ILDKPKI, sepse kjo pasuri sipas edhe konkluzionit të Komisionit është krijuar nga burime të paligjshme nga subjekti dhe personat e tjerë të lidhur[…]. Në të kundërt, subjekti, nëse e kishte nga burime të ligjshme do të duhet ta kishte deklaruar në deklaratën Vetting”, vëren KPK dhe konkludon se Hoxha ka kryer deklarim të pamjaftueshëm si dhe e ka fshehur këtë apartament.

Nga analiza financiare për e përgjithshme për periudhën 1996-2016, ka rezultuar balancë negative në shumën 5.2 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *