Elizabeta Imeraj duke hyrë në KPA | Foto nga BIRN?Nensi Bogdani
Artikull kryesor ! Lajme

KPA vijon seancën maratonë për Elizabeta Imerajn

Seanca publike maratonë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA ku po shqyrtohet ankimi i Komisionerit Publik Florian Ballhysa kundër vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj vijoi të enjten më 31 mars edhe për rreth 8 orë të tjera. Thuajse e gjithë koha iu dedikua Imerajt dhe avokatit të saj Gregory Thuan që parashtruan qëndrime dhe prova kundër ankimit të Komisionerit, të përafërta me ato të dite më parë, në seancën e të mërkurës më 30 mars, që zgjati afro 7 orë.

Ndryshe nga çështjet e tjera, ku Kolegji u ka kërkuar subjekteve të rivlerësimit të jenë të përmbledhur dhe efikas në parashtrimet dhe kërkimet e tyre, në rastin e Imerajt nuk u kërkua një gjë e tillë, si dhe është hera e parë që procedohet me seanca për çdo ditë radhazi. Megjithëse vetë Imeraj deklaroi në mënyrë të përsëritur se po u rikthehej çështjeve që trajtoi të mërkurën, Kolegji i siguroi të marri kohën e nevojshme për të shteruar gjithë parashtrimet dhe kërkimet e saj duke e shtyrë seancën për ditën e tretë të kësaj seance, të premten në orën 11:00.

Në seancën e të mërkurës Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit për të tre kriteret e rivlerësimit; për pasurinë; pastërtinë e figurës; profesionalizmin; si dhe për etikën duke i kërkuar KPA-së shkarkimin e prokurores Imeraj. Ajo i kundërshtoi gjetjet duke i konsideruar të bazuara në copa letre anonime, pa rrethana faktike dhe dashakeqe, ndërkohë që për një denoncuese ngriti dyshime mbi shëndetin e saj mendor. Subjekti dorëzoi dhjetra prova që sipas saj vërtetonin të kundërtën e konstatimeve të gjetjeve dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Në seancën e të enjtes, fillimisht e mori fjalën përfaqësuesi i Imerajt, avokati i Dhomës së Avkatisë së Strasburgut, Gregory Thuan, i cili solli në vëmendje të Kolegjit legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, si dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për raste të ngjashme. “Në çështjen e Imerajt nuk ka dyshim që të drejtat e njeriut janë shkelur”, deklaroi ai dhe vërejti se legjislacioni i vetingut që përcakton kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtarë është në papajtueshmëri me Koventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi u jep atyre u jep fuqi që të ndërhyjnë me gjetje dhe opinione tek komisionerët dhe anëtarët e Kolegjit, ndërkohë që janë të vetmit që mund të kërkojnë procedimin dispilinor ndaj tyre.

Ai vërejti se vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs kishte krijuar konfuzion në pozicionimin e tij për të influencuar në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit KPK dhe përmendi letrën e prezantuar si “Notë verbale” nga tre komisionerët që konfirmuan Imerajn, Olsi Komici, Roland Ilia dhe Suela Zhegu, të cilët ankoheshin për “fyerje dhe presion” nga ana e vëzhguesit të ONM-së. Në kohën e publikimit të kësaj letre, KPK vlerësoi përmes një deklarate ‘bashkëpunimin e frytshëm’ me ONM, si reagim ndaj ankesave të tre anëtarëve të vet kundër vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs, për çështjen e Imerajt.

Avokati Thuan i konsideroi të pabazuara në evidencë faktike dhe të paverifikuara gjetjet e ONM-së dhe theksoi se nuk i plotësojnë kriteret për t’u konsideruar gjetje. “Sepse nuk pasqyrojnë një fakt minimal. Ato manifestojnë mungesë verifikimesh”, argumentoi Thuan.

Avokati Thuan i drejtoi në seancë rreth 24 pyetje Komisionerit Publik, duke kërkuar të dinte nëse Ballhysa kishte kryer hetime dhe verifikime lidhur me gjetjet e ONM-së.

Komisioneri Ballhysa i konsideroi qëndrimet dhe pyetjet e Thuan të lidhura me interpretimet e ndryshme për mënyrën e administrimit të provave, për kompetencat, detyrat dhe të drejtat e vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin e vetingut. Ballhysa argumentoi se legjislacioni parashikon se gjetja e ONM-së çmohet si provë në cilësinë e mendimit të një eksperti dhe nëse KPK dhe KPA duan ta refuzojnë, atëherë duhet të paraqesin arsyetim.

Duke ju referuar legjislacionit për vetingun e magjistratëve, Ballhysa konstatoi se Komisioneri Publik ka detyrim që t’u referohet si prova gjetjeve të ONM-së, përderisa sipas tij, ligji e ndalon Komisionerin të marrë prova. “Komisioneri Publik e jep vlerësimin e tij mbi provat e marra në KPK dhe KPA”, theksoi Ballhysa.

Po ashtu, Komisioneri e cilësoi të pabazuar edhe pretendimin tjetër të shtruar nga Thuan, për dorëzimin e ankimit jashtë afateve. Ballhysa deklaroi se ankimi ishte dorëzuar në afat dhe solli në vëmendje jurispudencën e Kolegjit për raste të ngjashme, kur subjektet kishin krin kryer kundërankim për këtë shkak.

Në vijim ndërhyri prokurorja Imeraj, e cila sqaroi se ajo çka ngriti avokati i saj nuk kishte të bënete me hetimin që duhej të kryente Komisioneri për gjetjet, por se si e ushtron ai funksionin e tij në funksion të interesit të publikut për akuza sipas saj të paqëna.

Në përfundim të seancës, vëzhguesi ndërkombëtar Tonci Petkovic i drejtoi disa pyetje Imerajt lidhur me kriterin e pasurisë dhe për figurën. Duke i konsideruar gjetjet për pasurinë si çështjet më të rëndësishme në këtë proces, Petkovic e pyeti Imerajn se si kishte mundësi që kishte nënshkruar kontratë regjimi pasuror me ish-bashkëshortin, ndërkohë që një vit më parë ai kishte dalë dorëzanës për marrjen e një kredie nga subjekti, duke vendosur si garanci pasuritë e tij.

Imeraj deklaroi se dorëzania nuk kishte lidhje me të drejtat pasurore. Subjekti sqaroi se në vitin 2004 një kolege në Shkodër kishte dalë dorëzanëse për marrjen e një kredie, ndërsa në 2013-ën kishte qenë vetë ajo në cilësinë e dorëzanëses për një kolege në Tiranë, e cila kishte marrë kredi.

Pyetjes së përse nuk e kishin pasqyruar regjimin pasuror në deklarimet periodike dhe në atë “veting”, Imeraj iu përgjigj se në formularët e deklarimit nuk kishte një rubrikë të tillë. Ajo pretendoi se transaksionet për tjetërsimet e pasurive të ish-bashkëshortit në vite i provonin pasojat e regjimit pasuror, pasi sipas saj ajo nuk rezultonte pronare, bashkëpronare apo përfituese.  

Lidhur me deklarimin e pasurive dhe të ardhurave në deklaratat vjetore, Imeraj kërkoi që të ndaheshin konceptet e marrdhënieve të ngushta nga ato pasurore.

Për nënshkrimin e një kontrate shkëmbimi për dy pasuri në Tiranë prej nga është përfituar një truall me sipërfaqe 2500 m2, subjekti deklaroi se këtë gjë e kishte kërkuar noterja, duke i argumentuar se kishte ndryshuar legjislacioni dhe druhej se mos i kapej si shkelje.

“Vetëm në një moment i ka shkarë noteres, se vetë noterja thotë pasuri individuale që shkëmbehet nga (x) person me (y) person”, pohoi Imeraj dhe shtoi se në gjithë kontratat pasqyrohej pronësia individuale e ish-bashkëshortit. Ajo ritheksoi se nuk kishte lidhje me këtë pronë.

E pyetur lidhur me vlerat e pasurive të shkëmbyera, ku ajo e përfituar ishte tek vendi i quajtur “Fusha e Aaviacionit” në Tiranë, ndërsa ngastrat e tokës që kishte zotëruar ish-bashkëshorti subjektit gjendeshin në Mullet, Imeraj argumentoi se në vitin 2012 nuk ishte e njëjta situate. Ajo deklaroi se në atë periudhë vendi i quajtur “Fusha e aviacionit” ishte një fushë me plehra dhe nuk kishte këtë vlerë.

Subjekti shtoi se ish-bashkëshorti kishte pasur dhe shoqëri personin me të cilin kishte shkëmbyer pasuritë, si dhe e klient.

Lidhur me një kredi në shumën 100 mijë euro në vitin 2008 nga ish-bashkëshorti, Imeraj theksoi se kishte qenë vetëm si dorëzanëse në këtë marrdhënie.

Petkoviç e pyeti Imerajn nëse personat për të cilët Gjykata e Romës ka dhënë vendim duke i dënuar për trafikim të qënieve njerëzore dhe prostitucion janë ish-bashkëshorti i saj dhe ish-kunati.

“Për rrethanat mund të flasin vetë dy personat”, pohoi Imeraj dhe ritheksoi se vetë prokuroria kishte kërkuar pafajësi në apel dhe kjo gjykatë kishte vendosur pafajësi me vendim të formës së prerë. Ajo risolli në vëmendje argumentet e parashtruara të mërkurën lidhur me cilësimin e personave të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas subjektit, kur ka vendim pafajësie të formës së prerë, personi i gjykuar nuk mund të cilësohet i përfshirë në krimin e organizuar. Për një emër tjetër të paraqitur në këto dokumente, Imeraj tha se nuk e dinte se cili ishte.

Në pjesën më të madhe të seancës, Imeraj paraqiti rrethana dhe dokumente të cilat i përdori në funksion të pretendimit se hetimi administrativ paraprak i kryer nga trupa e KPK-së kur relatore e çështjes së saj kishte qenë Genta Tafa Bungo, kishte qenë tendencioz. Ajo çka parashtroi prokurorja Imeraj ngjante me një skemë “komploti” ndaj saj, ku si shkak u shpreh se mendonte se ishte konflikti i vitit 1999 mes Bungos dhe ish-bashkëshortit kur ai kishte qenë student dhe ishte përjashtuar prej saj.

Po ashtu, subjekti paraqiti rrethana të dy procedimeve penale, ku në njërin prej tyre tha se kallëzuese ishte një punonjëse e KPK-së. Sipas Imerajt, në hetimin e kallëzimit të punonjëses së KPK-së,  paraqiteshin rrethana se Bungo e sulmonte jo vetëm për shkak të konfliktit me ish-bashkëshortin, por edhe për paragjykimet që kishte për “veriorët”.

Subjekti sqaroi se gjatë hetimit të kallëzimit të shtetases A.M. ishte evidentohej se ajo konstatonte se Bungo e kishte inat Imerajn dhe se kishte bërë presion në SHISH dhe në DSIK për ta dëmtuar atë. Ajo shtoi se kjo e dhënë përkon me kërkesën e KPK në kohën kur Bungo ishte relatore, drejtuar DSIK ku kërkohej raporti i hartuar për Imerajn nga një prej punonjësve.

Imeraj deklaroi se email-i që i kishte drejtuar vëzhguesit ndërkombëtar Hans Klijstra ku kishte ngritur shqetësime për hetimin adminsitrativ të përfunduar fillimisht vetëm për pasurinë, ishin vërtetuar nga këto fakte të evidentuara në vijim.

Ajo e cilësoi të padrejtë fajësimin e saj përse nuk kishte bërë të njohur një konflikt të ish-bashkëshortit të vitit 1999 kur ai kishte qenë student, ndërkohë që kishin lidhur martesë në 2007-ën dhe nuk kishte pasur asnjë dijeni. Ndërsa sipas saj, Bungos që kishte qenë pjesë e konfliktit nuk i ishte thënë asgjë pse nuk kishte deklaruar papajtushmërinë për ë qenë pjesë e trupës.

Imeraj deklaroi se hetimi ndaj saj ishte kryer vetëm për një kriter, si në asnjë rast tjetër sipas saj dhe e konsideroi të paragjykuar procesin deri në momentin kur Bungo kishte qenë relatore.

Subjekti pretendoi se kishte mjaft rrethana që tregonin se denoncuesit anonim kishin akeses në hetimin dhe vendimarrjet e kryera nga Komisioni në procesin e saj të vetingut. Ajo vërejti se informacionet nga personat anonim dërgoheshin pikërisht në momentet e vendimarrjes. Sipas Imerajt, në një rast ishte dërguar email ku pretendohej se kishte punësuar familjarët e tre anëtaëve të KLP-së dhe se këta të fundit ishin gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.

Prokurorja Imeraj sqaroi se megjithëse ONM i kishte kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të hetonte këtë situatë, ishte vendosur pushimi i çështjes pasi nuk ishte konstatuar konflikt interesi. Ajo shtoi se email-i tjetër kishte mbërritur përpara se KPK të shpallte vendimin ku thuhej se trupa që përfundoi procesin e saj të rivlerësimit e kishte konfirmuar dhe se komisionerët duhej të ndiqeshin penalisht. “Duket me ngarkesë ndaj KPK pasi i quan eunukë anëtarët e KPK-së”, u shpreh Imeraj lidhur me përmbajtjen e një prej email-eve.

Për dorëheqjen Çiftjas Imeraj deklaroi se vetë ajo komisionere nuk ka pretenduar të jetë ndikuar, pasi ka sqaruar se vendimin për t’u larguar nga trupa e ka marrë duke pretenduar se të afërm të saj i kanë thënë se subjekti ndihej i shqetësuar. 

Imeraj tha se patjetër që ishte e shqetësuar, se të gjithë subjektet e rivlerësimit ishin të shqetësuar gjatë procesit të tyre.

Duke e konsideruar ankimin e Komisionerit të bazuar në relacionin e KPK të hartuar nga Bungo dhe të nënshkruar prej kësaj të fundit dhe nga Çiftja, Imeraj kërkoi që të mos konsiderohet. Sipas saj, pavarësisht se relacioni i KPK nuk është një akt administrativ, është hartuar në kushtet e konfliktit të interesit dhe ka sjellë pasojë ndaj saj. “Nuk mund të orjentoheni dhe të bazoheni në këtë akt”, pohoi Imeraj.

Ajo u qëndroi shpjegimeve të një dite më parë për pasurinë duke pretenduar se nuk rezulton të jetë pronare apo bashkëpronare në ndonjë pasuri. Edhe për pastërtinë e figurës, profesionalizmin dhe etikën pretendoi se nuk kishte asnjë gjetje të bazuar në rrethsana faktike që mund të përbënte shkak për t’u konsideruar. Po ashtu, Imeraj kërkoi që të administrohen si prova gjithë dokumentet e dorëzuara prej saj në funksion të kundërshtimit të shkaqeve të ankimit të Komisionerit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *