Entela Shedula në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

“Deklarimet e mia janë në unitet”: Entela Shedula kërkon rikthimin në detyrë

Gjyqtarja e Kavajës, Entela Shedula i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që ta rikthente në detyrë gjatë seancës së të martës, ndërsa u qëndroi shpjegimeve të saj të mëparshme për burimet e pasurive të saj familjare.

Shedula paraqiti në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e saj në funksion të dy pyetjeve të relatorit të çështjes, gjyqtarit Sokol Çomo, lidhur me kreditë e marra në fillim të viteve 2000, për të cilat ka deklaruar se kanë shërbyer si një prej burimeve për ndërtimin e një shtëpie, pasuri për të cilën është konkluduar balancë negative.

Entela Shedula, e cila mbante pozicionin e kryetares së Gjykatës së Rrethit Kavajë, u shkarkua nga KPK më 4 qershor pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture. Po ashtu, u konstatuan deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë. Shedulës nuk iu gjetën probleme në kriterin e profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës.

Në seancën parardhëse më 14 shtator, KPA pranoi si prova të reja dy vendime gjykate që detyronin kompanitë ku kishte punuar bashkëshorti që të paguanin sigurimet shoqërore dhe tatimet mbi të ardhurat.

Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në konkluzionet përfundimtare, Shedula pranoi se kreditë e marra për ndërtim të një shtëpie tre katëshe ishin shënuar për qëllim biznesi, por ajo ritheksoi se në deklarimet vjetore, si dhe gjatë hetimit administrativ, e kishte bërë të qartë se ato ishin përdorur për ndërtimin e shtëpisë. Subjekti sqaroi se arsyeja përse ishin shënuar për qëllim biznesi, ishte pasi në atë periudhë fondi “Besa” nuk jepte kredi për ndërtim banese, por vetëm për aktivitet tregtar.

Lidhur me pyetjet e relatorit Çomo, subjekti këmbënguli se, megjithëse në deklaratën “veting” ishin shënuar dy kredi, bashkëngjitur ishin vendosur dokumente për katër kontrata. Sipas saj, pasaktësia e mosdeklarimit të dy kontratave të tjera ishte i paqëllimtë, pasi ato ishin sqaruar më parë edhe pranë ILDKPKI-së. “Gjithë deklarimet e mia janë në unitet”, pohoi Shedula.

Ajo sqaroi se pagesat për shlyerjen e kredive ishin kryer prej vjehrrit dhe bashkëshortit. Si burim për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, Shedula renditi të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti i tij privat, nga puna në emigracion, pensionet e prindërve të bashkëshortit, të ardhurat nga shitja e një sipërfaqe toke dhe pagat e saj.

Shedula solli në vëmendje edhe vendimet gjyqësore ndaj punëdhësve të bashkëshortit që i detyronin të paguanin sigurimet shoqërore dhe tatimet mbi të ardhurat, akte që u pranuan si provë prej Kolegjit në seancën parardhëse.

Në fund të konkluzioneve, Shedula kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin e saj në detyrë. “E kërkoj dhe nga ana morale, pasi prej 26 vjetësh që e ushtroi detyrën, nuk kam marrë asnjë vërejtje dhe kam punuar me përkushtim e drejtësi,” deklaroi Shedula.

Trupi gjykues i Kolegjit vendosi të tërhqiet për vendimarrje, që do të shpallet të enjten më 22 shtator, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *