Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Andi Civici dhe avokatja Irena Reso para KPK-së.
Analiza KPA Veting

KPA i gjeti të drejta konkluzionet e Komisionit për shkarkimin e Andi Civicit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të pabazuara shkaqet e ngitura nga ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës, Andi Civici ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra. Në vendimin e arsyetuar të Kolegjit paastrohen arsyetimet për rrëzimin e shkaqeve me natyrë procedurale dhe atyre të pasurisë.

Civici u shkarkua nga detyra më 4 mars 2020, pasi iu nënshtrua procesit të vetingut vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas Komisionit, Civici nuk arriti të justifikojë pasurinë e tij të patundshme, të ngritur kryesisht përmes huave dhe transaksioneve financiare me familjarët.

Arsyetimi i trupës së Komisionit për njërën nga huatë u kritikua nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, duke mbajtur qëndrim të ndryshëm për kufirin se deri ku mund të shtrihet hetimi i pasurisë për personat e lidhur me subjektet e rivlerësimit.

Andi Civici e filloi karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2003 si gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, ai u emërua në Apelin e Vlorës, funksion që e mbajti deri në vitin 2016, kur u transferua në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Kolegji i ka gjetur të pambështtura pretendimet e subjektit se vendimi i Komisionit ishte I cënueshëm për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit procedural.

Po ashtu, ka rrëzuar si të pabazuara shkaqet e ngritura në kriterin e pasurisë, kryesisht ato lidhur me një apartament të blerë në Tiranë në vitin 2012 pë vlerën 155 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Civici ka deklaruar shumën prej 113 mijë euro të përfituar nga shitja e një apartamenti në qytetin e Vlorës në vitin 2011 dhe huan prej 42 mijë eurosh nga vjehrri D.H..

Komisioni ka konkluduar se gjyqtari Civici nuk ka provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit lidhur me burimin e ligjshëm të të ardhurave të huadhënësve, që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Vlorë në vitin 2003, vlera e shitjes së të cilit është deklaruar si burim për banesën në kryeqytet.

Po ashtu, KPK ka argumentuar, ndër të tjera, se Civici mund të ndodhet në kushtet e pamundësisë për të provuar në këtë kohë pagimin e tatimit përkatës të të ardhurave të huadhënësit dhe se gjendja e fondeve që ai ka pasur në bankë nuk provon se të ardhurat janë të ligjshme. Sipas Komisionit, të ardhurat nga ushtrimi i aktivitetit privat të avokatit të huahdënësit nuk do të ishin të mjaftueshme për dhënien e huas.

Civici i kundërshton në ankim konkluzionet e Komisionit duke argumentuar se dy huat për blerjen e apartamentit në Vlorë janë marrë në vitin 2003, përpara se ai dhe bashkëshortja të emëroheshin në detyrë. Sipas tij, këto marrdhënie provohen nga deklarata fillestare e pasurisë për vitin 2003, sikurse edhe nga deklaratat noteriale të huadhënësve. Ai ka këmbëngulur se mundësia financiare e vjehrrit vërtetohet nga llogaritë bankare, regjistrimi në organet tatimore dhe ushtrimi i aktivitetit si avokat.

Subjekti ka parashtruar se prindërit e bashkëshortes kanë pasur në llogarinë e tyre bankare deri në vitin 2004 vlerën prej 11 milion e 850 mijë lekësh dhe jo 6.5 milionë lekë si e ka përllogaritur Komisioni.

Subjekti ka theksuar se mundësia financiare e huadhënësit tjetër vërtetohet nga një procedim penal, ku ai ishte viktimë e veprës penale për ngjarje që ka pasur për objekt të ardhurat nga kambizmi. Sipas Civicit, të ardhurat vërtetohen edhe nga një artikull gazete i vitit 1998 lidhur me grabitjen e disa kambistëve, mes tyre dhe huadhënësit Th.M..

Civici ka dorëzuar në Kolegj edhe akte të tjera nga institucionet tatimore në cilësinë e provës, për të cilat ka sqaruar se ka marrë dijeni për ekzistencën e tyre pas shpalljes së vendimit, duke argumentuar se ato hedhin dritë mbi ligjshmërinë e të ardhurave të dy huadhënësve.

Pavarësisht pretendimeve të Civicit, trupi gjykues i Kolegjit e gjen të drejtë e të bazuar konkluzionin e Komisionit, se subjekti nuk arriti të provojë plotësisht ligjshmërinë e burimeve të cilat kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Vlorë.

Kolegji vëren se aktet e reja të sjella nga subjekti i rivlerësimit, ndonëse provojnë vazhdimësinë e ushtrimit të aktivitetit privat të vjehrrit, e arrijnë të konfirmojnë mundësinë financiare të tij për dhënien e huas, në vlerësimin tërësor, nuk do të kishin ndikim në lidhje me burimin e krijimit të pasurisë shkak ankimi. Kjo, pasi sipas trupit gjykues të KPA, nuk është arritur të provohet mundësia e krijimit të të ardhurave me burime të ligjshme të huadhënësit tejtër Th.M., për vlerën 3 milionë lekë.

Lidhur me të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shitja e apartamentit në Vlorë në vitin 2011 një të afërmi të subjektit, për vlerën 16.8 milionë lekë, KPK ka konkluduar se Civici nyk ka vërtetuar të kundërtën e rezultateve të hetimit paraprak për fiktivitet në lidhje me këtë transaksion. Sipas KPK, nuk ka ka gjurmë dokumentare të transferimit të shumës prej 16.8 milionë lekësh nga blerësi E. K. te subjekti, apo sesi është transferuar kjo vlerë nga Shqipëria në Itali ku ketonte dhe punonte i afërmi ish-gjyqtarit.

Në vlerësimin e tij, Komisioni ka marrë në konsideratë edhe gjendjet bankare të blerësit, që nuk provojnë disponimin e kësaj shume në vitin 2011, si dhe faktin se të ardhurat e dokumentuara të E.K. për periudhën 1999 – 2011 janë në vlerën 1 milion e 872 mijë lekë që nuk vërteton mundësinë financiare.

KPK ka vlerësuar se çmimi i shitjes së apartamentit në vlerën 16.8 milionë lekë nuk është real, pasi është dy herë më i lartë sesa çmimi i referencës për qytetin e Vlorës në vitin 2011, sipas udhëzimit të Entit Kombëtar të Banesave, EKB. Po ashtu, ka rezultuar se kushëriri i subjektit e ka rishitur pas dy muajve për vlerën 4.8 milionë lekë.

Civici ka kundërshtuar vlerësimin e Komisionit, duke argumentuar ligjshmërinë e transaksionit sipas dispozitave të kohës, ku sipas tij në kontratën e shitjes është përcaktuar shkëmbimi i shumës jashtë zyrës noteriale.

Sipas subjektit, çmimi i shitjes nuk mund të llogaritet referuar standardeve të EKB-së, pasi nuk ka lidhje me realitetin e çmimeve në shitblerjen e tregut të lirë duke qenë jashtëzakonisht më i ulët se realiteti. Për të mbështetur këtë pretendim, subjekti ka referuar dy kontrata porosie dhe një kontratë shitjeje në qytetin e Vlorës, që datojnë në të njëjtën periudhë kohore të shitjes së apartamentit nga subjekti i rivlerësimit.

Për sa përket rishitjes brenda dy muajve nga ana e blerësit, Civici ka parashtruar se kushëriri E.K. ka qenë i nxitur nga rrethana shëndetësore të papritura dhe të vlerësuara të rënda në atë kohë.

Subjekti ka kundërshtuar edhe kontrollin e ligjshmërisë së kushëririt, duke theksuar që është në tejkalim të barrës së provës që duhet të mbajë ai sipas ligjit. Ai ka referuar në vëmendje të turpit gjykues një sërë vendimesh të Kolegjit.

Pasi ka shqyrtuar pretendimet e Civicit, KPA ka arritur në përfundimin se konkluzioni i Komisionit për këtë transaksion, është i drejtë. “Subjekti i rivlerësimit ka kryer transaksion fiktiv për vlerën e shitjes së apartamentit, për të justifikuar burimet e ligjshme që kanë shërbyer për krijimin e apartamentit në Tiranë”, shprehet KPA dhe rrëzon si të pabazuar edhe pretendimin tjetër të subjektit se i është kaluar barrë prove në tejkalim të legjislacionit në fuqi duke konsideruar kushëririn si person tjetër të lidhur.

“Komisioni nuk e ka kategorizuar këtë individ si person tjetër të lidhur. Pamundësia financiare e z. K. është një ndër aspektet e analizuara nga Komisioni në kuadër të besueshmërisë së transaksionit financiar të blerjes së apartamentit nga subjekti. Në kushtet e rishitjes së të njëjtës pasuri brenda disa javëve me humbje të konsiderueshme, Komisioni rezulton se ka analizuar mundësitë financiare të z. K. njëkohësisht me aspektet e tjera të transaksionit, që paraqesin një panoramë fiktiviteti, sikurse marrëdhënia e afërt mes subjektit të rivlerësimit dhe blerësit, mungesa e gjurmëve dokumentare të këtij transaksioni apo mungesa e fondeve në dispozicion të blerësit, të cilat mund të ishin argumentuar se kanë shërbyer për blerjen”, argmenton Kolegji dhe vëren se në të njëjtin kuadër është vlerësuar çmimi relativisht i lartë i shitjes nga subjekti, krahasuar me atë të referencës dhe atë të shitjes në vijim një individi të tretë.

Nisur nga fakti se vlera e shitjes së apartamentit në Vlorë, përbënë rreth 72% të burimimeve financiare të deklaruara se kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, Kolegji e gjen të bazuar analizën e kryer nga Komisioni.

“Veprimet e kryera nga subjekti në funksion të transaksionit të shitjes paraqiten fiktive dhe kanë për qëllim të justifikojnë me burime të ligjshme krijimin e pasurisë në Tiranë, në rrugën “{***}”. Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues i Kolegjit konkludoi që subjekti i rivlerësimit nuk provoi vërtetësinë e çmimit të deklaruar të transaksionit financiar, në shumën prej 16.800.000 lekësh”, citohet në vendim.

Civici ka kundërshtuar edhe bilancin negativ në shumën 879 mijë lekë të konstatuar nga KPK për shpenzimet e tjera gjatë periudhës 2003-2016.

Kolegji shprehet se, pavarësisht nga vlera negative që përftohet mbi bazën e korrigjimeve, për shkak të problematikave të tjera serioze në formën e mungesës së burimeve të ligjshme për të dhënë huat dhe të fiktivitetit në transaksionin e shitjes së pasurisë së paluajtshme, nuk ka vend të zbatohet parimi i proporcionalitetit për balancën negative.

Kolegji e ka gjetur të panevojshme të ndalet në argumentet e subjektit në ankim lidhur me mendimin paralel të vëzhguesit ndërkombëtar për një hua, duke parashtruar si argument ekonominë gjyqësore.

“Në kushtet kur mendimi paralel i vëzhguesit, lidhur me dhurimin e 42.000 eurove nga personi tjetër i lidhur [z. H., vjehrri i subjektit të rivlerësimit], nuk ka passjellë asnjë veprim procedural që do t’i nënshtrohet kontrollit rishikues të Kolegjit, konkluzioni i Komisionit për pranimin si të mirëqenë të mundësisë së krijimit të këtyre fondeve nga personi tjetër i lidhur, konsiderohet se ka mbetur në fuqi”, argumenton KPA dhe ka vendosur të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit Andi Civici.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *