KPA pezullon hetimin disiplinor ndaj Luan Dacit

Uncategorized
Gjyqtari hetues çështjes, Ardjan Hajdari ka vendosur të pezullojë procedimin disiplinor të nisur ndaj kolegut Luan Daci të dënuar me vendim të formës së prerë për falsifikim, derisa Gjykata e Lartë të ketë një vendimarrje për çështjen penale në ngarkim të tij.  

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të enjtes se ka vendosur të pezullojë hetimin disiplinor të nisur ndaj një prej anëtarëve të tij, gjyqtarit Luan Daci, pas dënimit me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 1 vit burg me kusht, për falsifikimin e dokumenteve që i mundësuan të ishte pjesë e institucionit më të lartë të vetingut.

Procedura disiplinore ndaj anëtarit të KPA Luan Daci filloi tre muaj pasi ai u dënua me vendim të formës së prerë. Kërkesa për procedim u krye prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në njoftimin e KPA thuhet se, pas nisjes së procedimit disiplinor më 31 maj,  gjyqtari hetues i kësaj çështje, Ardjan Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme, vendosi ta pezullojë këtë hetim deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë për çështjen penale ndaj Dacit për të cilën ka ushtruar rekurs. 

Kryesuese e Komisionit Disiplinor për Dacin është caktuar gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtare gjyqyaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Gjithashtu, Hajdari ka vendosur që të njoftohet me këtë vendim gjyqtari nën hetim disiplinor Luan Daci dhe përgaqësuesit e ONM-së dhe Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit, për zhvillimin e procedimit disiplinor.

Më herët Daci u pezullua nga KPA dhe çështjet në të cilat ai ishte pjesë u rishortuan – por ai vijon të jetë pjesë e Kolegjit. 

Me vendimin e marrë të enjten nga Hajdari, procedura disiplinore që mund të sillte largimin e Dacit nga KPA, tashmë është në varësi të vendimarrjes së Gjykatës se Lartë.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

Prej korrikut 2020, ai është pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.