Gjyqtari Bib Ndreca në KPK. Foto: BIRN.
KPA Lajme

KPA rikthen në detyrë gjyqtarin Bib Ndreca

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 22 maj vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca. Sipas KPA, vendimarrja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e Ndrecës nuk ishte i bazuar dhe duhej ndryshuar.

KPK vendosi më 18 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Bib Ndreca, pasi nuk u konsideruan bindëse shpjegimet subjektit për të ardhurat e vëllait, i cili i kishte dhënë një hua për blerjen e apartamentit. Po ashtu, u konstatuan probleme në kontratën për kalimin e të drejtave për apartamentin, pasi u konstatuar se nënshkrimi i kontratës ishte bërë në mungesë të palës tjetër.

Ndreca e ankimoi në Kolegj vendimarrjen e KPK, duke pretenduar se prej akteve të administruara provohej se nënshkrimi ishte kryer para noterit nga të dy palët në të njëjtin moment.

Po ashtu, Ndreca e cilësoi të padrejtë konstatimin e KPK se kishte ndryshuar deklarime për burimin, duke argumentuar se gjatë shpjegimeve kishte sqaruar se burim përbënte dhe vlera e dividentit të shoqërisë së të vëllait. Ai nënvizoi se kiste deklaruar huanë e marrë nga vëllai, të dokumentuar me akt të kohës, si dhe se huadhënësi kishte pasur në arkën e shoqërisë së tij vlerën 5.8 milionë lekë që mbulonte huanë 5.5 milionë lekë.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo deklaroi se është vlerësuar se Ndreca ka provuar bindshëm marrëdhënien e huasë në vlerën 5.5 milionë lekë me të vëllanë në momentin e krijimit të kësaj pasurise, sikurse dhe kredinë 37 mijë euro të përdorur për shlyerjen e këtij borxhi. Çomo solli në vëmendje kontratën e huasë të vitit 2012, si dhe deklaratën periodike e atë “veting”, në të cilat është pasqyruar marrdhëniea e huamarrjes nga subjekti.

Sipas KPA, nga aktet e administruara në fashikull rezulton se huadhënësi ka disponuar sasi të konsiderueshme likujditetesh si ortak i vetëm i shoqërisë së tij, si dhe se ka ndërthurur interesat financiare individuale me ato të kompanisë.

“Në funksion të verifikimit të burimit të huasë së deklaruar në deklaratën ‘veting’, trupi gjykues pati në konsideratë burimet e mundshme financiare në dispozicion të personit të lidhur, në një periudhë të afërt kohore me dhënien e huasë, përfshirë këtu tërheqjen e dividentit në vitin 2011, pagat e përfituara si dhe të ardhurat e shoqërisë, që mundësojnë huadhënien e vlerës 5.5 milionë lekë në datën 29 maj 012, edhe pa përfshirë të dhënat individuale të vëllait”, tha ndër të tjera kryesuesi Çomo.

Kolegji vlerëson se parregullsitë në dukje në evidentimin e pasqyrimit të likujditeteve dhe lëvizjes mes ortakut dhe shoqërisë i atribuohen huadhënësit.

Sipas KPA, rezulton se subjekti ka marrë gjithë hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimin e tij si subjekt deklarues e më pas si subjekt rivlerësimi – në kushtet kur transaksionet kanë lënë gjurmë dhe janë të dokumentuara me akte të kohës.

Për këto arsye, vlerëson se dhe nëse ka pasur mungesa evidentimi apo parregullsi të pasqyrimit të likujditeteve nga huadhënësi, ngarkimi përgjegjësisë për këto rrethana gjyqtarit Ndreca, do të ishte disporporcional dhe se shkon përtej qëllimit të ligjbërësit. KPA konkludon se huadhënësi ka pasur burime të ligjshme për shumën 5.5 milionë lekë.

Kolegji u shpreh edhe lidhur me kundërshtimin e subjektit të konstatimit të Komisionit për veprime aktive në mungesë të palës tjetër gjatë nënshkrimin të kontratës së shitblrjes së apartamentit. Sipas KPA, Komisioni nuk rezulton ta ketë shoqëruar këtë konstatim me një pasojë konkrete.

Në përfundim, Kolegji vlerësoi se vendimi i KPK për Ndrecën nuk ishte i bazuar dhe e ndryshoi, duke e rikthyer në detyrë këtë subjekt rivlerësimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *