Gjyqtarja Saemira Hila dhe trupa që kreu rivlerësimin e saj në KPK. Foto:BIRN
KPK Lajme Vendi

KPK e hetoi vetëm për pasurinë, gjyqtarja Saemira Hila kërkon hapje të procesit

Mosdokumentimi i disa transaksioneve në blerjen e një apartamenti dhe mungesa e burimeve vuri në vështirësi gjyqtaren e Lushnjës Saemira Hila. Kjo e fundit dha shpjegime të gjata para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kërkoi hapjen e hetimeve në dy kritere.

Gjyqtarja Saemira Hila dhe trupa që kreu rivlerësimin e saj në KPK. Foto:BIRN

Seanca ndaj gjyqtares së Lushnjës Saemira Hila fillioi këtë të mërkurë me deklarimin e kryesueses së trupës Brunilda Bekteshi, se një kërkesë paraprake për riçelje hetimi në kriterin e figurës dhe profesionalizmit ishte rrëzuar.

Siç tha Bekteshi ajo dhe kolegët, relatorja Pamela Qirko dhe anëtari i trupës Roland Ilia kishin vendosur ta dëgjonin në seancë dhe më pas të merrnin vendim mbi hetimin në dy kriteret e tjera. Bekteshi tha se deri para seancës provat e mbledhura në kriterin e pasurisë arrinin nivelin e provueshmërisë.

Ndërkohë Qirko në relatim vuri në dukje se pas hetimit të KPK dhe problemeve të gjetura Hila rezultonte me bilanc negativ prej 7.1 milion lekësh, i cili thuajse i gjithi lidhej me procedurat e ndjekura në blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Qirko tha se subjektit i ishte kaluar barrë prove mbi kursimet e nënës së ndjerë, kursimet dhe të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni, një huadhënie mes bashkëshortit dhe vëllezërve dhe transaksionet bazuar mbi kursimet 67 mijë dollarë që familja kishte pasur.

Hila në përgjigje të kësaj barre prove këmbënguli se të ardhurat dhe burimet e saj financiare ishin të ligjshme. Ajo kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket analizës financiare te prindërve dhe solli sipas saj prova mbi të ardhurat e bashkëshortit si emigrant në Itali.

Hila pranoi disa pasaktësi në deklarime. Ajo pranoi edhe se përfshirja në një transaksion të koklavitur me një palë të tretë për blerjen e shtëpisë, e bërë sipas saj në nxitim, kishte qenë një gabim, por pretendoi se detajet tregonin se paratë e përdorura në transaksionin ishin prej kursimeve të saj dhe bashkëshortit.

Saemira Hila e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Lushnjës.

Hetimi mbi burimet e blerjes së apartamentit

Një apartament 112 metra në Tiranë, ishte pasuria kryesore e gjyqtares, i deklaruar si i blerë me kursime të vëna nga prindërit, bashkëshorti dhe ajo vetë, të ardhurat nga shitja një apartamenti në Lushnje, të ardhurat e bashkëshortit nga kthimi i huave që ai u kishte dhënë vëllezërve dhe një kredi bankare.

Zanafilla e burimeve sipas relatimit të Qirkos ishte një shumë mbi 1 milion lekë e kursyer në bankë që nëna e subjektit kishte lënë trashëgim asaj dhe të atit. Qirko tha se për shumën në fjalë, që ishte vendosur në llogari të subjektit dhe bashkëshortit pas vdekjes së nënës, prindërit nuk kishin pasur burim të ardhurash duke thënë se ato kishin një periudhë të gjatë në pension.

Por gjyqtarja e kundërshtoi këtë gjetje. Ajo relatoi situatën familjare dhe tha se KPK nuk kishte përfshirë në analizën e të ardhurave të prindërve të ardhurat e saj deri në dhjetor 2003 kur ajo ishte martuar. Ajo tha se e ëma kishte punuar në bankë dhe se prindërit, që nuk kishin pasur fëmijë tjetër veç saj, kishin pasur punë të tilla që u kishin mundësuar llogari kursimi që herët. Ajo këmbënguli se edhe pse shumën e kishte trashëguar bashkë me të atin, ky i fundit jetonte me të në atë kohë dhe se kishte dhënë pëlqimin që paratë të kalonin në llogari të dhëndrit dhe saj.

Qirko vuri në dukje se të ardhurat e bashkëshortit që po ashtu ishin vendosur në një llogari kursimi në vitin 2004 nuk kishin të provuar pagesën e tatimeve në Itali. Hila këmbënguli se kishte sjellë dokumente që provonin se i shoqi kishte qenë i siguruar në punë në Itali, një kontratë me punëdhënësin që i garantonte banesë pa pagesë dhe të ngjashme. Në shkëmbim më vëzhguesin ndërkombëtar Francesco Ciardi, ajo tha se kishte sjellë dokumente shtesë sa i përket të ardhurave të bashkëshortit si emigrant dhe tha se ishte në pritje të apostilimit të tyre dhe se KPK i kishte tashmë të noterizuara. Sipas saj në një nga përgjigjet një institucion italian vinte në dukje se i shoqi nuk kishte detyrime tatimore të papaguara.

Gjetjes së Komisionit se të ardhurat nga shitja e apartamentit në Lushnje pas vdekjes së babait të subjektit nuk und të shërbenin në blerje pasi ishin përdorur në shlyerjen e kredisë, Hila tha se këtë kishte pasur parasysh edhe në deklarimin veting. Ajo iu referua disa herë deklarimeve vjetore që sipas saj qartësonin situatën e krijuar, megjithëse siç pranoi nuk kishin qenë mjaftueshëm të detajuara.

Nga sa doli prej relatimit problemi kryesorë i Hilës mbi burimin rridhte nga mungesa e dokumentimit dhe deklarimet kontradiktore sa i përket një huaje që bashkëshorti u kishte dhënë vëllezërve për të blerë një shtëpi dhe tokë në fshatin Plug. Qirko tha se deklarimet e subjektit në deklaratat periodike nuk përputheshin me deklarimin e bërë nga vëllezërit e bashkëshortit në vitin 2015 as në kohë dhe as në detaje të tjera.

Hila pranoi në fjalën e saj mospërputhjet, por tha se kunetërit kishin gabuar për shkak të kohës së kaluar, ndërsa iu referua deklarimeve të saj vjetore në këtë pikë si sqaruese.  Ajo këmbënguli se nuk kishte pasur mundësi ti deklaronte këto hua në vitin e parë pas martesës për shkak të problemeve familjare, por se i kishte deklaruar ato sapo ishte vënë në dijeni nga bashkëshorti në vitin 2005.

Operacioni i koklavitur në blerjen e shtëpisë

Të ardhurat nga burimet më sipër, shtesat në kursime dhe investimet në bono thesari dhe interesat bankare, ishin në vitin 2010 në një llogari bankare prej 67 mijë dollarësh. KPK thotë se kjo shumë u deklaruar nga subjekti si shuma e përdorur për të paguar këstin e parë 25 mijë euro dhe atë të dytë prej 20 mijë euro. Kësti i tretë i shtëpisë prej 37 mijë eurosh u pagua me marrjen e një kredie bankare.

Por KPK tha se nga hetimet rezultonte se para se të paguhej kësti i parë dhe i dytë shumë prej 67 mijë eurosh ishte tërhequr nga banka nga një person me prokurë nga Hila dhe bashkëshortit. Sipas komisionit personi në fjalë me inicialet S.Q, supozohej të kishte paguar këstet e apartamentit në emër të familjes, e cila në këtë kohë kishte udhëtuar në Itali.

Komisioni tha se kishte mungesë dokumentimi të procesit dhe se në ditën e pagesës së këstit të parë, bazuar në kontratë, shuma në bankë nuk ishte prekur. Kjo e vendoste Hilën në pozitë të vështirë dhe me mungesë të theksuar burimesh të ligjshme.

Gjyqarja në fjalën e saj shpjegoi me detaje, përfshi data dhe lëvizje bankare atë që kishte ndodhur. Ajo tha se kishte udhëtuar në Tiranë, ku ishte takuar me F.Q dhe S.Q dhe një familje tjetër me qëllimin për të biseduar për blerjen e një apartamenti. Sipas saj tre familjet me marrëdhënie miqësore kishin vendosur të blinin në të njëjtin pallat në mënyrë që të mund të ishin fqinjë pas transferimit në Tiranë.

Hila tha se gjatë bisedimeve ndërtuesi, i cili u kishte dhënë ulje çmimi për shkak se po shiste tre apartamente, u kishte kërkuar me ngul pagesën e këstit 25 mijë dollarësh në atë moment. Gjyqtarja tha se nga të tre çiftet vetëm F.Q i cili punonte në kursin e këmbimit kishte para cash me vete për të mbuluar pagesat. Sipas saj atë ditë ajo dhe bashkëshorti huazuan nga miqtë shumën 25 mijë euro dhe me tu kthyer në Lushnje bënë prokurë në emër të gruas së huadhënësit duke i kaluar të gjitha tagrat mbi llogarinë e kursimit dhe po ashtu edhe tagra për të proceduar me dokumentet për kredinë, për shkak se ata do të ishin në Itali. Ajo tha se gjithçka ishte kryer në mirëbesim dhe duke qenë se F.Q kishte mundësi t’i përdorte paratë në tregun e këmbimit valutorë në fund të vitit.

Ajo tha se lëvizjet e bëra më pas në bankë nga S.Q tregonin se këto para ishin përdorur për këtë qëllim dhe se ajo nuk e kishte deklaruar huanë sepse ajo kishte qenë e tillë vetëm për një fundjave duke qenë se ata i kishin kaluar çiftit të miqve të drejtat mbi llogarinë e tyre të kursimit.

Anëtari i KPK Roland Ilia e pyeti gjyqtaren se pse nuk kishte përdorur statusin e saj si gjyqtare për të fituar kohë para ndërtuesit. Hila u përgjigj se nuk e kishte përmendur asnjëherë pozicionin si gjyqtare në transaksionet me shtëpinë dhe se nuk besonte që ndërtuesit e pasur impresionoheshin nga ky status.

Relatorja vuri në dukje edhe probleme me dy makina dhe një problem me trashëgiminë e lënë nga babai, përfshi një shtesë në shtëpinë në Lushnje dhe një shumë 900 mijë lekë në kursime. Hila tha se nuk kishte pasur dijeni për kursimet e të atit dhe kishte mësuar për to vetëm pas vdekjes. Ajo tha se ato ishin të ardhurat nga pensioni, që babai nuk i kishte harxhuar sa kohe jetonte me të dhe bashkëshortin e saj. Ajo dha po ashtu të njëjtin shpjegim për shtesën, ndërkohë pranoi si pasaktësi disa mosdeklarime, por këmbënguli se ato nuk ishin të tilla nëse shikoheshin proporcionalisht. Në fund ajo dorëzoi dokumente shtesë dhe kërkoi rihapje të hetimit. KPK caktoi seancë në 5 nëntor në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *