Gjyqtari i pezulluar  i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

KPA rifillon hetimin disiplinor ndaj Luan Dacit

Gjyqtari hetues, Ardian Hajdari ka rifilluar hetimin disiplinor ndaj Luan Dacit pas refuzimit nga Gjykata e Lartë të rekursit kundër vendimit të formës së prerë të dënimit të tij për falsifikim të dokumenteve.

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari vendosi më 29 tetor që të rifillojë hetimin disiplinor ndaj kolegut të tij, Luan Daci, pasi Gjykata e Lartë vendosi që të mos e pranojë rekursin e këtij të fundit ndaj dënimit të formës së prerë për falsifikim dokumentash.

Procesi i shkarkimit për Dacin u inicua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, por u pezullua në korrik nga Hajdari në cilësinë e gjyqtarit hetues të çështjes.

BIRN mësoi se përveç rifillimit të hetimit disiplinor, Hajdari ka vendosur t’i kërkojë Gjykatës së Lartë vendosjen në dispozicion të vendimin për refuzimin e rekursit. Gjithashtu, Hajdari vendosi që të thërrasë kolegun e tij, Daci mesditën e 1 nëntorit, nëse dëshironte të ushtronte të drejtën për t’u dëgjuar dhe mbrojtur lidhur me situatën e re faktike të përfundimit të çështjes ndaj tij në Gjykatën e Lartë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve të BIRN për procedurën disiplinore ndaj Dacit. KPA sqaroi se përgjigja do të kthehet ‘brenda afatit ligjor’. Ndërsa Daci ishte i paarritshëm për koment.

Rreth tetë muaj pas dënimit të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’ dhe rrëzimit të rekursit nga Gjykata e Lartë një javë më parë, gjyqtari Luan Daci vazhdon të jetë ende pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse i pezulluar nga detyra.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani për falsifikim të dokumenteve. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *