Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Problemet me pasurinë vunë në vështirësi kryegjyqtaren e Gjirokastrës

Albina Spaha, kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës u përball me dyshime për burimin e pasurisë gjatë seancës dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Spaha kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Albina Spaha, kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës gjatë seancës dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:BIRN

Kryegjyqtarja e Gjirokastrës Albina Spaha u përball me një sërë dyshimesh mbi burimin e ligjshëm të pasurive të saj. Në seancën dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të enjten u vu në dukje se ajo nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe kursimet ndër vite. KPK po ashtu gjeti disa shuma në llogari bankare që sipas relatores nuk ishin deklaruar dhe nga analiza financiare rezultoi një bilanc negativ prej 6.3 milion lekësh.

Spaha u mbrojt duke pranuar disa prej gabimeve që i cilësoi si pakujdesi, ndërsa u përpoq të argumentonte se të ardhura të bashkëshortit që nuk ishin njohur nga KPK ishin të ligjshme duke fajësuar kompanitë për të cilat ai kishte punuar se nuk kishin paguar tatimet për pagat e plota.

Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se ajo nuk kishte probleme në kriterin e figurës dhe u vlerësua pozitivisht në kriterin e profesionalizmit. KPK nuk u shpreh për 5 denoncime që kishte marrë por tha se do i shpjegonte në vendim.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të, përbëhet nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko. Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998 në Gjykatën e Tepelenës dhe në vitin 2008 është emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në tetor 2016, Spaha u komandua kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës.

Problemet e apartamentit

Relatorja e çështjes Pamela Qirko vuri në dukje se megjithë raportin pozitiv të ILDKPKI-së, hetimi i KPK-së kishte gjetur probleme në pasuritë e Spahas. Sipas Qirkos vlera e një apartamenti të blerë në Tiranë në vitin 2007 ishte e ndryshme në deklarata të ndryshme  duke variuar nga 44 mijë, 48 mijë dhe 55.3 mijë dollarë.

Po ashtu ajo vuri në dyshim kohën kur apartamenti ishte marrë në dorëzim nga familja e gjyqtares dhe kohën kur ishin kryer pagesat.  Sipas relatores Spaha nuk kishte burime të mjaftueshme për  të justifikuar blerjen e këtij apartamenti.

Spaha shpjegoi se ndryshimi i vlerës kishte të bënte me ndryshimin e projektit fillestar dhe zvogëlimin e sipërfaqes që ata do të blinin. Ajo po ashtu shpjegoi se apartamenti ishte blerë me para në dorë dhe pagesa ishte kryer e gjitha në një kohë para nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes në vitin 2007.

E pyetur nga përfaqësuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Mia Roessingh se ku ishin mbajtur 44 mijë dollarët që ishin deklaruar si kursime të familjes Spaha tha se i kishte pasur ato në shtëpi. Po ashtu në përgjigje të pyetjeve të Roessingh se pse nuk kishte një dokument që provonte pagesën, ajo shpjegoi se kjo kishte të bënte me marrëdhënien shumë të ngushtë me shitësin, një mik i vjetër u bashkëshortit.

“Në kulturën tonë një kontratë e tillë në marrëdhënie familjare dhe miqësore nuk është e nevojshme, madje do thoja se formalizimi do ishte fyes”, tha Spaha, duke shpjeguar se mes bashkëshortit dhe shokut marrëdhëniet ishin ende shumë të mira.

Relatorja tha se Spahës i ishte kaluar edhe për një qiramarrës të apartamentin. Sipas relatores personi që kishte marrë me qira apartamentin në Tiranë nuk kishte burime për të paguar qiranë prej 60 mijë lekësh në muaj.

Spaha e kundërshtoi këtë kalim prove. Ajo tha se personi në fjalë kishte paratë dhe kishte paguar rregullisht qiranë cash, por shpjegoi se kjo ishte marrëdhënie qiradhënie dhe se ajo nuk mund të mbante përgjegjësi për të ardhurat e personit që e kishte marrë me qira apartamentin për 2 vjet.

Ajo që i bëri përshtypje trupës gjykuese ishte fakti se Spaha tha se blerja nuk ishte bërë për shkak të nevojës dhe fakti që apartamenti nuk ishte përdorur për shumë vite duke qenë një investim i ngrirë.

Komisioni po ashtu i kaloi barrën e provës subjektit për një apartament në Tepelenë i cili edhe pse ishte blerë në vitin 1996 ishte rregjistruar vetëm 15 vjet më vonë dhe pa paguar penalitete në hipotekë.

Spaha shpjegoi se apartamenti nuk ishte rregjistruar përshkak se nuk kishte qenë si nevojë, ajo shpjegoi se pagesa e kamatvonesave për rregjistrimin e vonë ishte shmangur pasi kjo kishte qenë politikë e Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe vuri në dispozicion edhe udhëzimin e ZVRPP qendrore për zyrat lokale për banesat ku përfshihej edhe shtëpia e saj.

Analiza financiare

Relatorja ndërkohë vuri në dukje edhe problemet me kursimet e Spahas. Të paktën dy llogari me shuma 42 mijë lekë dhe 83 mijë lekë si llogari page të bashkëshortit nuk ishin deklaruar. Gjyqtarja pranoi mosdeklarimet, por tha se ato ishin pakujdesi.

E padeklaruar ishte edhe pjesa takuese në banesën e prindërve të bashkëshortit, por Spaha pretendoi se ajo ishte ndërtuar nga prindërit e tij dhe nuk ishte konsideruar asnjëherë se kishin pjesë në të.

Ndërkohë relatorja vuri në dukje se ishin gjetur mungesë burimesh për të justifikuar një sërë kursimesh dhe të ardhurash. KPK tha se kishte llogaritur se të ardhurat e ligjshme të gjyqtares për vitet 1994 deri në 2016 ishin 14.7 milion, ndërsa ajo kishte deklaruar 22 milion lekë të ardhura.

Relatorja tha se të ardhurat ishin llogaritur bazuar në dokumentet zyrtare nga tatimet dhe kishin rezultuar të ndryshme nga deklarimet e subjektit.  Sipas analizës finaciare bilanci i gjykatëses rezultoi negativ me 6.3 milion, ndërsa u gjetën bilance negative për një sërë vitesh.

Spaha i kundërshtoi këto gjetje duke kërkuar që të përfshiheshin në analizë të ardhurat e bashkëshortit sipas asaj që ajo kishte deklaruar. E gjendur në një situatë të ngjashme me magjistratë të tjerë Spaha fajësoi kompanitë e ndërtimit që kishin punësuar të shoqin që nuk kishin paguar sigurime dhe tatime për rroga të plota.

Ajo tha se bazuar në Kodin e Punës pagesat deri vonë ishin bërë jo përmes sistemit bankar dhe tha se kompanitë nuk i kishin vënë në dispozicion listëpagesat. Spaha këmbënguli se bashkëshorti ishte paguar më shumë, ajo tha se kishte kontrata të punës që përcaktonin rroga disa herë më të larta se ato për të cilat ishin paguar tatimet dhe se pozicioni i tij si drejtues kantieri ishte mjaft më i paguar se sa ajo që ishte deklaruar.

Spaha tha se nuk ishte përgjegjësi e saj dhe e bashkëshortit që të paguanin tatimet, por e punëdhënësve, duke kërkuar të mos mbahej përgjegjëse për këtë. Ajo pretendoi se me përfshirjen ë këtyre shumave bilanci i saj do të rezultonte pozitiv.

Spaha po ashtu kundrshtoi bilancet negative në dy vite duke kërkuar që në të ardhurat e jetesës të përfshiheshin shpenzimet për shkollimin e djalit në një shkollë private me konvikt në Tiranë dhe ato të transpotit të saj. Duke iu referuar INSTAT ajo tha se këto shpenzime nuk llogariteshin më vete.

Spaha kërkoi konfirmimin në detyrë ndërsa tha gjatë shpjegimeve se kishte punuar me integritet dhe se “kjo është e vetmja gjë që di të bëj”.

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *