Prokurori i Prokurorisë për Krime të Rënda, Edvin Kondili | Foto : LSA
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

Konfirmohet prokurori kandidat për SPAK

KPK konfirmoi në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Edvin Kondili, i cili njëherazi është dhe kandidat për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur me akronimin SPAK.

Prokurori i Prokurorisë për Krime të Rënda, Edvin Kondili | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit,  me trup gjykues  Valbona Sanxhaktarin, Roland Ilia dhe  Xhensila Pine, konfirmoi të premten në detyrë prokurorin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Edvin Kondili.

Kondili është kandidati i dyte për SPAK që konfirmohet në detyrë nga KPK, pas kreut të Prokurorisë për Krimeve të Rënda, Donika Prela. Megjithatë, vendimi për Prelën tashmë është ankimuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Të enjten Kondili pati një seancë dëgjimore pa surpriza në KPK. Ai u vlerësua në të tre kriteret e vetingut, por pikëpyetje u ngritën vetëm sa i përket deklarimit të një shume prej 1.1 milion lekësh, fillimisht si të shpenzuar për blerje shtëpie dhe sërish si të kursyer.

Relatorja e çështjes Xhensila Pine theksoi se në lidhje me këtë problem Kondili, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kishte dhënë shpjegime; ndërkohë, vetë subjekti nuk e sqaroi në seancë këtë çështje, por ai falenderoi trupën gjykuese për punën e bërë dhe u dakordësua me rezultatet e hetimit.

Edvin Kondili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe punon prej vitit 2004 pranë Prokurorisë për Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Kondili është angazhuar si lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *