Prokurori Petref Asllani pas vendimit të KPK. Foto| BIRN
Analiza KPK

Prokurori Petref Asllani u shkarkua për probleme në kriterin e pasurisë

Prokurori i Elbasanit, Petref Asllani u shkarkua nga Komisioni më 14 maj, pasi u evidentuan një sërë problemesh në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për figurën dhe se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.

Asllani rezulton të jetë proceduar penalisht në vitin 2015 për deklarim të rremë e fshehje të pasurisë, bazuar në një kallëzim të ILDKPKI, por një vit më vonë u deklarua i pafajshëm, vendimarrje që u la në fuqi dhe Apeli. Hetimi administrativ i Komisionit ekspozon ndër të tjera dhe konstatime të pabazuara të Gjykatës së Tiranës në vendimarrjen për pafajësinë e Asllanit.

Si burim për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 77.8 m2 në Elbasan në vitin 2012 kundrejt vlerës 3.8 milionë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat në shumën mbi 3.3 milionë lekë nga shitja e një apartamenti në vitin 2010 dhe pjesa tjetër nga pagat.

Subjekti ka deklaruar përdorimin e apartamentit në vitet 2010 dhe 2011, para se ta blinte. Për këtë arsye Komisioni i ka kërkuar të shpjegojë lidhur me deklarimin e këtij apartamenti si adresë vendqëndrimi si dhe me çfarë tagrash e ka përdorur para vitit 2012, kur e ka blerë.

Subjekti ka shpjeguar se në këtë apartament ka filluar të banojë në vitin 2012, pasi e ka blerë. Ai ka shtuar se e ka deklaruar si adresë banimi pasi negocimin për blerjen e kësaj pasurie e kishte filluar në janar të vitit 2010, kur sipas tij, ka paguar dhe një garanci prej 2500 eurosh.

KPK vëren se ky deklarim është i pavërtetuar me ndonjë provë shkresore dhe nuk justifikon deklarimin e adresës së pasurisë si adresë vendqëndrimi tjetër.  Megjithëse i cilëson të pasakta e kontradiktore deklarimet e subjektit për kohën kur ka banuar në këtë apartament, KPK ka vlerësuar të konsiderojë se është blerë në vitin 2012, duke e kryer analizën financiare për këtë periudhë.

Komisioni ka gjetur kontradikta edhe lidhur me çmimin e blerjes. Ndryshe nga çmimi 3.8 milionë lekë i shënuar në kontratën e shitblerjes të shtatorit të vitit 2012, ku thuhet se kjo shumë është likudjuar para nënshkrimit të kontratës, në një deklaratë noteriale të nënshkruar nga shitësi dhe subjekti në qershor të po atij viti thuhet se është parapaguar vlera 30 mijë euro dhe 5000 euro ditën kur është nënshkruar deklarata, ndërsa vlera e mbetur prej 15 mijë euro, do të shlyhej në momentin kur do të realizohej shitja. Sipas deklaratës noteriale, çmimi i shitjes ka qenë 50 mijë euro.

Sipas KPK, çmimi në kontratën e shitjes duket fiktiv, pasi pretendimet e subjektit se deklarata noteriale përshkruante edhe vlerën e apartamentit që do blinte i vëllai, kanë mbetur në nivel deklarativ. Komisioni sjell në vëmendje se deklarata noteriale ishte nënshkruar vetëm nga subjekti dhe pala shitëse, ndërsa nuk kishte asnjë përshkrim të emrit të të vëllait apo për apartamentin tjetër të pretenduar se do blihej nga ky i fundit.

Po ashtu, ka rezultuar një tjetër deklaratë noteriale e 22 shtatorit 2012 e nënshkruar nga nëna e shitësit dhe subjekti, ku deklarohet njohja e detyrimit prej 15 mijë euro. Ndërsa tre ditë më vonë kur është lidhur kontrata përfundimtare e shitjes, çmimi është vendosur i njëjtë sipas atij të referencës së Entit Kombëtar të Banesave.

Sipas KPK, deklarata e nënshkruar tre ditë para aktit të shitblerjes, në të cilën nuk përmentet vëllai i subjektit apo apartamenti tjetër i pretenduar, rezulton të jenë hartuar me qëllim që pala shitëse të sigurohej për pagimin e shumës 15 mijë euro, për të plotësuar çmimin 50 mijë euro, ashtu si është parashikuar në deklaratën noteriale të muajit qershor 2012.

“Ndërsa çmimi prej 3.821.526 lekësh, sipas EKB-së, duket të jetë vënë minimalisht me qëllim evitimin e pagimit të tatimit mbi të ardhurën reale nga shitja”, vlerëson Komisioni dhe shton se vlera prej 3.8 milionë lekësh e vendos subjektin në pozitë më të favorshme për të justifikuar burimet, pasi dhe prej analizës financiare ka rezultuar se ka qenë në pamundësi për shumën 50 mijë euro.

Veç çmimit 50 mijë euro, KPK ka përfshirë në analizë dhe shpenzime mobilimi në shumën 500 mijë lekë, sipas deklarimit të subjektit.

Në vijim Komisioni ka analizuar burimet e krijimit. Para verifikimit të të ardhurave të deklaruara si të përfituara nga shitja e apartamentit në vitin 2010 në shumën 3 milion e 345 mijë lekë, Komisioni ka administruar akte shkresore të një kallëzimi penal në adresë të subjektit, që ka lidhje me këtë pasuri.

Në vendim thuhet se në vitin 2014, ILDKPKI-ja ka paraqitur një kallëzim penal ndaj një gjyqtari dhe subjektit Petref Asllani, për deklarim të rremë në deklaratën para fillimit të detyrës dhe në deklaratat periodike vjetore për vitet 2004 – 2013, të likuiditetit në gjendjen cash në shumën 3 milionë lekë me burim krijimi nga shitja e këtij apartamenti, kur de facto kjo shumë është disponuar nga gjyqtari Qani Hasa, edhe ky i kallëzuar. Po ashtu, në kallëzim është pretenduar për fshehje në deklaratën periodike vjetore 2010 të përfitimit të shumës prej 3 milionë e 345 mijë lekësh nga shitja reale e apartamentit në vitin 2010, si dhe mashtrim në bashkëpunim me Hasën.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim ndaj Asllanit dhe kolegut të tij për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë,…”. Ndërkohë, në maj të vitit 2015, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurimit të pezullimit nga detyra përkohësisht ndaj Asllanit, deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të çështjes penale.

Në përfundim Asllani është deklaruar i pafajshëm, vendim që është lënë në fuqi dhe nga ish-Gjykata e Apelit Tiranë në vitin 2017. Ndërsa Hasa u deklarua fajtor për fshehje pasurie, si dhe u shkakrua nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që solli edhe mbylljen e procesit të vetingut ndaj tij pa një vendim përfundimtar.

Nga shqyrtimi i akteve në dosjen e ILDKPKI-së, Komisioni ka gjetur se subjekti e ka blerë apartamentin në fjalë në vitin 2000 për çmimin 300 mijë lekë dhe në 2001-in, pas pesë muajvve ia ka shitur Entit Kombëtar të Banesave në Elbasan për vlerën 2 milion e 258 mijë lekë.

Ndërkohë, ka rezultuar se gjyqtari Hasa e ka blerë këtë apartament nga EKB si i pastreh, po për çmimin 2 milionë e 258 mijë lekë. Në vitin 2010, gjyqtari Hasa e ka shitur apartamentin për shumën 3 milionë e 345 mijë lekë.

Prokurori Asllani ka deklaruar se banesa që e ka blerë në vitin 2000, për periudhën 2001-2010 ka shërbyer si garanci pasurore për marrjen e një kredie nga familja e Hasës, që kishte përfituar statusin e të pastrehut.

Ai ka thënë se në vitin 2010, shitja është kryer direkt nga familja Hasa, me qëllim që të mos lidheshin dy kontrata shitblerje nga blerësi. Për të mbrojtur versionin e tij, subjekti ka paraqitur një deklaratë të blerësit, sipas të cilit ai kishte blerë banesën ku deri në vitin 2010 jetonte prokurori Petref Asllani që ka qëndruar aty derisa bleu apartamentin e ri në 2012-ën. Blerësi ka deklaruar se ka hyrë të banonte në këtë apartament në vitin 2012, kur dhe ka bërë likujdimin e çmimit.

Komisioni vëren se blerësi nuk pohon që shumën e paguar për blerjen e këtij apartamenti ia ka dhënë subjektit të rivlëresimit.

Në shpjegimet që Asllani ka dhënë në ILDKPKI në vitin 2015, ka deklaruar se shumën prej 3 milionë e 345 mijë lekësh e ka përfituar nga shitja e apartametit në vitin 2012 dhe është përdorur si burim për banesën e re.

“Siç vërehet nga deklarimet në relacion, subjekti lë të kuptohet se pavarësisht se apartamentin në lagjen ‘***’, Elbasan ia ka shitur EKB-së, në vitin 2001, de facto nuk e ka humbur pronësinë mbi të, pasi ka vazhduar ta përdorë deri në vitin 2012 kur bleu apartamentin në lagjen ‘***’ , Elbasan, dhe se të ardhurat nga shitja e pasurisë nuk i ka përfituar shtetasi Q. H. , por subjekti i rivlerësimit”, konstaton trupa e KPK, ndërkohë që evidenton dhe faktin se në vitin 2003 Asllani ka deklaruar gjendje cash në banesë në shumën 3 milionë lekë me burim nga shitja e apartamentit. Gjatë procesit ka deklaruar se në këtë shumë përfshihen dhe kursimet.

Ndërsa në vendimin penal të Gjykatës së Tiranës të vitit 2016, thuhet se është provuar se kjo shumë i është dhënë nga subjekti gjyqtarit Hasa, nisur nga marrëdhëniet shoqërore midis kolegësh që ata kishin, dhe është konsideruar nga gjykata si hua. Gjykata në arsyetim i referohet formularit të deklaratës përkatëse në rubrikën e likuiditeteve.

Komisioni vlerëson se ky konstatim i gjykatës nuk është i bazuar, për shkak se në rubrikën likuiditete të këtij formulari subjekti ka deklaruar vetëm një nga elementët e termit likuiditete, atë të gjendjes cash, duke deklaruar shprehimisht “gjendje cash, 3 milionë lekë, të ndodhura në banesë, me burim nga shitja e apartamentit”, duke mos deklaruar asnjë huadhënie, apo personin të cilit i është dhënë kjo hua.

Në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni konstaton se Asllani ka kryer deklarim të rremë në deklaratën “veting” në lidhje me burimin e të ardhurave nga shitja e apartamentit, pasi në këtë kontratë palë shitëse nuk ka qenë subjekti, por gjyqtari Hasa. Po ashtu, konstatohet se ka kryer deklarime kontradiktore e të pabazuara në akte shkresore.

Për rrjedhojë, të ardhurat e pretenduara nga shitja e apartamentit nuk janë konsideruar si burim për blerjen e apartamentit tjetër.

KPK ka nxjerë probleme dhe në veprimet e kryera për blerjen e apartamentit në vitin 2000. Sipas Komisionit, çmimi blerjes prej 300 mijë lekësh është fiktiv dhe se ai nuk ka justifikuar krijimin e kësaj pasurie me vlerë 2 milion e 258 mijë lekë.

Bazuar në analizën finaciare të Komisionit, Asllani ka rezultuar në pamundësi për blerjen e apartamentit në vitin 2012.

Në përfundim, Komisioni konkludon se subjekti ka kryer veprime fiktive, deklarime të reme e të pamjaftueshme, si për apartamentin e blerë në vitin 2012, ashtu dhe për atë të blerë në 2000-in.

Në vijim, konstatohet se subjekti nuk ka dhënë shpjegime të plota e të qarta se përse ka përdorur një automjet gjatë kohës që nuk e kishte në pronësi.

Pamundësia financiare në shumën 2.8 milionë lekë e konkluduar prej KPK për blerjen e apartamentit në vitin 2012 së bashku me pasaktësitë, mospërputhjet në deklarime, deklarimet e rreme si dhe veprimet fiktive, të rezultuara në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë çmuar si shkaqe për shkarkimin nga detyra të prokurorit Petref Asllani.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *