Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Fiona Papajorgji-kandidate për Gjykatën Kushtetuese

Fiona Papajorgji, e cila punon prej vitit 2011 si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj gjatë viteve 2011-2017.Pas shtatë vitesh punë si këshilltare ligjore, Fiona Papajorgji ka kandiduar për t’u zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ajo do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Olsi Komici.

Paralelisht me punën si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Papajorgji ka ushtruar edhe mësimdhënien në disa universitete private në vend. Ajo zotëron gradën shkencore “Doktor” të marrë në Itali.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e funksionarëve të drejtësisë që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të Fiona Papajorgjit nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurisë së këshilltares në Gjykatën Kushtetuese, Fiona Papajorgji për vitet 2011-2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Fiona Papajorgji zotëronte pasuri me vlerë 9.9 milionë lekë në vitin 2011-kur deklaroi pasurinë e saj për herë të parë. Referuar kësaj deklarate periodike, Papajorgji zotëronte një apartament, dy automjete dhe kursime të depozituara në llogari bankare.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e znj. Papajorgji është thuajse dyfishuar, duke kapur një vlerë prej 19.1 milionë lekësh. Ajo zotëron likujditete bankare me vlerë 9.4 milionë lekë, ka shtuar pasurinë e paluajtshme me 16 për qind të një apartamenti të përfituar nga  trashëgimia, zotëron automjete në vlerën e 1.6 milionë lekëve si dhe kursime në cash prej 250 mijë lekësh.

Të ardhurat për periudhën deklaruese 2011-2017 janë 15.3 milionë lekë. Të ardhurat nga paga përbëjnë 51 për qind të totalit, ndërsa të ardhurat e bashkëshortit janë 18 për qind. Rreth 13 për qind e të ardhurave kanë si burim një bursë studimi të fituar nga Bashkimi Europian, ndërsa 11 për qind vijnë nga trashëgimia familjare.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 7 vitet e deklarimit të zonjës Papajorgji dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.

Vlen për t’u shënuar megjithatë fakti se të ardhurat e një burse të Bashkimit Europian të fituar pas marrjes së titullit “Doktor” në Itali, subjekti i ka investuar në bono thesari.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *