Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Alma Muça-prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme

Prokurore prej vitit 2013 në Prokurorinë e Përgjithshme, Alma Muça do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Alma Muça, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme do të përballet të enjten në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen hetimin administrativ për Muçën përbëhet nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Valbona Sanxhaktari.

Alma Muça e ka filluar karrierën në sistemin e akuzës në vitin 2001, fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2013, ajo është emëruar prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, ku vazhdon të ushtrojë detyrën edhe sot.

Në shkurt të vitit 2017, kur mbante postin e kreut të Drejtorisë Gjyqësore, Muça u pezullua nga detyra së bashku me prokurorin Artur Selmani, pas qëndrimit të këtij të fundit për lehtësimin e akuzave ndaj tre të akuzuarve për masakrën e Çoles në Vlorë. Sipas njoftimit të Prokurorisë në atë kohë, Muça në rolin e eprores ishte në dijeni të qëndrimit të Selmanit.

Prokuroria e Përgjithshme nisi në atë kohë edhe një hetim, por tre muaj më pas, Alma Muça u rikthye në detyrë dhe hetimet për të u pushuan.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Alma Muça nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së prokurores Alma Muça nga viti 2003 deri ne fund te vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Muça deklaronte pasuri familjare me vlerë 8.2 milionë lekë në vitit 2003, kur deklaroi për herë të parë pasurinë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit, ILDKPKI.

Referuar deklaratës së vitit 2003, ajo zotëronte një makinë “Renault” me vlerë 200 mijë lekë si dhe deklaronte gjendje cash prej 8 milionë lekësh. Në atë kohë, Muça ishte në të njëjtin trung familjar me prindërit dhe vëllanë, ndaj është e paqartë nëse gjendja cash është pasuri personale apo i përket të gjithë familjes.

Në fund të vitit 2017, pasuria e prokurores Alma Muça është dyfishuar, duke kapur vlerën e 17 milionë lekëve.Pasuria përbëhet nga 6.8 milionë lekë likujditete bankare, një automjet me vlerë 2.1 milionë lekë si dhe kursimet në cash të deklaruara prej vitit 2003 [subjekti nuk ka deklaruar ndryshime në vitet e mëpasme për gjendjen 8 milionë lekë].

Pas ndarjes nga jeta të babait në vitin 2017, subjekti është bërë gjithashtu pronare e një apartamenti banimi, pasi nëna dhe vëllezërit kanë hequr dorë nga pronësia përmes trashëgimisë.

Të ardhurat e prokurores Muça për periudhën deklaruese janë 14.8 milionë lekë. Rreth 83 për qind e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit, ndërsa 11 për qind e zë falja e huasë nga familjarët.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej deklaratave nuk rezulton me probleme.

BIRN ka identifikuar megjithatë si “flamuj të kuq” paqartësinë me pronësinë e gjendjes cash prej 8 milionë lekësh, që subjekti ka deklaruar në vitin 2003 si dhe marrjen e një borxhi prej 2 milionë lekësh për blerjen e një makine nga familjarët. Borxhi është marrë në vitin 2008 dhe në vitin 2010, prokurores Muça i është falur detyrimi prej 1.6 milionë lekësh.

Gjithashtu, në deklaratat e viteve 2011, 2013 dhe 2014 nuk rezultojnë të deklaruara të ardhura nga paga.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *