Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Gentjan Osmani konfirmohet në detyrë

Prokurori i Krimeve të Rënda duket se bindi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për pastërtinë e burimeve të tij ekonomike për blerjen e dy pronave, njëra prej të cilave është financuar nga një dhuratë nga vjerri dhe një hua 20 mijë euro nga kushëriri.

Prokurori i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gentian Osmani. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të përshtatshëm për detyrën që mban prokurorin e Krimeve të Rënda Gentjan Osmani në vendimin e dhënë të Enjten më 2 gusht në Tiranë.

Osmani është përzgjedhur si pjesë e listës prioritare te vetingut për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Procesi i rivlerësimit për prokurorin Gentjan Osmani është bërë të të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Komisioni i udhëhequr nga Firdes Shuli si kryesuese, Roland Ilia si relator dhe Pamela Qirko anëtare, analizoi në detaje historinë e blerjes së dy pronave të familjes së prokurorit, ngriti pikëpyetje mbi një dhuratë kesh në vlerë 1.5 milionë nga vjerri i subjektit dhe një hua në vlerë 20,000 euro në vitin 2009 nga shtetasi A.Ç – kushëri i subjektit me banim prej 20 vjetësh në Itali dhe duket se u bind nga shpjegimet e subjektit duke e konfirmuar atë në detyrë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni që do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë për pjesën e prokurorisë dhe pas themelimit do të duhet të zgjedhë një prokuror të përgjithshëm. KLP do të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët, gjashtë do të jenë nga radhët e prokurorëve të të gjitha niveleve dhe pesë nga juristët joprokurorë.

Procesi i vetingut është duke shqyrtuar aktualisht listën prioritare me 57 subjekte që janë kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë, KLGJ, KLP dhe KED si dhe ata që kanë pozicione të larta. Nga kjo listë deri tani kanë ngelur në veting 24 subjekte, kanë kaluar 21 dhe janë në proces 9 subjekte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *