Të ardhurat ‘e rreme’ dhe pasuritë e patundshme penalizuan gjyqtaren Valbona Seknaj
Analiza

Të ardhurat ‘e rreme’ dhe pasuritë e patundshme penalizuan gjyqtaren Valbona Seknaj

Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shpjegon problemet me pasuritë e patundshme dhe mungesën e të ardhurave të ligjshme të ish-kryetares së Gjykatës Administrative të Shkodrës, Valbona Seknaj (Durraj).  

Kryetarja e Gjykatës Administriave Shkodër, Valbona Seknaj (Durraj) gjatë një seance të KPK-së mër 03.07.2019 | Foto nga : Edmodn Hoxhaj

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Valbona Seknaj (Durraj) u shkarkua nga detyra, pasi u konstatuan një sërë problemesh në kriterin e pasurisë. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Olsi Komici anëtar, e përfunduan rivlerësimin për gjyqtaren Seknaj bazuar vetëm në një kriter.

Në vendimin Nr. 175 të datës 4 korrik 2019, KPK konkludon se Seknaj ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm e të rremë të pasurive, ka mungesë të burimeve të ligjshme për pasuritë dhe shpenzimet; ka kryer fiktivitet në lidhje me dy kontrata noteriale për shitjen e një apartamenti me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore si edhe ka kryer ndërtim të paligjshëm në një truall në Velipojë.  Edhe pse në disa raste janë pranuar disa prej argumenteve të gjyqtares për shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit, analizat financiare kanë rezultuar sërish me balanca negative, duke mos e ndryshuar qëndrimin e Komisionit.

Valbona Seknaj(Durraj) e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998. Për më shumë se një dekadë, ajo ka punuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, ndërkohë që në vitin 2013 u dekretua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, ku mbajti edhe pozicionin e kryetares.

Mungesë burimesh

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, një ndër problemet kryesore që e penalizoi subjektin ishte një apartament banimi me sipërfaqe 115.3 m² në Tiranё, i porositur në dhjetor të vitit 2004 me kontratë të finalizuar në vitin 2013.

Gjyqtarja Seknaj ka deklaruar se ka shpenzuar 81 mijë euro për apartamentin, ndërkohë që vlera në kontratë ishte 78 mijë euro. Komisioni identifikoi pamundësi financiare të familjes Seknaj për blerjen e këtij apartamenti.

Gjyqtarja shpjegoi para Komisionit se si burim për krijimin e kësaj pasurie kanë shërbyer: të ardhurat e krijuara nga biznesi privat i saj dhe i bashkëshortit e më pas nga paga e saj si gjyqtare; të ardhurat nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 66 m2 në Shkodër në vlerën 4.5 milionë lekë; të ardhurat e krijuara nga dhënia me qira e apartamentit në Tiranë në vlerën prej 19.200 euro për periudhën  prill 2006 – prill 2010 dhe një hua e marrë nga vëllai në shumën 10 mijë euro. Për të gjitha këto burime, KPK  evidenton problematika.

Për të ardhurat nga biznesi privat dhe pagat, Komisioni konstaton se subjekti dokumentoi vlera më të ulëta se ato të deklaruarat. Komisioni thotë se i ka kaluar barrën e provës gjyqtares, por sërish prej saj nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm për të ardhurat e deklaruara për periudhën 2004 − 2010.

Sa i përket të ardhurave nga qiraja në vlerën e 19.200 eurove, Komisioni konstatoi se detyrimet tatimore për vitet 2006-2010 ishin paguar në dhjetor 2018 – ndërsa i përfshiu ato si të ardhura të ligjshme në analizën financiare.

Në lidhje me huanë në shumën 10 mijë euro të marrë nga vëllai E.D., KPK gjeti se ky i fundit ka pasur aktivitet të ligjshëm, por nuk provohet nëse ka pasur mjaftueshëm të ardhura.

“Nga analiza financiare e kryer nga Komisioni, u konstatua se subjekti i rivlerësimit ka mungesë burimesh të ligjshme, për periudhën 2004 − 2010, dhe paraqitet me një balancë financiare negative në shumën – 4.284.244 lekë për të justifikuar blerjen e kësaj pasurie,” thuhet në vendim.

KPK e ka ndryshuar këtë shifër pas disa pretendimeve të Seknajt, duke pranuar se udhëtimet në Mal të Zi ishin kryer tek familjarët dhe duhej të ishin përllogaritur me kosto më të ulët. Pas provave të dorëzuara nga Seknaj, Komisioni ka reflektuar në analizën financiare ndryshimet në lidhje me udhëtime drejt Malit të Zi, në mesatarisht 20 euro për çdo udhëtim duke e zbritur balancën negative në 3.997.962 lekë.

KPK identifikoi fiktivitet në dy kontratat me vlera të ndryshme për shitjen e një apartamenti 66 m2 në nëntor të vitit 2004 në Shkodër, të nënshkruara para dy noterëve të ndryshëm. Në njërën prej kontratave rezultonte vlera 3.5 milionë lekë, ndërsa në kontratën e dytë 2 milionë lekë; çka ka ngritur dyshime për evazion fiskal.

Pretendimet e gjyqtares Seknaj se ekzistenca e dy kontratave për të njëjtën banesë me të njëjtat palë ka qenë pasojë e pagimit të çmimit të shitjes me këste dhe se vlera e ndryshme mund të ishte një gabim material i noterit, nuk janë konsideruar bindëse për KPK-në.

“Deklarim i rremë” i të ardhurave

Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të familjes së gjyqtares  për blerjen e një toke-truall me sipërfaqe 360 m² nё fshatin Pulaj në Velipojё, me vlerë të deklaruar prej  881.280 lekёsh në vitin 2012. Seknaj nuk e ka deklaruar burimin e kësaj pasurie në deklaratën veting dhe as në atë periodike të vitit 2012, por deklaroi para Komisionit se ajo rridhte nga kursimet familjare.

Në vendim thuhet se Seknaj ka pasur mungesë burimesh të ligjshme për të blerë këtë pasuri, pasi ka balancë financiare negative për vitin 2012 në shumën e 761 mijë lekëve. Në këtë rast, Komisioni ka pranuar vetëm një prej pretendimeve të gjyqtares Seknaj, atë të shpenzimeve të udhëtimeve dhe duke u ulur ato në shumën 290.618 lekë, të cilat janë zbritur nga llogaria.

Ndërkohë, Komisioni evidenton ndërtim të paligjshëm të një ndërtese dy katëshe me sipërfaqe totale 200 m2 në vitin 2013. Për këtë pasuri, Seknaj ka deklaruar se ishte në bashkëpronësi me pjesë takuese 50% me investitorin N.M., dhe familja e saj kishte vënë në dispozicion vetëm tokën.

Prej verifikimeve të akteve, KPK ka gjetur se aplikues pranë ALUIZN-it Shkodër për legalizimin e objektit ka qenë vetëm bashkëshorti i gjyqtares Seknaj, i cili ka vetëdeklaruar se sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit pa leje ishte 200 m².

Komisioni konkludon se referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB kostoja mesatare për ndërtimin e objektit duhet të ishte minimalisht në vlerën totale prej 6.555.412 lekësh, por situacionet që ka depozituar Seknaj, në total janë me vlera më të ulëta, në shumën totale 5.373.356 lekë. Ndërsa për mobilimin, gjyqtarja ka shpjeguar se është arreduar vetëm një kat nga investitori N.M., por pa deklaruar vlerën dhe kohën kur është kryer.

Komisioni doli në përfundimin se investitori nuk kishte burime të praftueshme për ndërtimin e objektit 2-katësh dhe mobilimin e tij në vlerën e 5281 eurove.

Ndërkohë, të ardhurat e gjyqtares Seknaj të përfituara nga puna si avokate në vitet 1992-1997 kanë qenë një tjetër arsye e ngritur nga Komisioni për shkarkimin e saj. Komisioni argumenton në vendim se të ardhurat nga avokatia janë deklaruar në vlerën e 6.8 milionë lekëve, por subjekti ka arritur të dokumentojë vetëm 1.9 milionë lekë.

Seknaj e ka kundërshtuar analizën financiare të kryer nga Komisioni, duke pretenduar se duhet të përfshihen të ardhurat e përfituara në vite, përfshi edhe për të cilat nuk disponohet dokumentacion për shkak të djegies së arkivës së gjykatës. Ajo ka kundërshtuar marzhin e fitimit prej 80% të llogaritur, duke e konsideruar atë si antiligjor. Por në vendim thuhet se Seknaj nuk shpjegoi bindshëm apo të provonte me dokumentacion se sa kanë qenë të ardhurat nga ushtrimi i aktivitetit si avokate.

“Trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë për të ardhurat e realizuara nga aktiviteti privat i avokatisë, dhe vendosi të mos marrë në konsideratë pretendimet e subjektit në lidhje me këto të ardhura,” thuhet në vendim.

Komisioni konkludon se Seknaj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit të një dyqani me sipërfaqe 46 m² të blerё në datën 21 prill 1997 nga bashkëshorti në vlerën 30 mijë USD. Sipas trupës gjykuese, dyqani kishte sipërfaqe 56 m², nga ku shitёsi në vitin 1997 i ka shitur bashkëshortit të gjyqtares 46 m².

Gjyqtarja ka shpjeguar para Komisionit se kjo pronë është blerë me të ardhurat nga biznesi privat i saj dhe dhe bashkëshortit. Por, nga analiza financiare e kryer për periudhën 1989 − 1997, ka rezultuar se gjyqtarja Seknaj dhe bashkëshorti i saj kanë pasur mungesë burimesh të ligjshme financiare në shumën – 3.473.820 lekë.

Gjyqtarja ka pretenduar se aktiviteti i bashkëshortit ka qenë i ligjshëm dhe i pandërprerë dhe se nuk është përgjegjësi e saj, por e institucioneve, pse mungon informacioni për vitet 1996-1998. Ajo ka kërkuar gjithashtu që analiza financiare të mos shtrihej për vitet kur ajo nuk ishte në funksionin e gjyqtarit, kërkesë e cila u rrëzua nga trupi gjykues.

“Hetimi i të gjitha pasurive të subjektit të rivlerësimit, të deklaruara ose jo bëhet për të përjashtuar çdo mundësi që këto pasuri të jenë krijuar me anë të akteve korruptive gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit, apo abuzimit të çdo forme të saj me detyrën, apo nga veprimtari të tjera të kundërligjshme…,” citohet ndër të tjera në vendimin e KPK-së.

“Në vlerësim të fakteve dhe rrethanave në tërësi, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë në lidhje me të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti privat i bashkëshortit, pasi nuk provoi burimin e ligjshëm për këto të ardhura,” përfundon vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *