Majlinda Tosku | Foto: Ldmond Hoxhaj
Analiza

KPK e shkarkoi ndihmësen ligjore Majlinda Tosku për cenim të besimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 13 shkurt me shumicë votash, të shkarkojë nga detyra ndihmësen ligjore pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Majlinda Tosku, duke konkluduar se ajo kishte cënuar besimin e publikut me veprimet dhe mosveprimet e saj në marrjen dhe shlyerjen e disa kredive para fillimit të detyrës, në nënshkrimin e një kontrate primtim shitje që është konsideruar fiktive, si dhe me qëndrimin e mbajtur gjatë procesit të rivlerësimit të vlerësuar si jobashkëpunues.

Shumica e trupës së KPK e përbërë nga kyesuesja Etleda Çiftja dhe relatorja Firdes Shuli theksojnë në vendim se subjektit e rivlerësimit duhet të kujdesen që sjellja e tyre të jetë në të mirë të funksionit zyrtar edhe jashtë orarit të punës. Hamitaj në pakicë çmon se Tosku duhej të ishte konfirmuar duke arsyetuar se përgjatë gjithë periudhës së analizuar, ajo nuk ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, pasi e ka filluar detyrën si ndihmëse ligjore në vitin 2016, pak muaj para plotësimit të deklaratës “veting”.

Në vendimin e shumicës konstatohet se subjekti ka kryer deklarime të pasakta dhe që bien në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ka deklaruar përdorimin dhe posedimin e një pasurie të paluajtshme, mbi të cilën është sjellë si pronare. Shumica e trupës së KPK vlerëson se Tosku e ka fshehur përdorimin e kësaj pasurie; se nuk ka deklaruar të ardhura të përfituara në rrugë bankare nga dhënia me qira e saj; si dhe nuk ka kryer asnjë deklarim në lidhje me faktin se këto të ardhura nuk i takojnë asaj por nënës, ashtu si ka pretenduar gjatë procesit të rivlerësimit.

Shumica vlerëson se përpjekja për të fshehur ose paraqitur në mënyrë të pasaktë pasurinë në përdorim, përbënë shkak që të zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Në vijim konstatohet se subjekti nuk justifikon me të ardhura të ligjshme likuiditetin në cash prej 1.5 milionë lekësh të shënuar në deklaratën “veting”. Sipas KPK, pamundësia prej 600 mijë lekësh ka ardhur si pasojë e balancës negative para se të ishte subjekt deklarues. “Është e vërtetë që barra e provës nuk i ka kaluar në mënyrë specifike në lidhje me këtë balancë negative, por, duke qenë se kjo balancë ka qenë shkaku i pamundësisë financiare të likuiditetit në cash prej 600,000 lekësh, vlerësohet se subjekti duhet të kishte dhënë parashtrime për ta kundërshtuar atë, e cila më së shumti është afektuar nga konsiderimi i shumave që kanë shkuar për shlyerjen e kredive si shpenzime të saj”, vëren shumica.

KPK vëren se Tosku në mënyrë të përsëritur ka marrë kredi për investime në aktivitete private të cilat nuk rezultojnë të jenë ushtruar prej saj apo familjarëve të saj; se ka kryer në mënyrë të përsëritur deklarime të rreme në formularët e marrjes së kredive; si dhe se nuk vërtetohet destinacioni i përdorimit të shumave të përfituara porej tyre.

Lidhur me këto kredi, shumica shprehet se subjekti ka dhënë deklarime  kontradiktote gjatë procesit të vetingut, rrethana që vlerësohen si një përpjekje e saj për të fshehur qëllimin e vërtetë të marrjes së tyre dhe për të justifikuar veprimet dhe mosveprimet e saj lidhur me këto transaksione.

Nga hetimi është konstatuar se subjekti ka qenë e regjistruar si avokate ndërkohë që ka ushtruar detyrën, megjithëse nuk e ka ushtruar asnjëherë aktivitetin privat, për të cilin vijon të jetë debitore. “[…]Nuk ka bërë asnjë përçapje për çregjistrimin e ushtrimit të tij pas kërkesës që vetë ka paraqitur në QKB në vitin 2009, përkundrazi, e ka përdorur në mënyrë të përsëritur me qëllim marrjen e disa kredive të biznesit, destinacioni i të cilave mbeti i paprovuar sipas parashikimit në kontratat përkatëse të kredive, nëpërmjet veprimeve të cilat konsiderohet të jenë kryer në mashtrim të ligjit”, vlerëson shumica.

Nga hetimi është konstatuar gjithashtu, lidhja në mënyrë fiktive e një kontrate premtim shitje për apartamentin e nënës me qëllim përfitimin e një kredie afatgjatë, destinacioni së cilës ka mbetur e paprovuar. Në vendim thuhet se Tosku ka kryer deklarime kontradiktore në lidhje me përdorimin e kësaj kredie krahasuar me deklarimet e mëparshme të saj, si dhe me faktet e administruara gjatë procesit.

Në vlerësimin tërësor të veprimeve dhe mosveprimeve të subjektit, Komisioni konstaton se ajo nuk ka qenë koherente me deklarimet e mëparshme të saj dhe as me faktet të e vërtetuara gjatë hetimit administrativ dhe se në mënyrë të përsëritur i është shmangur dhënies së përgjigjeve në lidhje me disa nga gjetjet. Po ashtu, evidentohet se në çdo rast, Tosku i është shmangur kryerjes së veprimeve nëpërmjet llogarive bankare në të cilat gjen pasqyrim vetëm disbursimi i shumave të përfituara nga kreditë, ndërkohë që të gjitha shlyerjet e kredive janë bërë në formë cash prej saj.

Është e vërtetë që subjekti nuk ka qenë subjekt deklarues përpara plotësimit të deklaratës Vetting dhe për pasojë, trupi gjykues ka qenë në pamundësi objektive dhe ligjore për të vlerësuar në lidhje me pasuritë e subjektit përpara kësaj periudhe, duke u fokusuar vetëm në sjelljet e subjektit të rivlerësimit në raport me faktet e rezultuara gjatë hetimit administrativ. Po kështu, është e vërtetë se subjekti nuk e ka statusin e magjistratit, me qëllim vlerësimin e kritereve që kanë lidhje me etikën dhe integritetin e magjistratëve […]. Por, pavarësisht këtyre fakteve, ajo është subjekt rivlerësimi dhe, si i tillë, i është nënshtruar procesit të rivlerësimit”, analizon shumica dhe çmon se veprimet dhe mosveprimet e Toskut, si përpara plotësimit të deklaratës “veting”, ashtu edhe gjatë procesit të rivlerësimit bien ndesh me mënyrën e sjelljes që pritet prej subjekteve të rivlerësimit. “[…]Të cilët edhe jashtë orarit të punës duhet të kujdesen që sjellja e tyre të jetë në të mirë të funksionit zyrtar që ushtrojnë dhe të mos karakterizohet nga fiktiviteti dhe mashtrimi i çdo lloji, sikurse ka ndodhur në rastin e subjektit”, shprehet shumica dhe shton se Toksu nuk ka vendosur në dispozicion dokumente shkresore për të vërtetuar të kundërtën e gjetjeve.

Duke ju referuar praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shumica vlerëson se kjo sjellje procedurale dhe ligjore e bën të cenueshëm besimin e publikut dhe konkludon se Tosku ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë në mënyrë të përsëritur e vijuese, duke bërë që të ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit. Po ashtu, vlerësohet se subjekti gjendet në kushtet e mungesës së gatishmërisë për bashkepunim gjatë vetingut.

Bazuar në këto përfundime, shumica ka vendosur shkarkimin nga detyra të ndihmëses ligjore Majlinda Tosku.

Anëtari Lulzim Hamitaj në pakicë nuk pajtohet me vendimin e kolegeve. Ai vlerëson se Tosku ka arritur një nivel të besueshëm edhe në rivlerësimin e pasurisë, duke konsideruar se problemet e konstatuara nuk mund të çmoheshin penalizuese – si në këndvështrimin sasior, ashtu edhe në raport me periudhën para detyrës.

“Për më tepër, çmohet se konstatimet e Komisionit lidhur me pasaktësitë në deklarime apo pamjaftueshmërinë financiare (prej vetëm 600.000 lekësh) janë pasojë e një konfuzioni të krijuar në sferën e marrëdhënieve të posaçme (me nënën dhe vëllezërit, përpara fillimit të detyrës) e, për rrjedhojë, janë të pamjaftueshme për të penalizuar subjektin e rivlerësimit”, argumenton Hamitaj dhe shton se gjetjet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit nuk integrojnë ‘kristalizimin’ e një niveli të tillë si ai i cënimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, që të ishte i mjaftueshëm për shkarkimin nga detyra.

“Kjo, jo vetëm për peshën specifike të gjetjeve, të cilat nuk rezultojnë domethënëse apo përcaktuese, por edhe nisur nga rrethana që përgjatë gjithë periudhës në analizë ky subjekt nuk ka qenë pjesë e Sistemit të Drejtësisë, pasi e ka nisur detyrën e ndihmëses ligjore në datën 7.6.2016, pra vetëm rreth gjashtë muaj përpara së të dorëzonte deklaratën Vetting”, shprehet Hamitaj dhe vlerëson se Tosku duhej të ishte konfirmuar në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *