Pranvera Stafa Selita
Analiza

KPK e shkarkoi prokuroren Pranvera Stafa Selita për cenim të besimit

Prokurorja e Elbasanit, Pranvera Stafa Selita u shkarkua nga detyra më 8 mars 2024, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se në vlerësimin tërësor, duke konsideruar së bashku problemet e pasurisë dhe mangësitë profesionale e denoncimet nga publiku, ka cenuar me sjelljen e saj besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Vendimi për shkarkimin e prokurores Selita u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Lulzim Hamitajn.

Pranvera Stafa Selita e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989. Ajo punoi prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Elbasanit.

Problemet për pasurinë

Lidhur me kriterin e pasurisë, KPK konkludon se prokurorja Selita gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme, që janë çmuar në vlerësimin tërësor të çështjes, pasi nuk janë gjetur si shkaqe autonome për shkarkim.

Ajo ka rezultuar në pamundësi financiare për krijimin e tre depozitave dhe blerjen e një automjeti, që kanë ardhur si pasojë e moskonsiderimit në analizën financiare të kursimeve të pretenduara për arsye të mosdeklarimit të tyre, për shkak të mosvërtetimit të ardhurave të bashkëshortit dhe kunatës nga emigracioni, si dhe për mosvërtetimin e kritereve ligjore për të konsideruar si të ligjshme të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortit.

Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe personat e lidhur me të rezultojnë me balancë negative sipas datave të investimeve, në shumën 2.3 milionë lekë, që është çmuar se e vendos prokuroren Selita në kushtet e pamundësisë financiare.

Por, në përfundim, KPK ka çmuar që ti konsiderojë pamundësitë financiare në vlerësimin tërësor dhe jo si deklarim i pamjaftueshëm, që do të mund të sillte penalizim për këtë kriter. Sipas Komisionit, pamjaftueshmëria është cënuar nga mosdeklarimi i saktë e korrekt i likujditeteve në vitet 2003 dhe 2004. “[…]Por mungesa e këtyre deklarimeve nuk është e shoqëruar me ndonjë sjellje të subjektit për të fshehur të ardhurat, pasi rezultoi e provuar nga hetimi administrativ se ato janë depozituar në sistemin bankar”, konstaton KPK lidhur me të ardhurat e pretenduara.

Në vendim konstatotohet se nga hetimi është provuar se bashkëshorti i subjektit ka pasur të regjistruar aktivitet, por prokurorja Selita ka dështuar të provojë vlerën e fitimit dhe pagimin e detyrimeve tatimore.

“Këto rrethana, të gërshetuara edhe me faktin se në çështjen konkrete kërkohet të provohen të ardhura kur ligji nr. 9049/2003 nuk ishte miratuar, për të cilën subjekti ka pretenduar edhe paqartësinë e saj për deklarimin e likuiditeteve cash, ka depozituar në ILDKPKI edhe deklaratë sqaruese në vitin 2004, nuk vlerësohen nga trupi gjykues si shkaqe që prodhojnë në mënyrë autonome situatën e deklarimit të pamjaftueshëm, në kuptim të nenit 61/3 të ligjit nr. 84/2016”, shprehet Komisioni, por vlerëson se elementet e këtyre mangësive të deklarimit, si dhe nivelit të mosprovueshmërisë së tyre, janë çmuar në drejtim të vlerësimit tërësor dhe të cënimit të besimit tek sistemi drejtësisë.

Mangësitë profesionale

Komisioni konstaton një sërë mangësish profesionale, të cilat janë konsideruar në vlerësimin tërësor së bashku me gjetjet për pasurinë.

Nga hetimi administrativ është konstatuar Selita ka zgjatur një hetim për 15 muaj, pa shkaqe të justifikuara, duke shfaqur mangësi në drejtim karakterit organizativ. Për një tjetër çështje evidentohet se nuk ka ndërmarrë logjikisht hetimin, duke mos kryer një hetim të plotë e të thelluar për të siguruar prova konkrete të cilat do të mund të konfirmonin dyshimin apo do ta rrëzonin atë.

Komisioni vëren se problemet kryesore janë gjetur në çështjet e denoncuara nga publiku, ku mes të tjerash janë konstatuar mangësi në drejtim të njohurive ligjore, të arsyetimit ligjor dhe cilësisë së analizës dhe argumentimit logjik të prokurorit dhe moskryerjes së të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme. Po ashtu, evidentohet se subjekti nuk ka ndërmarrë veprime hetimorë të logjikshme, gjithëpërfshirëse, të plota dhe me efikasitetet që të mund të kishin hedhur dritë mbi rrethanat e faktit penal në disa çështje.

Në verifikimin e një çështje të hetuar nga Selita, KPK konstaton se subjekti në kërkesën e saj nuk ka arsyetuar mjaftueshëm mbi përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e vendosjes së masës më ekstreme të sigurimit personal, në raport me rrethanat e dala, që tregojnë se shtetasi I.C. ka qenë i papunë, invalid i grupit të dytë dhe me dy fëmijë të vegjël. Sipas Komisionit, nuk rezulton ndonjë rrezikshmëri sociale, shkak largimi për të shmangur drejtësinë apo mundësi e të hetuarit për të prishur provat dhe parimet e sundimit të ligjit.

Mes konstatimeve për profesionalizmin, trajtohet dhe një gjetje e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, nga ka rezultuar se Selita ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për një të proceduar për vjedhjen e dy gërshërëve.

“Çështja në fjalë kishte të bënte me veprën penale ‘Vjedhja’ e dy palë gërshërëve me vlerë shumë të parëndësishme monetare (minimale), e cila nuk është vepër e një rëndësie të jashtëzakonshme. I dyshuari e ka pranuar fajin në mënyrë të përsëritur brenda më pak se 24 orëve nga verifikimi i rrethanave nga OPGJ-ja dhe në një procedurë shumë të diskutueshme ligjore. Është gjetur në banesë, është i martuar dhe i papunë. Këto rrethana me logjikë tregojnë se nuk ka pasur rrezik të veçantë ikjeje/arratisjeje, pengimi të hetimeve apo përsëritje të veprës penale nga ana e të dyshuarit”, vëren KPK dhe shtron pyetjen nëse kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal të “arrestit me burg” e kërkuar nga subjekti, është e justifikuar ose proporcionale.

Prokurorja Selita ka pretenduar se kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, është e justifikuar dhe proporcionale me veprën penale të konsumuar, të konfirmuar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Por, KPK vlerëson se subjekti ka miratuar procedurën hetimore të ndërmarrë nga oficeri policisë gjyqësore pa verifikuar e mbikëqyrur të dhënat e konstatuara, pasi vihet re se në procesverbalin e arrestimit në flagrancë nuk rezulton asnjë procesverbal që vërteton zgjedhjen e tij për t’iu caktuar një avokat kryesisht apo për të zgjedhur ai një mbrojtës ligjor. “Nga të dhënat e dosjes rezulton se këtij të akuzuari në të shumtën e rasteve i është marrë nënshkrimi pa u dokumentuar vullneti/zgjedhja e tij për të drejtat e tij në letrën e drejtave të pandehurit e, për rrjedhojë, duket se nga ana e subjektit nuk janë respektuar masat mbrojtëse procedurale për shtetasin e dyshuar”, vëren Komisioni.

Trupa e KPK çmon se konstatimet mbi këtë procedim penal duket se dëshmojnë mangësi domethënëse në veprimtarinë profesionale të subjektit, si në mbikëqyrjen e punës së oficerit të policisë gjyqësore, , në ndërtimin e hetimit, si dhe në analizën dhe arsyetimin logjik mbi aplikimin e masës së sigurimit – kjo në raport me respektimin e parimeve juridike dhe të drejtave themelore të njeriut.

Komisioni çmon se ndonëse subjekti mund të arrijë në një nivel 9minimal) kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale, problemet e konstatuara janë çmuar në vlerësimin tërësor.

Në përfundim, Komisioni konkludon se në vlerësimin tërësor të çështjes, duke konsideruar problemet për pasurinë dhe ato të profesionalizmit, prokurorja Pranvera Stafa Selita, ka cenuar me sjelljen e saj besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *