Vendimi i KPK: Hetimet e paplota të Shkëlzen Cenës favorizuan të pandehurit
Analiza

Vendimi i KPK: Hetimet e paplota të Shkëlzen Cenës favorizuan të pandehurit

Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e penalizon prokurorin Shkëlzen Cena, i cili ishte asokohe edhe kandidat për SPAK, në të tre kriteret e vlerësimit dhe arrin në përfundimin se ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe ka cënuar besimin e publikut të drejtësia.

Prokurori i Dibrës, Shkëlzen Cena pas vendimit të KPK. Foto:BIRN

Me vendim të datës 14 qershor 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu karrierën e prokurorit të Dibrës, Shkëlzen Cena, i cili kandidonte edhe për Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Në vendimin e arsyetuar, KPK argumenton se shkarkimi u bazua në problemet e konstatuara me pasurinë si dhe për “cënim të besimit të publikut te drejtësi”, lidhur me pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në vendim identifikohen dy raste kur janë gjetur mangësi të hetimit nga ana e Cenës e që sipas KPK-së nuk kanë të bëjnë me nivelin profesional, por me veprimet e tij për të favorizuar dy të pandehur. Ndërkohë, Komisioni ka konkluduar se prokurori Shkëlzen Cena ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë dhe se ka pasur mungesë të ardhurash për krijimin e pasurive dhe shpenzimet.

Shkëlzen Cena e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Kukësit. Ai është transferuar nga Kukësi në Kurbin në vitin 2012, ndërkohë që prej vitit 2016 e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Rivlerësimi i tij u krye me prioritet për shkak të kandidimit për SPAK. Trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Firdes Shuli anëtare vendosi shkarkimin bazuar në të tre kriteret e rivlerësimit.

Dyshimet për favorizim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaron se ka gjetur mangësi të kriterit profesional për prokurorin Cena, të cilat sipas vendimit nuk lidhen me mungesën e aftësisë por me sjelljen e subjektit në favor të të pandehurve, duke i klasifikuar rastet si “cënim të besimit të publikut të drejtësia”.

Bëhet fjalë për një dosje të hetuar nga subjekti në vitin 2006, lidhur me një rast të kontrabandimit të viçave pranë pikës doganore të Morinës, kur prokurori Cena shërbente ende në prokurorinë e Kukësit. Nga verifikimi i dosjes, ka rezultuar se prokurori Cena ka kërkuar masën më të ulët të dënimit, atë me gjobë, pavarësisht se në aktet e dosjes nuk është gjetur dokumenti që vërteton nëse i pandehuri kishte qenë ose jo i dënuar më parë.

“Nga verifikimi që ka kryer Komisioni ka rezultuar se i pandehuri në fjalë kishte qenë i dënuar në vitin 2005 po për kontrabandim mallrash, një vit para se të arrestohej e të hetohej sërish për të njëjtën vepër penale,” thuhet në vendimin e KPK.

Komisoni konstaton se nga veprimet procedurale nuk rezulton që prokurori Cena të kishte dhënë argumente bindëse lidhur me propozimin për dënim minimal të të pandehurit. Për më tepër, edhe gjoba prej 160 mijë lekësh nuk ishte ekzekutuar dhe në vitin 2007 subjekti e kishte mbyllur çështjen duke e konsideruar të amnistruar.

Çështja e dytë e trajtuar nga Komisioni i përket një vendimi pushimi të prokurorit Cena të prillit 2010 për shtetasin I. H., i hetuar për veprën penale “tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë”. Komisioni konstaton se hetimi për këtë rast nuk është kryer i plotë dhe se nuk janë mbledhur të gjitha provat për qartësimin e rrethanave të akuzës së ngritur.

Në vendim thuhet se edhe pse i proceduari ka dhënë deklarime të njëpasnjëshme kontradiktore për faturat tatimore të mallit që i është gjetur, prokurori Cena nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor për këtë gjë. Ndërkohë, Komisioni vëren versione kontradiktore edhe të vetë prokurorit Cena gjatë hetimit, konkretisht në aktet e hartuara nga vetë ai për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit e tij.

Prej hetimit administrativ ka rezultuar se prokurori Cena nuk kishte hetuar nëse mallrat e tregëtuara ishin të zhdoganuara apo të blera nga një tjetër biznes. Komisioni ka evidentuar edhe mangësi të tjera në këtë hetim të kryer nga prokurori Cena.

“Dukej se me veprimet dhe mosveprimet subjekti kishte favorizuar në kohë të akuzuarin, me qëllim marrjen e faturave, dorëzimin e tyre (megjithëse ato datojnë shumë më herët kapjes së tij në flagrancë), me pasojë drejtimin e hetimeve drejt vendimmarrjes së pushimit të çështjes. Në tërësi për këtë çështje, dukej se subjekti nuk kishte mbajtur të njëjtin standard hetimor…,’ thuhet në vendimin e KPK-së.

Komisioni evidenton problematika të profesionalizmit edhe në disa dosje të tjera të verifikuara, si mangësi në arsyetimin e fakteve dhe vendimeve. Në vendim thuhet se Komisioni, sikurse edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë konstatuar disa problematika në një prej dokumenteve të paraqitura nga vetë subjekti i rivlerësimit, si dhe në tre dosjet, që i përkasin atyre të zgjedhura me short.

Ndërkohë, lidhur me një dosje të vitit 2014 me të pandehur shtetasin N.R. i akuzuar për “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, vetë prokurori Cena ka pranuar faktin se ka arsyetuar në mënyrë sipërfaqësore, duke bërë një analizë të thjeshtë të veprës penale. “Trupi gjykues vlerëson se shpjegimet e subjektit nuk janë argumente justifikuese, pasi ato cënojnë arsyetimin e plotë dhe të kuptueshëm të një akti përfaqësimi të akuzës/konkluzionit përfundimtar,” thuhet në vendimin e KPK-së.

DSIK ngriti dyshime për korrupsion

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar fillimisht në KPK një raport ku konstatonte përshtatshmërinë e prokurorit Cena për vazhdimin e detyrës. Por pasi ka siguruar informacione se dyshohej të kishte qenë i përfshirë në korrupsion në disa çështje në periudhën 2006-2010 kur punonte në prokurorinë e Kukësit, ka dorëzuar një raport të dytë ku konstatohej papërshtatshmëria për të vazhduar detyrën e prokurorit.

Komisioni shpjegon se në raportin e DSIK-së informohet ndër të tjera se; gjatë vitit 2010, prokurori Shkëlzen Cena dyshohet të jetë përfshirë në një rast korrupsioni në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, duke orientuar personin e pandehur për kryerjen e veprimeve të caktuara, me qëllim ndryshimin ose lehtësimin e akuzës ndaj tij.

“Rasti i vitit 2010 e thekson edhe më tepër rolin në veprimtari të paligjshme të prokurorit Cena, pasi aty shfaqet një formë konkrete nëpërmjet së cilës ky prokuror ka abuzuar me detyrën për të realizuar favorizimin e të pandehurit, me qëllim përfitimin,” përshkruhet në vendim informacioni i DSIK.  Ndërkohë, Komisioni çmon se hetimi administrativ referuar kriterit profesional ku evidentohen dy raste të dyshuara të favorizimit të të proceduarve, mbështet raportin e kontrollit të figurës.

Trupi gjykues i KPK-së konsideron se në çështjet penale të verifikuara lidhur me dyshimet për korrupsion janë konstatuar shmangie nga kryerja e disa veprimeve hetimore të rëndësishme, për favorizime të të akuzuarve në dhënien e dënimeve të lehta apo shmangien e tyre nga dënimi dhe për pasojë, trupi gjykues i ka çmuar ato në vlerësimin tërësor të cënimit të besueshmërisë ndaj publikut.

Pas verifikimit të informacioneve të DSIK-së dhe pretendimeve të prokurorit Cena, KPK ka konkluduar se nuk mund të provoheshin dyshimet e ngritura ndaj tij për korrupsion.

Problemet me pasuritë

Komisioni ka konstatuar mospërputhje e pamjaftueshmëri të burimeve për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 55.25 m2 në Kukës në dhjetor të vitit 1999 në shumën e 600 mijë lekëve dhe të vlerësuar në vitin 2012 në shumën 3.5 milionë lekë. Në vendim thuhet se prokurori Shkëlzen Cena, në deklaratën e vitit 2003 e ka pasqyruar  vlerën e blerjes 500 mijë lekë, ndërsa në 2017 në shumën 600 mijë lekë.

KPK ka identifikuar gjithashtu dy kontrata noteriale të së njëjtës datë me objekt shit-blerjen e këtij apartamenti, ku në njërën kanë firmosur katër prej pesë shitësve, ndërsa në tjetrën të pesë bashkëpronarët të cilët përshkruhen në kontratë. Gjithashtu është konstatuar se në deklaratën e vitit 2003 është pasqyruar si burim krijimi “rroga”, ndërsa në deklaratën veting figuron si burim “kursimet e prindërve”.

Shpjegimet e prokurorit Cena se deklarimi i vitit 2003 ka qenë lapsus ose i paplotë pasi duhej të shtonte edhe fjalën e “prindërve”, nuk ka qenë bindës për Komisionin që ka kryer analizë financiare edhe lidhur me këtë pretendim. Ndonëse Cena ka depozituar dokumentacionin që pasqyronte punësimin e prindërve të tij prej vitit 1961, Komisioni ka vlerësuar të përfshijë në analizën financiare të ardhurat nga viti 1991 deri në vitin 1999, duke argumentuar se për periudhën e mëparshme nuk rezulton të ketë referenca mbi raportin të ardhura/shpenzimeve dhe se ato neutralizojnë njëra-tjetrën.

Prej analizës financiare është konkluduar se Cena nuk kishte pasur burime financiare në shumën 437.069 lekë për të justifikuar blerjen e kësaj pasurie. Komisioni ka gjetur probleme edhe në deklarimin e rikonstruksionit të apartamentit në Kukës në vitin 2007, në shumën 800 mijë lekë nga kredia e marrë në “BKT” në gusht të vitit 2006 në vlerën 1 milion lekë. Nga hetimi ka rezultuar se kredia ishte marrë për blerjen e një apartamenti. Komisioni ka konkluduar se në këtë rast Cena kishte vepruar në kundërshtim me kushtin e parashikuar në kontratën për përfitimin e kësaj kredie, duke ndryshuar destinacionin e saj.

Komisioni ka konstatuar se sipas një akt-marrëveshjeje të vitit 2006, Cena i kishte paguar shtetasit D. B. shumën 28.000 euro. Ndërkohë, në deklaratën vjetore 2006 Cena ka përshkruar se nga kjo kredi ka gjendjen cash 1 milion lekë, pasi apartamenti nuk ishte blerë se nuk kishin rëndë dakort për çmimin. Në vendim thuhet se Cena nuk e kishte deklaruar këtë akt-marrëveshje, as në deklaratën “veting” dhe në asnjë prej deklaratave të interesave periodike private dhe se nuk e kishte revokuar atë.

Prokurori Cena ka deklaruar para Komisionit se nuk e kishte paguar shumën 28 mijë euro, duke e justifikuar pasyqrimin e kësaj vlere në akt-marrëveshje si një lapsus të noterit. Por, nga hetimi janë konstatuar mospërputhje mes deklarimeve të Cenës dhe D.B. dhe të noterit, i cili ka thënë se vlera 28 mijë euro është pasqyruar me vullnetin e palëve.

Në vendim thuhet se edhe D.B., nuk e kishte blerë apartamentin në fjalë, pasi ka marrë një tjetër me sipërfaqe më të madhe, 2+1 po në Tiranë, ku prej disa vitesh rezulton se prokurori Cena jeton me qira.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se prokurori Cena ka dhënë si adresë së tij që prej vitit 2010 apartamentin në Tiranë në pronësi të shokut të tij D.B. Në shpjegimet e dhëna për Komisionin, Cena ka deklaruar se nga viti 2011 e në vijim ka jetuar në këtë apartament, ndërkohë që nga vërtetimi hipotekor i këtij kësaj banese, rezulton se ajo ka kaluar në pronësinë e D.B rreth një vit më vonë. Cena ka deklaruar pagesën e qirasë nga viti 2013 e në vazhdim.

Për shkak të marrëdhënies mes prokurorit Cena dhe pronarit të këtij apartamenti, Komisioni e ka vlerësuar shteasin D.B, si person tjetër të lidhur dhe ka kryer verifikimin e mundësisë financiare të tij për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 87.2 m2 në datën 17 shkurt 2012 për shumën 58.500 euro. Pas kryerjes së analizës financiare, trupi gjykues ka arritur në konluzionin, se prokurori Cena nuk arriti të shpjegojë dhe provojë bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave të mikut të ti.

Trupa gjykuese e KPK-së identifikoi problematika edhe në blerjen e dy automjeteve dhe se analiza financiare e ka nxjerrë atë me mungesë burimesh për justifikimin e pasurisë në vlerën 3.8 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *