I kualifikuar për një vend në Prokurorinë e Posaçme, Klodian Braho do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017.Procesi i vetingut është barriera e fundit e prokurorit të Krimeve të Rënda, Klodian Braho për të siguruar një vend në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur gjerësisht si SPAK. Braho do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të enjten më 25 korrik, me trupën e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.
Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës. Ai u kualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mes kandidatëve për SPAK, por për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Klodian Braho nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Braho deklaronte kursime prej 90 mijë lekësh në vitin 2007, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit është 6.6 milionë lekë, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 592 mijë lekësh.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare përbëhet nga një apartament me vlerë 4 milionë lekë, likujditete në bankë prej 1.1 milion lekësh, rreth 930 mijë lekë kursime të akumuluara në cash dhe automjete me vlerë 468 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14.6 milionë lekë. Rreth 86% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni dhe ato nga mësimdhënia të prokurorit Braho, ndërsa rreth 12% burojnë nga paga e bashkëshortes.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 11 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezultoi me probleme.
Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë vlen të përmendet një hua prej 5 mijë eurosh e marrë në vitin 2010 për të paguar këstin e porosisë së një apartamenti. Apartamenti në zonën e Kasharit me sipërfaqe 73m2 dhe me vlerë të deklaruar 29 428 euro ka si burim një kredi bankare si dhe huanë e mësipërme.
Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë për vitin 2007
Deklarata e pasurisë për vitin 2008
Deklarata e pasurisë për vitin 2009
Deklarata e pasurisë për vitin 2010
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al