Gjyqtari Artan Hajredinaj. Foto:BIRN.
KP Lajme

Konfirmimi i gjyqtarit Artan Hajredinaj ankimohet në Kolegj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 18 qershor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj, duke vlerësuar se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm.

Trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktarin, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin Komisioni vendosi më 19 mars në mënyrë unanime që të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Lezhës, Artan Hajredinaj. Vendimarrja u mor pasi subjekti kundërshtoi konstatimet e Komisionit për pamundësi financiare në krijimin e pasurive e mbulimin e shpenzimeve, si dhe dyshimet e ngritura për fshehjen e një apartamenti.

Hajredinaj dha shpjegime dhe për gjetjet e kriterit profesional, ku ndër të tjera u konstatuar se dukej se kishte favorizuar një person të kërkuar për ekstradim nga shteti Italian.

Në përfundim, Komisioni i ka gjetur bindëse argumentet e subjektit duke mos konkluduar probleme penalizuese. Ndërkohë, u vendos të transferohenpër verifikim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të gjykuara nga Hajredinaj.

Përpara se të emërohej si gjyqtar në vitin 2007, Hajredinaj ka punuar si noter. Ai e ka ushtruar funksionin Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë tetë viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Shkaqet për pasurinë

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa vlerëson se, nga shqyrtimi i vendimit të Komisionit dhe akteve në dosje, duke analizuar konstatimet për secilin nga kriteret e vlerësimit, paraqiten gjetje dhe rrethana ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmbajnë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim në Kolegj.

Në përfundim të hetimit administrativ paraprak, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për deklarime të pasakta në vite të një apartamenti në Tiranë të blerë në vitin 2006, si dhe bilanc negativ në shumën 1.8 milion lekë. Kjo, pasi ishin ngritur dyshime për shitje fiktive të dy ngastrave me vreshtë, të ardhura që janë deklaruar si një ndër burimet e krijimit të kësaj pasurie.

Por, pas shpjegimeve të subjektit, Komisioni ka vlerësuar se nuk mund të konkludohet për shitje fiktive të këtyre pronave, kur në atë kohë ai nuk ka qenë gjyqtar dhe as subjekt deklarues. Ndërsa pasaktësitë janë vlerësuar se nuk janë kryer me ndonjë qëllim të caktuar dhe për rrjedhojë nuk kanë peshë specifike.

Ndërsa Komisioneri Publik ndan qëndrim të ndryshëm lidhur me saktësinë e deklarimeve të subjektit mbi vlerën e blerjes së apartamentit, si dhe mjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme të përdorura për krijimin e saj.

Ballhysa evidenton se Hajredinaj nuk ka deklaruar posedim të kursimeve cash me burim nga shitja e dy pasurive si më sipër, as në deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI në tetor 2014, kur është përpjekur të qartësojë mungesën e deklarimit para fillimit të detyrës në vitin 2007. Për rrjedhojë, Komisioneri e konsideron të pabesueshëm marrjen të mirëqënë të këtij burimi nga ana e Komisionit.

Në përfundim, Ballhysa vlerëson se subjekti nuk provoi të kundërtën e barrës së provës mbi vlerën dhe burimet e ligjshme të deklaruara të përdorura për blerjen e apartamentit në Tiranë, duke mos arritur nivel të besueshëm.

Hajredinaj ka deklaruar të ardhura nga shitja e disa njësive shërbimi në Bajram Curri. Lidhur me këto të ardhura, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për pamundësi për investimet e kryera, për mosdeklarimin e tyre në vitin 2009, si dhe për deklarime të pasakta e të paplota në vite e gjatë procesit lidhur me sipërfaqet e njësive dhe burimin e krijimit. Po ashtu, është konsideruar e paqartë arsyeja e dhurimit të njësive një shtetasi tjetër në vitin 2016, rreth 7 vjet pas regjistrimit të tyre.

Gjatë seancës dëgjimore subjekti kundërshtoi gjetjet e KPK duke shpjeguar se veprimet ishin kryer në kohën kur ishte noter. Sipas tij, njësitë egzistonin dhe se kishte kryer vetëm një shtesë. Po ashtu, sqaroi se personi të cilit i kishte dhuruar njësitë në 20016-ën, kishte kishte hequr dorë nga pasuritë me qëllim që të realizohej leja ndërtimore. Sipas subjektit, shtetasi F.GJ. kishte qenë gjithmonë pronari de facto i dy njësive që i kishte dhruar në 2016-ën. Ai kundërshtoi dhe analizën financiare të KPK duke kërkuar që ajo të jetë kumulative dhe të konsiderohej një kredi për të cilën është vendosur si kolateral një njësi.

Komisioni i ka vlerësuar pretendimet e subjektit në lidhje me këtë çështje të besueshme. Po ashtu, ka çmuar se dokumentet e administruara arrijnë një nivel provueshmërie të tillë, që Komisioni të krijojë bindjen se punimet janë kryer brenda afatit të lejes së ndërtimit.

Por, Komisioneri Publik vlerëson se subjekti ka kryer deklarime kontradiktore lidhur me këto pasuri dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për vlerën dhe kohën e investimit. sipas tij, Hajredinaj ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe të pamjaftueshëm lidhur me njësitë.

Ballhysa konstaton se të ardhurat nga shitja e njësive kanë shërbyer kryesisht si burim për krijimin e një llogarisë bankare në vlerën 80 mijë USD, si dhe për dhënien e dy huave në shumat 30 mijë euro dhe 19 mijë USD.

“Pamundësia e kontrollit të plotë lidhur me pasurinë ‘Njësi shërbimi’, të ardhurat nga shitja e të cilave (në vitin 2016) kanë shërbyer si burim krijimi për llogarinë bankare pranë *** Bank dhe huat e dhëna në vitin 2016, afekton dhe ligjshmërinë e krijimit të këtyre të fundit”, vlerëson Ballhysa

Në vijim ai vëren se Hajredinaj nuk ka shënuar në deklaratën “veting” një marrëdhënie qiraje të njësisë, nga për rrjedhojë mbetet e paqartë dhe në nivel deklarativ vërtetësia e deklarimeve të subjektit lidhur me realizimin e këtyre të ardhurave.

Konstatimet lidhur me veprimet e kryera për njësitë e shërbimit, Komisioneri Publik kërkon që të shqyrtohen së bashku me gjetjet e tjera në vlerësimin tërësor, në kuadër të cënimit të besimit të publikit tek sistemi i drejtësisë.

Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin nga subjekti të përdorimit të një apartamenti në Bajram Curri. Hajredinaj ka shpjeguar se, në kushtet kur nuk kishte të drejta mbi këtë pasuri, si dhe nuk gjendej përpara aktit të shitjes, dhurimit apo marrëdhënies së huasë, ka konsideruar se e kishte ezauruar deklarimin e përdorimit të kësaj pasurie duke përcaktuar vetëm adresën e deklarimit në gjendje civile.

Ndryshe nga KPK që nuk ka gjetur probleme, Komisioneri Publik vlerëson se subjekti nuk ka përmbushur detyrimet ligjore për deklarimin e e kësaj pasuriesë objekt analize, duke u ndodhur kështu në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm lidhur me këtë pasuri. Ballhysa vëren se, subjekti në përgjigje të pyetësorit standard ka deklaruar se kjo pasuri është blerë nga motra e tij, ndërsa në përgjigje të pyetësorit nr.2 ka pohuar se është likuiduar prej tij në emër të motrës, që në vitin 2005.

“Gjatë hetimit administrativ subjekti ka deklaruar se për këtë apartament ka paguar shumën 500.000 lekë, por nuk ka paraqitur dokumentacion provues për të provuar kohën dhe shumën e paguar, ndërsa në kartelën e pasurisë në emër të subjektit të rivlerësimit të administruar në dosjen e ASHK-së, referohet vlera 2.248.740 lekë. […]Në kushtet kur nga aktet në dosje nuk rezulton të jenë administruar akte që të provojnë kohën e përfitimit të kësaj pasurie nga subjekti i rivlerësimit dhe vlerën e paguar prej tij, Komisioneri Publik, vlerëson se pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbeten në nivel deklarativ dhe nuk mundësojnë kontrollin e organeve të rivlerësimit, lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie”, citohet në ankim.

Hajredinaj ka deklaruar se ka prenotuar për vëllain një apartament në Shëngjin në vitin 2007 dhe se e ka përdorur këtë banesë gjatë pushimeve verore. Nisur nga një denoncim, Komisioni ka ngritur dyshime për pasuri të fshehur të subjektit të rivlerësimit.

Bazuar në shpjegimet e subjektit, Komisioni ka argumentuar se është provuar se vëllai i tij jetonte prej vitesh në Angli dhe se në ditën kur është nënshkruar kontrata e sipërmarrjes ka qenë në pamundësi objektive të ishte i pranishëm. Po ashtu, për shkak se nuk ka qenë i pajisur me dokument identiteti në Angli në atë kohë, ka qenë në pamundësi për të lëshuar një prokurë përfaqësimi për vëllain e tij, gjyqtarin Hajredinaj. Argumentet e subjektit e kanë bindur Komisionin se nuk bëhej fjalë për një pasuri të fshehur.

Por, Komisioneri sjell në vëmendje se nga verifikimi i akteve të vëna në dispozicion nga Hajredinaj, nuk u provua në mënyrë shteruese as burimi i ligjshëm i të vëllait nga punësimi në shtetin anglez dhe as mënyra se si këto fonde janë sjellë në shtetin shqiptar. Ballhysa kërkon që çështjet e trajtuara për këtë pasuri, të analizohen në vlerësimin tërësor.

Në vijim, Komisioneri Publik vlerëson se shpjegimet e subjektit gjatë hetimit administrativ mbi përdorimin e kursimeve cash gjatë periudhës 2011-2016, nuk përputhen me deklarimet e e tij periodike.

Ai arrin në përfundimin se Hajredinaj ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe kërkon që shkaqet e ngritura prej tij të analizohen në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Profesionalizmi

Ballhysa evidenton se Hajredinaj ka marrë disa vendime për ulje dënimi të të dënuarve, në zbatim të gabuar të ligjit. Po ashtu, në çështje të tjera konstatohen mangësi në drejtim të njohuive ligjore dhe arsyetimit ligjor.

“Komisioneri Publik, duke përfunduar për sa i përket kontrollit të aftësive profesionale, vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës e provës. Mangësitë e vërejtura në vlerësimin e aftësive profesionale të subjektit, të verifikuara nisur nga denoncimet e paraqitura nga publiku janë të natyrës vazhduese dhe të njëjta, duke përbërë në këtë mënyrë tregues të një modeli pune”, shprehet Ballhysa dhe vlerëson se veprimet e gjyqtarit Hajredinaj afektojnë kriterin e aftësisë profesionale. Ai i kërkon Kolegjit që poblemet e konstatuara në aspektin profesional të trajtohen së bashku me gjetjet e tjera të shkaqeve të ankimit.

Në përfundim, Ballhysa çmon se Hajredinaj nuk arin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe kërkon shkarkimin e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *