Prokurori Neritan Hoxha dhe avokatja e tij pas seances degjimore.
KPK Lajme

Prokurori Neritan Hoxha jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurori i Elbasanit, Neritan Hoxha u përball të martën më 16 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati për pesë orë dha shpjegime për problemet në kriterin e pasurisë, që kishin të bënin me deklarime të pasakta e të rreme, dyshime për fshehje të transaksioneve të pasurive, si dhe mungesë të burimeve financiare të ligjshme. Po ashtu, ai dha shpjegime dhe për barrat e provës në kriterin profesional për zvarritje e moskryerje hetimesh. Hoxha dhe përfaqësuesja e tij ligjore i kundërshtuan konstatimet e Komisionit dhe pretenduan se kishin vërtetuar të kundërtën, duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Hetimi administrativ për këtë subjekt rivlerësimi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Neritan Hoxha e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si prokuror në vitin 2004 pranë Prokurorisë së Elbasanit, ku shërben prej 20 vitesh.

Problemet e pasurisë

Prokurori Hoxha zotëron një shtëpi banimi 100 m2 + truall 300 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 1998 për çmimin 1.8 milionë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar kursimet familjare para fillimit të detyrës.

Relatorja Bungo konstatoi se babai i subjektit ka qenë ortak në një shoqëri të peshkimi dhe tregëtimi në vitin 1995 me vendim gjykate, por nuk është gjetur Nipti i këtij subjekti. Ndërkohë, në regjistrimin e mëvonshëm të kësaj shoqërie, babai i subjektit ka deklaruar si adresë një objekt, për të cilin Komisioni konstaton se Hoxha nuk e ka deklaruar këtë pasuri të babait.

Bungo tha se nga të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga aktiviteti familjes së subjktit dhe puna në emigracion, janë konsideruar vetëm ato për të cilat është vërtetuar shlyerja e detyrimeve tatimore, prej nga ka rezultuar bilanc negativ në shumën 1.4 milionë lekë për blerjen e shtëpisë në vitin 1998.

Subjekti ka deklaruar të ardhura nga qiradhënia e kësaj shtëpie në masën 150 mijë lekë, por për arsye se të detyrimet tatimore janë shlyr pas plotësimit të deklaratës veting, nuk janë konsideruar në analizën financiare.

Prokurori Hoxha sqaroi në seancë se shtëpia është blerë kur ai ishte ende student. Sipas tij, babai në atë periudhë ka qenë në emigrim në Greqi dhe për këtë arsye shtëpia është regjistruar në emrin e tij.

Lidhur me konstatimin për mosdeklarimin e objektit ku ushtronte aktivitetin babai, subjekti tha se nuk ekziston një e tillë. Sipas tij, babai ka shënuar si adresë atë të shkollës, ndërsa varka e peshkimit nuk ka nevojë për objekt ku të vendoset, pasi ankorohet në bregun e liqenit të Belshit, ku dhe ushtrohet aktiviteti.

Subjekti këmbënguli se nuk mund të penalizohej për pamundësinë financiare të konstatuar për periudhën para se ai të ushtronte detyrën, kohë kur ishte student. Megjithatë, ai kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e babait nga aktiviteti i peshkimit, nga bursa e tij. Hoxha tha se në vitin 1995 kur babai ka filluar aktivitetin, nuk kishte nipt për subjektet, por kod fiskal. Ai këmbënguli se nëse konsiderohen të ardhurat e deklaruara, familja e tij rezulton me bilanc pozitiv për blerjen e shtëpisë në ’98-ën.

Për blerjen e një automjeti të llojit Benz, subjekti ka deklaruar si burime kursimet nga pagat si prokuror dhe të ardhurat nga shitja e një makine tjetër. Bungo evidentoi se subjekti ia ka shitur makinën bashkëjetueses së tij në vitin 2011. Sipas saj, nga hetimi duket se subjekti ka dhënë deklarime të pasakta për njohjen me bashkëjetuesen dhe pë rrjedhojë ngrihen dyshime për kryerjen e shitjes fiktive të makinës. Bazuar në këto dyshime, KPK nuk i ka konsideruar në analizë të ardhurat nga shitja e makinës, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 150 mijë lekë për blerjen e mjetit tjetër.

Prokurori Hoxha deklaroi se bashkëjetuesen e ka njohur fillimisht në vitin 2005, kur ajo punonte në Komisariatin e Policisë Elbasan, pasi i lidhte dhe puna që kryenin. Sipas tij, në 2006-ën, bashkëjetuesa ishte transferuar me punë në Tiranë dhe ngaqë ai jetonte po në kryeqytet kishin filluar të frekuentoheshin dhe më pas kishte lindur dhe dashuria mes tyre. Hoxha këmbënguli se bashkëjetesa kishte filluar vetëm në vitin 2014.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë veprim në këtë rast, pasi janë veprime juridike të ligjshme. “Unë kisha lidhje dashurore, por jo bashkëjetesë. Nuk kisha luksin t’ia dhuroja”, pohoi Hoxha dhe solli në vëmendje se mund ta kishte deklaruar bashkëjetuesën edhe në vitin 2016 kur kishin lindur fëmijët, por e kishte deklaruar atëherë kur kishte ndodhur realisht, në 2014-ën.

Në vijim, Bungo konstatoi gjetjet për blerjen e një sipërfaqe toke nga subjekti, në bashkëpronësi me persona të tjerë. Nga sa u relatua në seancë, një prej bashkëpronarëve të tokës, kishte nënshkruar në vitin 2012 një akt-marrëveshje me palën shitëse, duke përcaktuar se çmimi ishte 6 milionë lekë në total, nga të cilat ishte paguar 1.5 milionë nëpërmjet bankës, se do shlyheshin me bankë dhe 500 mijë lekë, ndërsa vlera e mbetur 4 milionë lekë do të paguhej para nënshkrimit të kontratës së shitjes. në Akt-Marrëveshje, përcaktohej se A.B. përfaqësonte dhe ortakët e tjerë, mes tyre dhe subjektin e rivlerësimit.

Në vitin 2013, është nënshkruar nga blerësit një deklaratë noteriale në të cilën është përcaktuar se i kishin kryer likujdimet sipas marrëveshjes së vitit 2012. Kjo deklaratë është nënshkruar dhe nga prokurori Neritan hoxha. Ndërsa pak ditë më vonë, është nënshkruar dhe kontrata e shitblerjes, por për një çmim shumë herë më të ulët.

Subjekti ka deklaruar se është bashkëpronar me katër persona të tjerë në ngastrën e tokës me sipërfaqe 2000 m2 në fshatin Gjinar të Elbasanit, ku ai gëzon pjesë takuese 17.5%, me vlerë 115 mijë lekë.

Bazuar në këto të dhëna, Komisioni konstaton se duket se Hoxha ka fshehur blerjen e tokës nga ana e tij në vitin 2012 dhe vlerën reale të kësaj pasurie në shumën 6 milionë lekë; se ka fshehur pagesën e kryer në vitin 2012; si dhe se ka kryer deklarim të rremë në deklaratën “veting” lidhur me çmimin real.

Subjekti kundërshtoi konstatimet për fshehje të blerjes së tokës në vitin 2012 dhe çmimit real të saj. Hoxha këmbënguli se akti ligjor që e kishte bërë pronar në këtë pasuri, ishte ai i shit-blerjes, pasi dhe regjistrimi ishte kryer bazuar në këtë dokument dhe aktin noterial. Po ashtu, argumentoi se nuk kishte lëshuar prokurë përfaqësimi për ortakun dhe se nuk e kishte nënshkruar akt-marrëveshjen e vitit 2012.

Ai pretendoi se për këtë akt-marrëveshje kishte mësuar gjatë hetimit administrativ. “Nuk ka sens logjik dhe ekonomik në atë akt-marrëveshje”, tha subjekti.

Lidhur me deklaratën noteriale të nënshkruar prej tij para noterit, subjekti pranoi pakujdësinë për arsye të mosleximit të përmbajtjes ku përshkruhej se likujdimi ishte kryer sipas marrëveshjes së 2012-ës.

Në vijim ai solli në vëmendje se kishte depozituar kontrata shitje për ngastra toke në atë zonë, prej nga rezultonte se ishin në çmim të ngjashëm me kontratën e vitit 2013.

KPK konstaton pamundësi të subjektit për pagesën e këstit të parë të një apartamenti me sipërfaqe 62.2 m2 + 14.5 m2 verandë, për vlerën 27 mijë euro. Si burim të këstit të parë, ai ka deklaruar një depozitë e krijuar gjatë periudhës që ishte në stazh. Sipas Bungos, prindërit e subjektit nuk kanë pasur mundësi për krijimin e vlerës 6680 të depozitës, e për rrjedhojë nuk ëhstë përfshirë në analizën financiare, prej nga ka reuzltuar bilanci negativ për këstin e parë.

Avokatja Romina Zano e kundërshtoi këtë konstatim. Ajo tha se duhet kryer analiza akumulative në këtë rast. Po ashtu, kërkoi që në analizë të përfshihen dhe të ardhurat e subjektit nga burza në Shkollën e Magjistraturës, duke argumentuar se ai jetonte me familjen e origjinës dhe kishte mundësi t’i kursente ato të ardhura dhe rezultonte me bilanc pozitv pë rkëstin e parë.

Komisioni ka hetuar dhe një kredi në shumën 3.1 milionë lekë të marrë nga subjekti dhe familjarët e tij në vitin 2009 , ku si garanci është vendosur një depozitë e prindërve, prej rreth 22 mijë eurosh. KPK ka analizaur mundësinë e prindërve për krijimin e depozitës të lënë si garanci, prej nga është konstatuar bilanc negativ në shumën 8 milionë lekë.

Bungo deklaroi se, nisur nga pamundësia e krijimit të depozitës prej prindërve, si dhe nga përpjekjet e Hoxhës që çdo e ardhur e prindërve të llogaritet në favor të tij, ngrihen dyshime se depozita ëhstë krijuar nga të ardhurat e vetë subjektit.

Po ashtu, dyshohet se është fshehur përdorimi real i kësaj kredie.

Nga hetimi ka rezultuar se në emër të babait të subjektit, në vitin 2009 është legalizuar një apartament me sipërfaqe 131 m2 – pasuri që sipas Komisionit, është përforur nga subjekti dhe bashkëjetuesja prej vitit 2014. Sipas KPK, duket se kredia 3.1 milionë lekë është marrë për këtë apartament, ndërkohë që prindërit kanë reuzltuar me bilanc negativ për kryerjen e këtij investimi.

Ndërkohë, Hoxha ka blerë në vitin 2020 një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 58.1 m2 dhe në 2022 e ka këmbryer me prindërit.

Sipas Bungos, duket se prindërit kanë jetuar dy vjet në këtë apartament. Sipas relatores, duket se Hoxha ka kryer deklarime të pasaka për të shmangur hetimin e Komisionit nga këto pasuri.

Lidhur me garancinë pasurore, Zano vërejti se ajo nuk është dhënë hua dhe as është dhuruar e për rrjedhojë, prindërit nuk mund të konsiderohen në këtë situatë si persona të tjerë të lidhur. ajo theksoi se Hoxha nuk mund të ngarkohet me barrë prove për kolateralin e prindërve.

Në vijim, Zano kundërshtoi analizën e KPK për bilancin negativ të depozitës. Ajo vërejti se kishin depozituar dokumentacion nga Ambasada greke që vërtetonte se babai i subjektit kishte marrë vizë në vitin 1997 dhe kishte emigruar në shtetin grek. Dhe subjekti deklaroi se babai kishte qenë në greqi gjatë viteve 1997-2000.

Po ashtu, Zano kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e babait të subjektit nga peshkimi. Ajo tha se në këtë rast duhet të zbatohet parimi objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Zano shpjegoi se apartamenti nuk ishte përdorur prej vitit 2014 nga subjekti, pasi aty kishin jetuar familjarët e tij, por se ishte shënuar formalisht për arsye të dokumenteve bankare. Në vijim, ajo tha se pasuritë ishin këmbyer më vonë, pasi ishte shtuar famija e subjektit dhe e kishte ndërruar apartamentin me prindërit.

Për një konstatim të KPK, se subjekti është përpjekur të shmangi nga hetimi një apartament në Tiranë të përdorur nga fmailjarët, Zano tha se nuk ka pasur një pasuri të tillë.

Komisioni ka hetuar edhe pasuritë e bashkëjetueses së subjektit, për blerjen e një apartamenti në Tiranë, ajo ka deklaruar si burim të ardhurat nga pagat, kursimet e prindërve dhe një hua. Nisur nga fakti se ky apartament është blerë gjatë periudhës kur subjekti dhe bashkëjetuesja kishin njohje, si dhe për arsye se, sipas Bungos, Hoxha është përpjekur të fshehë njohjen mes tyre në atë kohë, apartamenti i saj i është nënshtruar analizës financiare, prej nga është konstatuar pamundësi në shumën 1.3 milionë lekë.

Zano deklaroi se në këtë rast, është analizuar burimi i burimit, edhe pse prindërit e bashkëjetueses nuk kishin pasur asnjë detyrim për deklarimin e pasurive. Ajo tha se kjo pasuri nuk ka pasur arsye as të deklarohet pasi është krijuar në vitin 2005, si dhe këmbënguli se prindërit e bashkëjetueses së subjektit, kanë pasur burime të ligjshme të mjaftueshme.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar bilanc negativ në vlerën totale 5.9 milionë lekë, pamundësi që u kundërshtua si e pabazuar nga subjekti dhe mbrojtësja e tij. Hoxha sqaroi se vetëm babai ka siguruar rreth 12 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti peshkimit.

Zano kërkoi që vlerësimi përfundimtar të merret nën dritën e parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Hoxha. Në një raport të dytë ka paraqitur informacione për përfshirje të mundshme të subjektit në veprime korruptive, por ato nuk janë vërtetuar prej hetimit të Komisionit dhe janë vlerësuar në aspektin profesional.

Relatorja Bungo tha se subjekti duket se nuk ka kryer hetime dhe ka zvarritur disa çështje. Sipas KPK, në pesë raste kur janë hetuar pasojat e shkaktuara në punë, duket se Hoxha nuk ka kryer hetimet e nevojshme. Në dy raste dyshohet se ka pasur favorizim të të hetuarve, në një rast vendimi pushimit konsiderohet prej Komisionit si paarsyetuar dhe në një tjetër çështje se nuk është kryer asnjë hetim.

Po ashtu, u konstatua se nga burime të hapura subjekti ka regjistruar procedim penal për shkelje të rregullave në punë në një rast me pasojë vdekjen, por duket se ka zvarritur çështjen dhe se nuk ka kryer hetimet e nevojshme.

Prokurori Hoxha u mbrojt duke pretenduar se, në rastet kur ishte vendosur mosfillim për aksidentet në punë, kjo kishte ndodhur për arsye të mungesës së pasojës, pasi nuk kishte pasur plagosje të rënda, por të lehta.

Sipas tij, në një rast e kishte pushuar çështjen pasi mungonte subjekti i posaçëm i veprës penale. Hoxha tha se në atë rast përgjgjës duhej të ishte mbikqyrësi i punimeve, por një i tillë mungonte pasi nuk ishte caktuar nga investitori. Për rrjedhojë, kishte pushuar hetimin.

Për rastin e një aksidenti me pasojë vdekjen e dy punonjësve në ish-kombinatin metalurgjik në Elbasan, Hoxha tha se nuk kishte pasur shkelje të rregullave në punë, megjithëse kishte pasojë me jetën e dy perosnave.

Lidhur me çështjen e bërë publike, ai tha se kishte regjistruar procedim për administratorin e shoqërisë, pasi një punonjës i tij kishte humbur jetën në punë dhe e kishte marrë të pandehur.

Ai kundërshtoi dhe gjetjet për favorizimet në dukje, duke theksuar se kishte kryer hetimet e nevojshme.

Në përfundim, prokurori Neritan Hoxha i kërkoi Komisionit që gjatë vendimarrjes të konsiderohet dhe realiteti shqiptar dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 18 korrik, në orën 16:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *