Trupa e KPK gjatë shpalljes së vendimit për Litën. Foto | BIRN
KPK Lajme Veting

Pas arrestimit për korrupsion e krim të organizuar, KPK e shkarkon prokurorin Xhevahir Lita 

Prokurori Xhevahir Lita, u arrestua për korrupsion dhe krim të organizuar gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe pak ditë më vonë u pezullua nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP. Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vijoi investimin në kryerjen e procesit të vetingut të tij, duke e përmbyllur hetimin administrativ paraprak vetëm me konstatimet në kriterin e pastërtisë së figurës.

Të mërkurën më 4 shtator, Komisioni zhvilloi seancën dëgjimore dhe shpalli vendimin për Litën, i cili megjithëse nuk ishte i pranishëm, u përfaqësua nga avokati Arben Nela.

Procesi i vetingut për Litën u krye nga trupa e KPK e kryesuar Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Gjatë operacionit “Metamorfoza”, bazuar në informacionet e sjella nga drejtësia franceze, bashkë me Litën u ndaluan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka i shpallur nga qeveria “Rama” si investitor strategjik dhe dy drejtues të lartë të policisë së shtetit, ndërkohë që u shpallën në kërkim shumë të tjerë të dyshuar për përfshirje në vrasje, pengmarrje, trafik, korrupsion, falsifikime, armëmbajtje pa leje e vepra të tjera penale, të kryera në formën e grupit të strukturar kriminal.

Relatori Ilia sqaroi ndër të tjera se raporti fillestar i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK kishte dorëzuar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Xhevahir Lita, duke e konsideruar të përshtatshëm për të vijuar detyrën, përsa i përket pastërtisë së figurës.

Pas kërkesës së KPK për përditësimin e të dhënave për Litën, AKSIK e ka ndryshuar konstatimin duke vlerësuar se është i papërshtatshëm. Ndryshimi konstatimit është bazuar në të dhënat e siguruara nga prokuroria dhe gjykata e Juridiksionit të Posaçëm, lidhur me çështjen penale ndaj një organizate kriminale, ku akuzohet se bënë pjesë edhe Lita, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nisur nga të dhënat e siguruara në aplikacionet e koduara ose të sigurta SKY dhe EnchroChat, SPAK e akuzon Litën se ka marrë para në këmbim të informacioneve të hetimit për persona të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe i ka orientuar se si të japin deklarime në polici. Sipas Ilias, krijohen dyshime se prokurori Lita ka qenë pjesë e grupit kriminal dhe për rrjedhojë konstatohet mungesë integriteti, se ka kontakte të papërshtatshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut.

Avokati Nela solli në vëmendje se AKSIK ka depozituar fillimisht raport pozitiv. Për raportin e dytë ai nënvizoi se është hartuar gjatë viteve 2020-2021, që nuk i përket periudhës së deklarimit të figurës, 2012-2017. Sipas Nelës, raporti i dytë është tej afateve ligjore dhe për rrjedhojë është i pambështetur në prova e në ligj, pasi ka ardhur si pasojë e procedimit të SPAK. Po ashtu, Nela vërejti se objekt kontrolli janë deklarimet dhe sipas tij, Nela e ka plotësuar në mënyrë të saktë formularin për figurën.

Sipas përfaqësuesit të Litës, hetimi penal është në fazën kur pritet të shqyrtohet kërkesa për gjykim e SPAK dhe se i mbrojturi prej tij është i pafajshëm. Ai solli në vëmendje vendimmarrje të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, duke argumentuar se për përgjimet e SKY dhe EnchroChat, ajo gjykatë është shprehur se bëhet fjalë për përgjime të telekomunikimeve dhe jo për dokumente prova. Nela shtoi se Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka arsyetuar se këto përgjime duhet të shpërfillen nëse nuk komentohen qartë provat.

Në përfundim Nela tha se nuk ka asnjë masë dënimi ndaj Litës dhe kërkoi që të riçelej hetimi për pasurinë dhe profesionalizmin.

Relatori Ilia solli në vëmendje se Komisioni e kishte rrëzuar më parë një kërkesë të tillë. Lidhur me pretendimin e prezumimit të pafajësisë, Ilia theksoi se vetingu është një proces administrativ dhe jo penal.  Pasi trupa e KPK u tërhoq, vendosi në mënyrë unanime ta largojë nga detyra prokurorin Xhevahir Lita, vendimmarrje që u shpall po të mërkurën, në orën 16:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *