Prokurori Afrim Shehu pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme

ONM rekomandon ankimin në Kolegj për prokurorin Afrim Shehu

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM u rekomandoi të hënën më 30 shtator Komisionerëve Publikë që të ushtrojnë ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Afrim Shehu. Sipas ONM, vendimi i Komisionit është i paqartë dhe duhet kontrolluar në Kolegj.

Prokurori Afrim Shehu u konfirmua në detyrë më 15 maj. Gjatë seancës dëgjimore në KPK ai u përball me pyetje për një bilanc negativ, të konstatuar para dhe pas fillimit të detyrës. Subjekti dha gjithashtu shpjegime për disa nga denoncimet e depozituara nga qytetarët. Megjithatë, Komisioni i gjeti bindëse shpjegimet e Shehut dhe e la atë në detyrë. Procesi i vetingut për Shehun u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Pamela Qirkon.

Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.

ONM çmon se disa prej çështjevce të trajtuara në vetingun e prokurorit Afrim Shehu nuk u vlerësuan si duhet, duke e bërë vendimin e Komisionit të paqartë, pasi duket se nuk bazohet në provat e administruara.

Sipas ONM, vendimarrja për Shehun, është në devijim të standardeve që mbahen zakonisht nga vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në praktikën e deritanishme të këtij institucioni, si dhe në kundërshtim me parimet dhe udhëzimet e vendosura nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA.

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë se Shehu nuk arriti të përmbysë barrën e provës lidhur me disa gjetje thelbësore që kanë rezultuar prej hetimit administrativ. Ndërkohë, evidentohet se kundërshtimet e subjektit ndaj gjetjeve, bazoheshin kryesisht në shpjegime të pabazuara në prova.

“Pavarësisht kësaj, Komisioni pranoi shumicën e shpjegimeve të tij, uli në mënyrë drastike minusin që rezultoi nga hetimi dhe vendosi ta konfirmojë subjektin e rivlerësimit në detyrë”, shprehen vëzhguesit ndërkombëtarë.

Në rekomandim paraqitet analiza e disa pasurive, për të cilat konstatohen deklarime jo qëndrueshme, ndryshime të burimeve të krijimit të pasurive të deklaruara më parë, si dhe rezultate negative financiare të ndryshme nga ato të konkluduara nga Komisioni. Sipas ONM, nga analiza financiare e viteve 2014-2016, rezulton bilanc negativ në shumën 7.3 milionë lekë.

Po ashtu, trajtohen dhe çështje profesionale, për të cilat ONM vëren se ka indice të rëndësishme që sygjerojnë se sjellja e subjektit bie ndesh me vlerat themelore që një magjistrat duhet të ketë.

Në përfundim, ONM çmon se vlerësimi i duhur i fakteve mund të çojë në shkarkimin nga detyra të prokurorit Afrim Shehu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *