Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës përballet me pikëpyetje mbi pasurinë dhe etikën

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh financiare dhe dy raste të mundshme të shkeljes së etikës, por kreu i Prokurorisë së Sarandës i kundërshtoi gjetjet dhe e cilësoi procesin të cënuar për shkak të hetimit vetëm për dy kritere.

Drejtuesi i Prokurorise se Sarandes, Edison Ademi para Komisionit te Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme të pasurisë dhe të etikës profesionale. Prokurori Edison Ademi e kundërshtoi procedurën e hetimit administrativ të kryer vetëm për dy kriteret, duke pretenduar se në këto kushte ishte paracaktuar shkarkimi i tij nga detyra.

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Genta Tafa Bungo në cilësinë e kryesueses, Firdes Shuli relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm John Leonardo.

Problemet me pasurinë

Hetimi administrativ për Edison Ademin ka nisur për të tre kriteret, por trupa gjykuese ka vendosur ta mbyllë atë vetëm për pasurinë dhe aftësitë profesionale. Sipas relatores Firdes Shuli, raporti i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKPKI e klasifikonte prokurorin Ademi me deklarim të pasaktë, fshehje pasurie dhe se gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Problemi i pari lidhej me një apartament me sipërfaqe 130 m2 në Vlorë, të prenotuar në vitin 2003 dhe të blerë në vitin 2012 në vlerën 45 mijë dollarëve, me burim shumën e përfituar nga shitja e apartamentit të prindërve në vlerën e 2.5 milionë lekëve si dhe një kredi në vlerën e 30 mijë eurove.

“Janë konstatuar pasaktësi në deklarimet e viteve 2003, 2004 dhe 2012 si dhe u evidentuan paqartësi edhe për një apartament ku subjekti ka jetuar në vitin 2003,” tha relatorja Shuli.

Komisioni ka arritur në përfundimin se Ademi ka pasur burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti në lagjen “1 Maji” në Vlorë në vitin 2002, por ka mospërputhje mes shumave të deklaruara për mobilimin e saj.

Gjatë kryerjes së analizës financiare, komisioni ka konstatuar pa probleme këmbimin e një mjeti tip BENZ të blerë në vitin 2004 me një makinë tjetër. Por sipas KPK-së, prokurori Ademi nuk ka pasur mundësi të blejë makinë në shumën e 800 mijë lekëve në vitin 2012. Për një makinë tjetër tip “Opel” të deklaruar nga prokurori Ademi  se është blerë në shumën e 250 mijë lekëve ka rezultuar se kostot kishin qenë 1 500 euro për blerjen dhe 150 mijë lekë për doganën dhe pajisjen me dokumentet e tjera. Sipas komisionit, edhe për këtë makinë prokurori Ademi nuk ka pasur mundësi financiare për ta blerë.

Relatorja Shuli theksoi se për deklarimet periodike të të ardhurave të përfituara nga vëllai në emigracion në shumën 34 mijë paund për periudhën 2003-2016, subjekti i rivlerësimit nuk paraqiti prova për të vërtetuar ligjshmërinë e tyre për vitet 2003-2015.

Analiza financiare e ka nxjerrë drejtuesin e prokurorisë së Sarandës me mungesë burimesh prej 3 milionë lekësh. Ademi e ka kundërshtuar analizën financiare dhe sipas relatores, ka paraqitur dokumentacion me vulë apostike për të ardhurat e vëllait në vitin 2016.

Komisioni gjeti probleme edhe në marrjen me qira për 99 vite të një ngastre toke-shtet me sipërfaqe 5000 m2 në Nartë nga prokurori Ademi. Relatorja Shuli sqaroi se pikërisht për këtë akt-qiramarrje, ILDKPKI ka konstatuar konfliktin e interesit. KPK ka verifikuar procedurat prej nga është konstatuar se kërkesa është kryer në maj 2012 dhe një muaj më pas është lidhur kontrata e qiramarrjes. Ndërkohë, sipas komisionit, në vitin 2014 është miratuar një ligj që, veç të tjerëve, ndalon edhe prokurorët e gjyqtarët për të lidhur kontrata të tilla. Relatorja Shuli pohoi se subjekti vazhdon ta ketë ende të lidhur këtë kontratë.

Profesionalizimi, probleme në etikë

Përvecc problemeve me pasurinë, relatorja Shuli renditi dy raste të shkeljes së etikës nga ana e subjektit. Sipas saj, Edison Ademi ka komunikuar në telefon me një person, të cilin e kishte hetuar për armëmbajtje pa leje dhe ka lënë takim me të, ndërsa rasti i dytë lidhej me kalimin me makinën e një personi me precedentë penalë në pikën kufitare të Morinës në vitin 2014.

Sipas relatores, në rastin e parë dukej se prokurori kishte marrë në duar ccështjen e një personi që e njihte dhe për të cilin duhej të hiqte dorë. Për rastin e dytë, prokurori Ademi i ka thënë trupës gjykuese se ky person mund të jetë nga Fieri, por se nuk ka ndonjë lidhje me të. “Duket se subjekti nuk e ka thënë të vërtetën”, tha relatorja Shuli edhe për këtë rast.

Kundërshtitë ndaj KPK-së

Drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës i kundërshtoi gjetjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me një sërë kërkesash, ndërkohë që pretendoi se një person i hetuar prej tij për trafik narkotikësh dhe që “kishte të afërm në KPK” ishte betuar që do ta shkatërronte pasi nuk kishte marrë dot pafajësi.

Ademi tha gjithashtu se nuk ishte i qartë nëse ishte respektuar hedhja e shortit apo nëse vëzhguesi ndërkombëtar kishte qenë i përfshirë në procesin e rivlerësimit të tij, pasi nuk kishte asnjë dokument që t’i vërtetonte këtë gjë. Ndërkohë kërkoi shpalljen të pavlefshëm të raportit të ILDKPKI, marrjen në konsideratë të kërkesës për dosjen e plotë, rihapjen e hetimeve për pasurinë, thirrjen e ekspertëve të ILDKPKI dhe rihapjen e hetimit për figurën.

“Mospërfshirja e kriterit të tretë cënon procesin, pasi më është hequr e drejta të kërkoj konfirmimin. Kërkoj bashkimin e tri kritereve,” theksoi ndër të tjera prokurori Ademi. Ai shtoi se nuk kishte asnjë akt që ONM të ketë marrë pjesë në proces, edhe pse sipas tij janë garanci e procesit. Më tej prokurori Ademi e cilësoi raportin e ILDKPKI si të paligjshëm dhe se publikimet e të dhënave të tij e të familjarëve prej këtij institucioni përbënin rrezik.

Ai tha se nuk kishte fshehur asnjë pasuri dhe sqaroi gjetjen për mospagesën e makinës me të cilën kishte kryer kontratë-shitblerje me të vëllanë. Ademi tha se vëllai ia kishte falur makinën tip Benz, të cilën më pas e kishte ndërruar me një autoveturë më ekonomike.

Lidhur me kërkesat e paraqitura nga prokurori Edison Ademi, trupa gjykuese u tërhoq për të marrë një vendim. Pas rikthimit të trupës, kryesuesja Bungo pohoi se kishin vendosur të refuzojnë kërkesat nr.10 dhe nr.11 për thirrjen ekspertëve të ILDKPKI, pasi ata e kanë shprehur qëndrimin e tyre. Ndërkohë, KPK ka vendosur të rrëzojë edhe kërkesat nga 1 deri në 9 dhe të 12-ën, duke konsideruar se nuk plotësonin kushtet ligjore. Bungo sqaroi se ky vendim mund të ankohej së bashku me vendimin përfundimtar.

Prokurori Ademi tha se nuk kishte asgjë për të fshehur dhe se ndjehej i befasuar me gjetjen e deklarimit të rremë për të ardhurat e vëllait nga emigracioni, duke pohuar se i kishte deklaruar gjithmonë. Ademi u ndal edhe në konstatimin për konflikt interesi lidhur me marrjen me qira në 5000 m2 tokë bujqësore në Nartë. Ai pohoi se toka ishte marrë me qira në vitin 2012 dhe se ligji i ri i vitit 2014 nuk kishte fuqi prapavepruese. Gjithashtu, drejtuesi i prokurorisë së Sarandës shpjegoi se nuk kishte pasur asnjë lloj interesi apo përfitimi nga marrja e kësaj sipërfaqe toke me qira, por se gjithçka e kishte bërë për të atin që kishte nostalgji për tokën që i kishin marrë kohë më parë.

Lidhur me gjetjet e Komisionit për etikën, ai sqaroi se telefonata që pretendohej nga KPK ishte kryer disa muaj para se të hetonte personin në fjalë.

“Unë kam kërkuar dënimin e këtij personi dhe nuk e kam favorizuar,” tha ai.

Ndërsa për personin me të cilin kishte udhëtuar drejt Kosovës, prokurori Ademi shpjegoi se mund të kishin lidhje familjare të largëta dhe se mund të kishin udhëtuar bashkë me sugjerim të babait të tij, por se nuk kishte kontakte të papërshtatshme me këtë person dhe se nuk mbante përgjegjësi për çfarë mund të bënte ai.  Edhe relatorja e çështjes Firdes Shuli pohoi se nuk ishin konstatuar lidhje të papërshtatshme me këta dy persona.

Në fund të seancës, prokurori Edison Ademi e cilësoi procesin si të lodhshëm për të të dyja palët. Ai tha se në rreth 21 vite punë nuk ka pasur kontestime apo pretendime nga publiku dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Komisioni vendosi të shpallë vendimin më datë 9 prill ora 09:15.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *