Gjyqtari Artur Malaj me raport mjekësor, shtyhet seanca në Kolegj
Lajme

Gjyqtari Artur Malaj me raport mjekësor, shtyhet seanca në Kolegj

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj po përballet në shkallën e dytë të vetingut me kërkesën për shkarkimin e tij nga Komisioneri Publik dhe ONM.

Gjyqtari Artur Malaj gjatë seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, datë 19.07.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu seancën ndaj gjyqtarit Artur Malaj të mërkurën, pasi ky i fundit dorëzoi përmes bashkëshortes së tij një raport mjekësor. Kryesuesja e trupit gjykues, Rezarta Schuetz tha në fillim të seancës se ishin njoftuar në mënyrë informale në sekretari se subjekti nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të problemeve shëndetësore.

E ulur në vend të subjektit përballë trupit gjykues, Ledina Malaj tha se bashkëshorti i saj ishte sëmurë dhe e kishte të pamundur praninë në seancë. Kryesuesja Schuetz lexoi më pas raportin mjekësor, lëshuar nga qendra shëndetësore nr.1 në Tiranë, e cila konfirmonte paaftësinë për punë në datat 24-27 shtator si dhe kërkesën e gjyqtarit Malaj për të caktuar një datë tjetër të përshtatshme për të qenë i pranishëm në paraqitjen e provave në kuadër të një analize të re financiare.

Komisioneri Publik nuk e kontestoi kërkesën dhe e la atë në vlerësimin e gjykatës. Pas një tërheqjeje të shkurtër të vendim, trupa gjykuese caktoi 3 tetorin si datën e seancës së ardhshme.

Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit dhe kandidat për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë po përballet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesën e Komisionerit Publik dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tij. Konfirmimi i tij i diskutueshëm në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit është ankimuar mbi bazën e kriterit të pasurisë.

Ankimi i Komisionerit Publik kundër Malajt përqendrohet në burimet e pasurisë, deklarimet e pamjaftueshme, si dhe dyshimet për pasuri të fshehur që lidhen me dy pasuri të paluajtshme në Vlorë dhe Tiranë, si dhe vlerësimin si person të lidhur të motrës, kunatit dhe nipit të subjektit.

Komisioneri Publik ka kërkuar gjithashtu cilësimin si persona të lidhur të motrës, kunatit dhe nipit të subjektit, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se me anë të burimeve financiare jo të ligjshme, gjyqtari Malaj është kontribuesi kryesor në krijimin e pasurive të tyre. Ky dyshim bazohet në raportimet e organeve ligjzbatuese.

Në parashtrimet e tij para Kolegjit, Malaj pretendoi se kishte burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë, e cila sipas tij përbëhej nga një apartament, një garazh dhe një makinë Volsvagen Golf.

Gjyqtari kundërshtoi gjithashtu kërkesën e Komisionerit Publik për cilësimin nga Kolegji i Posaçëm i Apelimi i motrës, kunatit dhe nipit si persona të tjerë të lidhur me subjektin, duke pretenduar se marrëdhënia e tij me tre të afërmit nuk ishte e llojit për të cilën ligji i rivlerësimit kalimtar parashikonte cilësimin si persona të tjerë të lidhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *