Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

ILDKPKI: 51% e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk e kalojnë vetingun

Kryeninspekori Shkëlqim Ganaj i tha deputetëve se më shumë se gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk do ta kalojnë testin e vetingut.

Kryetari ILDKP, Shkelqim Ganaj, duke hyre gjate Analizes Vjetore te Drejtesise ne Shqiperi 2015 | Foto : LSA

Inspektori i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave Shkëlqim Ganaj, ka deklaruar të enjten se 51% e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nga 794 që janë subjekt i veprimit të ligjit të vetingut, rrezikojnë të largohen nga sistemi i drejtësisë.

I thirrur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për të raportuar mbi punën e institucionit që drejton gjate vitit 2017, Ganaj tha se gjyqtarët që pritet të merren në sitën e vetingut kanë bërë fshehje të pasurisë dhe  deklarata të rreme.

“Rezulton që 51% e tyre të kenë probleme qoftë për fshehje pasurie, qoftë për deklarime të rreme, qoftë për raste konflikt interesi,” deklaroi  kryeinspektori.

Ganaj sqaroi se problematikat më të mëdha ndër dosjet e dorëzuara në ILDKPKI  janë konstatuar tek anëtarëve të gjykatave të Apelit, ku subjekt i  rivlerësimit janë 373 gjyqtarë.

“Pjesa e gjyqtarëve të Apelit është pjesa që ka problematikën më të lartë. Duke qenë se te ne ka arritur shifra 51%, imagjinoni ku do te arrij shifra më tej duke marrë në konsideratë edhe dy aspekte të tjera të vetingut, atë profesional dhe të figurës,” tha kryeinspektori.

Ganaj tha se prioritet i punës së institucionit që drejton ka qenë hartimi i raporteve përfundimtarë me dosjet respektive të subjekteve të rivlerësimit pranë organeve të rivlerësimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

“Inspektorati i Lartë, me qëllim përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për realizimin e kontrollit të plotë të deklaratave të pasurisë lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë, dërgoi korrespondencën shkresore për marrjen e informacionit për më shumë se 3.000 persona, subjekte të rivlerësimit dhe persona të lidhur,” shpjegoi Ganaj,  sipas të cilit këto të dhëna të detajuara i janë vënë në dispozicion institucioneve të rivlerësimit të  gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rastet e konstatuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit por të nxjerrë të pastëe nga ILDKPKI, kryeinspektori i argumentoi me pamundësinë e institucionit që drejton për të bërë një verifikim të plotë të subjektivë deklaruese.

“ILDKPKI është i kufizuar, qoftë edhe në sistemin TIMS, ne kemi akses në banka, hipoteka dhe tatime dhe këtu mbyllet historia jonë. Ndërsa Vettingu ka akses më të madh në kompetenca dhe kohë,” tha Ganaj.

Rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve filloi me seanca dëgjimore në fund të muajit mars dhe ka shqyrtuar deri tani 24 subjekte, nga të cilët 13  janë konfirmuar në detyrë dhe 11 janë shkarkuar nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *