Gjyqtari Rexhep Karaj pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Rexhep Karaj paraqet në KPA kundërshtimet ndaj hetimit pasuror të KPK

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shqyrtoi në seancë publike të mërkurën më 29 mars 2023 ankimin e kryer nga gjyqtari i Matit, Rexhep Karaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij. Karaj u paraqit në Kolegj me djalin e tij, Ardian Karaj, për të cilin sqaroi se ishte ndjekur Shkollën e Magjistraturës dhe kërkoi që të përfaqësohej prej tij, edhe në mungesë – kërkesë që u pranua prej Kolegjit. Megjithatë, thuajse gjatë gjithë seancës së zgjati rreth pesë orë e gjysmë, gjyqtari Rexhep Karaj i paraqiti vetë shpjegimet lidhur me shkaqet e ngritura prej tij në ankim.

Kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Rezarta Schuetz shpjegoi në fillim se kalimi i shqyrtimit të ankimit të Karajt në seancë publike ishte vendosur pasi në vendimin e Komisionit ishin konstatuar shkelje të rënda procedurale.

Rexhep Karaj u shkarkua nga detyra më 25 nëntor 2021 nga Komisioni pasi u konkluduan probleme për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll hetimi administrativ në shkallën e parë. Sipas Komisionit, subjekti nuk ishte treguar bashkëpunes gjatë hetimit administrativ dhe se kishte kryer shpesh deklarime kontradiktore për mungesën e burimeve financiare për pasuritë e deklaruara.

Nga analiza financiare Komisioni arriti në konkluzionin se Karaj jendej në pamundësi financiare për mbulimin e investimeve dhe shpenzime në vlerën 8.2 milionë lekë, nga fillimi i detyrës deri në vitin 2016.

Rexhep Karaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi për rreth dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Matit.

Karaj u ndal fillimisht në konstatimin e Komisionit për mungesën e bashkëpunimit gjatë hetimit administrativ. Ai sqaroi se kur i është dërguar pyetësori i tretë nga KPK, ka kërkuar kohë për të kthyer përgjigjet pasi kishte ndërruar jetë baxhanaku. Sipas subjektit, KPK nuk i kishte kthyer përgjigje për këtë kërkesë dhe e kishte konsideruar si të miratuar në heshtje. “Kur u ktheva përgjigje më shkruan se sjellja ime nuk ishte e përshtatshme”, pohoi Karaj.

Ai deklaroi se në vijim ishte shtruar në Spitalin e Dibrës për 8 ditë pasi kishte qenë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe se e kishte njoftuar Komisionin për këtë situatë. “Por, më është kryer procedura e vetingut kur po merrja ndihmë në spital. Në këtë mënyrë mbeta pa u dëgjuar edhe pse kisha kërkuar që të isha i pranishëm”, shtoi subjekti duke e cilësuar hetimin dhe gjykimin të paplotë.

“KPK thotë se nuk kam qenë bashkëpunues, por nuk ka qenë Komisioni pasi nuk më ka dhënë kohë”, theksoi ai.

Karaj e cilësoi të pabazuar dhe të padrejtë analizën financiare të Komisionit që ka konkluduar bilancin negativ në vlerën 8.2 milionë lekë. Ai solli në vëmendje të Kolegjit se vajzat dhe djali pasi kishin përfunduar studimet e larta, kishin punuar që të tre. “Jemi një familje ku kemi punuar të gjithë dhe sipas standartit shqiptar kemi qenë të mirëpaguar”, pohoi Karaj.

Ai shpjegoi se zotëronte dy pasuri të paluajtshme, një apartament në Burrel të përfituar si i pastreh, për të cilin kishte paguar në vitin 2006 shumën 540 mijë lekë dhe një apartament me sipërfaqe 92 m2 në Tiranë që e disponon prej një viti.

Lidhur me një shtëpi banimi dy kate në fshat dhe tokën bujqësore ai tha se i posedon për shkak të trashëgimisë. Sipas tij, babai i ka treguar se shtëpia është ndërtuar në vitin 1928 dhe se aktualisht është në gjendje gati të rrënuar. Për tokën shpjegoi se ka qenë e pronë e parardhësve para vitit 1945 dhe ngaqë nuk i ishte dhënë në përdorim askujt në zbatim të ligjit “Për tokën”, e kishte disponuar dhe ishte në proces regjistrimi.

Karaj deklaroi se dispnon edhe dy automjete. Për tre makina të tjera të konstatuara prej KPK-së, pretendoi se bëhej fjalë për të njëjtin shpenzim, një makinë që i’ua kishte blerë vajzave që të ktheheshin në mbrëmje nga puna dhe se të tjerat ishin blerë me vlerat e përfituara nga shitja e mjetit parardhës.

Në vijim subjekti u përqëndrua në deklarimet në vite. Ai deklaroi se në periudhën kur duhej të plotësohej deklarata fillestare e vitit 2003, kishte qenë për kurim jashtë shtetit. Sipas tij, kjo deklaratë ishte plotësuar prej bashkëshortes pa dijeninë e tij, pasi i ishte sygjeruar nga një koleg për shkak se përfundonte afati i dorëzimit.

Gjyqtari Karaj pretendoi se në deklaratën e vitit 2003 nuk ishin përshkruar të gjitha të dhënat për pasurinë dhe se çdo gjë ai e kishte deklaruar me detaje në vitin 2004. “Kërkoj që si deklarim fillestar të konsiderohet ai i vitit 2004, ndërsa deklarimi i vitit 2003 të mos merret për bazë”, kërkoi Karaj dhe vërejti se Komisioni nuk e kishte pranuar këtë rrethanë, megjithëse e kishte sqaruar.

Sipas subjektit, për shkak të mangësive të deklaratës së vitit 2003 të plotësuar nga bashkëshortja dhe moskonsiderimit të të dhënave të pasqyruara në 2004-ën, ishte konkluduar padrejtësisht një bilanc negativ në shumën 2.1 milionë lekë. Sipas tij, në vitin 2003 nga bashkëshortja janë pasqyruar vetëm të ardhurat nga pagat. Karaj u shpreh i gatshëm që shkrimi në deklaratën e vitit 2003 t’i nënshtrohej ekspertimit për të konstatuar nëse ishte i bashkëshortes dhe po tregonte të vërtetën.

Ai vërejti se Komisioni kishte pranuar se dhe në vitin 2003 duhej të kishte pasur gjendje cash bazuar në përllogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve, por se nuk e kishte konsideruar në analizë, pasi nuk ishte pasqyruar në deklarimin e plotësuar nga bashkëshortja.

Karaj e cilësoi të çuditshëm qëndrimin e Komisionit lidhur me deklarimit e vitit 2014. Ai shpjegoi se në deklaratat periodike kishte deklaruar gjendjen cash të kursyer në çdo vit dhe jo atë progresiv. “Sipas përllogaritjes të kryer nga vetë KPK del se gjendja ime e cash-it do të ishte rreth 6 milionë lekë në vitin 2013, rezultat me të cilin jam dakord. […]Në vitin 2014 kam shënuar 800 mijë lekë dhe KPK më thotë se janë pakësuar 5.2 milionë lekë, kur i’u kam sqaruar se 800 mijë lekë ishin kursyer në vitin 2014. Ishim të gjithë të punësuar atëherë dhe kishim mundësi të kursenim këtë shumë”, sqaroi Karaj dhe këmbënguli se me mënyrën e përllogaritjes së Komisionit gjendej në një “gropë financiare” të pavërtetë.

Subjekti pretendoi se Komisioni duhej ta kishte pyetur se me çfarë është pakësuar gjendja cash në shumën 5.2 milionë lekë. Ai theksoi se nuk e kuptonte mënyrën e përllogaritjes së kryer nga KPK.

Karaj sqaroi se në vitin 2016 kishte deklaruar një hua në shumën 50 mijë euro dhënë një subjekti ndërtues, që ka qenë në këmbim të apartamentit të përfituar së fundmi. “Si erdhi kjo shumë”, tha Karaj dhe këmbëngulur se ishin kursimet e jetës, vit pas viti.

Subjekti shpjegoi arsyen se përse këtë shumë nuk ia kishte dhënë shoqërisë nëpërmjet bankës. Sipas tij, shoqëria ndërtuese kishte të bllokuar gjithë llogaritë bankare bazuar në një urdhër ekzekutimi që po zbatohej nga një përmbarues gjyqësor për shkak të një kredie. Sipas Karajt, kjo kishte qenë dhe arsyeja se përse administratori shoqërisë kishte kërkuar huan dhe i kishte premtuar në këmbim një apartament 2+1 që i ishte vënë në dispozicion 6 vjet më vonë. Me këtë argument ai justifikoi edhe çmimin, duke theksuar se kishte kryer pagesë kohë përpara se të fillohej ndërtimi i pallatit.

Në vijim, Karaj kërkoi që të konsideroheshin të ardhurat e siguruara nga punësimi i paregjistruar i vajzës në një farmaci, për rreth dy vjet. Ai shpjegoi se e bija kishte përfunduar studimet, por nuk kishte marrë licensën dhe për këtë arsye nuk mund të regjistrohej nga punëdhënësi. Por ai deklaroi se lejohej të punonte. Sipas subjektit, mospërshirja e këtyre të ardhurave kishte sjellë një bilanc negativ në analizë, në shumën 800 mijë lekë.

Ai solli si argument për të kundërshtuar bilancin e Komisionit edhe analizën finaciare të kryer nga BIRN, të publikuar një ditë përpara seancës dëgjimore, duke theksuar se aty balanca negative rezulton në vlerën rreth 1.1 milion lekë. BIRN sqaron se skeda e pasurisë së subjekteve të rivlerësimit kalimtar që publikohet, përpilohet bazuar në deklaratat e pasurisë së magjistratëve pranë ILDKPKI-së, që redaksia i ka siguruar nëpërmjet kërkesave për informim. Ndërsa institucionet e vetingut kryejnë hetime të pavarura, bazuar edhe në burime të tjera për sigurimin e të dhënave dhe fakteve.

“Pra kam pasur në vitin 2013 gjendje cash në vlerën 6 milionë lekë”, deklaroi Karaj dhe në vijim u ndal në një bilanc negativ të konstatuar në këtë vit në shumën 647 mijë lekë. Sipas tij, ishte penalizuar në mënyrë të padrejtë pasi ishn përllogaritur shpenzimet e gjithë anëtarëve të familjes për qëndrimin në Itali disa ditë. Ai shpjegoi se kishte qenë në Itali i ftuar nga një kushërirë, me rastin e një ceremonie pagëzimi. Për të vërtetuar se nuk kishte pasur shpenzime për qëndrimin atje, subjekti vendosi në dispozicion të Kolegjit disa foto që sipas tij tregojnë se dy vajzat dhe fëmijtë e kushërirës kishin shtruar në dysheme për të fjetur.

Karaj deklaroi se e kishte bërë këtë foto për humor dhe pretendoi se dispononte prova që vërtetonin se i përkisnin atij viti, të cilat i depozitoi në KPA.

Ai kërkoi që të përfshiheshin në analizë edhe të ardhurat e nënës nga pensioni dhe të bashkëshortes si koordinatore e një projekti, në vlerën 6500 euro. Subjekti pretendoi se kishte sjellë dokumente zyrtare për çdo pretendim që parashtronte.

Sipas tij, bilanci negativ i KPK në shumën 8.2 milionë lekë është pikërisht sa gjithë vlera e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që familja e tij ka krijuar në vite, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë në masën 20 milionë lekë.

I pyetur nga relatorja Mimoza Tasi lidhur me mënyrën e deklarimit të likujditeteve në vite, subjekti pohoi se në çdo deklarim periodik kishte pasqyruar gjendjen cash që kishte kursyer në vitin përkatës dhe jo të gjithë vlerën që ishte në gjendje. Paqartësinë në mënyrë e deklarimit ai e justifikoi edhe me mungesën e trajnimeve dhe sqarime nga ILDKPKI. “Nëse do më kishin thënë të kisha kujdes se kishte gjëra të paqarta në deklarime, me siguri do ta kisha shfrytëzuar”, deklaroi Karaj dhe ripërsëriti se nuk e kishte përdorur termin e cash-it progresiv, ndërsa vërejti se një vit kishte pasqyruar pakësimin e një depozite.

Kolegji vendosi çeljen e hetimit gjyqësor dhe administroi pjesën më të madhe të provave të dorëzuara nga subjekti. Njëkohësisht u vendos edhe mbyllja e shqyrtimit gjyqësor dhe gjyqtari Rexhep Karaj kërkoi në përfundim që të prishej vendimi i Komisionit dhe të kthehej çështja për të vijuar me hetimin administrativ për figurën dhe profesionalizmin. KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 7 prill, në orën 11:00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *