Prokurori Urim Buci pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare për prokurorin Urim Buci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të premten më 16 shkurt me konkluzionet përfundimtare në çështjen e rivlerësimit kalimtar të prokurorit të Dibrës, Urim Buci. Komisionerja Publike, Irena Nino kërkoi shkarkimin nga detyra për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa Buci kundërshtoi ankimin duke i cilësuar të pabazuara pretendimet e Komisioneres dhe këmbënguli se kishte vërtetuar ligjshmërinë e burimeve në pasurinë e tij.

Po ashtu, ai solli në vëmendje të trupit gjykues të KPA-së edhe faktin se pasuritë që ai zotëron janë krijuar para fillimit të detyrës.  Kolegji vendosi të mos hetojë një denoncim të mbërritur së fundmi ndaj subjektit, duke e cilësuar të mangët.

Urim Buci u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 27 prill 2023, por vendimi u ankimua në Kolegj mbi bazën e një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Komisionerja Nino ngriti shkaqe ankimi për pasurinë dhe për gjendjen e dyshuar të konfliktit të interesit, të cilave ajo edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare. Lidhur me pasurinë tokë arë dhe godinë me 3 kate + 1 kat papafingo, Nino vërejti se edhe pas shqyrtimit të çështjes në Kolegj, nuk u provuan pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbi deklarimet kontradiktore lidhur me pjesët takuese, kohën, vlerën, kontributet reale dhe burimet e ligjshme të përdorura për krijimin e kësaj pasurie.

Sipas saj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë pretendimet lidhur me masën e kontributit të tij, të vëllait dhe të kunatit. Po ashtu, Komisionerja tha se nuk u provuan as pretendimet e subjektit lidhur me koston totale të investimit për ndërtimin e kësaj pasurie.

Ajo solli në vëmendje se në vitin 2004 është shënuar vlera e ndërtimit në shumën 10 milionë lekë dhe vit krijimi 1995 e burim të ardhurat e vëllait nga emigracioni, me pjesë takuese 50%; në deklaratën e vitit 2015 para fillimit të detyrës nuk është deklaruar kosto, por pjesë takuese 100% dhe burim të ardhurat e vetë subjektit nga emigracioni për periudhën 2000-2004; ndërsa në deklaratën “veting” vlera e ndërtimit është pasqyruar në shumën 6.9 milionë lekë dhe pjesë takuese 100%, me burim të ardhurat nga emigracioni. Nino nënvizoi se gjatë hetimit administrativ, Buci ka pretenduar se është investuar prej tij vetëm vlera 3.5 milionë lekë.

Komisionerja vlerësoi se deklarimet kontradiktore çojnë në pamundësi të kontrollit dhe verifikimit të saktë të burimeve, kohës dhe vlerës së krijimit të kësaj pasurie.

Nino u qëndroi parashtrimeve të mëparshme se Buci nuk arriti të provojë ligjshmërinë e të ardhurave të pretenduara nga puna në emgracion, si dhe as nuk ka deklaruar posedim të këtyre likujditeve cash në 2005-ën, kur ka kryer deklarim në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore.

Në përfundim të këtyre shkaqeve, Nino u shpreh se subjekti ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.

Komisionerja publike tha se u qëndronte edhe shkaqeve lidhur me gjendjen e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit në një marrdhënie kontraktuale qiradhënie me Bashkinë Kamëz si dhe konstatimeve nga vlerësimi denoncimeve të publikut ku janë vërejtur të meta e mangësi të Bucit në aftësinë për të ndërmarrë hetimin apo kryer ekzekutimin e vendimit penal. Megjithëse ajo vërejti se të vetme këto shkaqe nuk mund të sjellin penalizim, kërkoi që të mbahen në konsideratë nga Kolegji në vlerësimin tërësor.

Në përfundim, Komisionerja Irena Nino kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të prokurorit Urim Buci.

Prokurori Urim Buci theksoi se është provuar se në emigracion ka përfituar të ardhura të ligjshme në vlerën që ka deklaruar. Sipas tij, pagesa e detyrimeve duhej të ishte kryer nga punëdhënësi. Sipas subjektit, këto të ardhura janë deklaruar para fillimit të detyrës dhe gjatë hetimit administrativ.

Ai e cilësoi të drejtë vlerësimin e KPK-së dhe pretendoi se shuma e deklaruar përkon me periudhën që ai ka qenë në emigracion. “Isha në kushtet e nevojës për punësim,” deklaroi Buci në seancë.

Subjekti vërejti se pasuria objekt i ankimit ishte krijuar para detyrës. Po ashtu, pretendoi se analiza negative e konstatuar për të ardhurat nga emigracioni para fillimit të detyrës, nuk mund të afektojnë vlerësimin e tij.

Buci pretendoi se pasaktësitë nuk mund të sjellin penalizim dhe kërkoi që për të ardhurat nga puna në emigracion të aplikohet parimi i proporcionalitetit. “Është vetëm një shtëpi e ndërtuar me të ardhura nga emigracioni dhe para filllimit të detyrës”, deklaroi Buci ndër të tjera dhe këmbënguli se arrin nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit, pasurisë, figurës dhe profesionalizmit. Ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

Pas përfundimit të parashtrimit të bisedimeve përfundimtare, Kolegji mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për të marrë vendimin, që do të shpallet më 26 shkurt, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *