Presidenti Ilir Meta dhe Besnik Muçi gjatë betimit si i zgjedhuri i parë i Gjykatës Kushtetuese në Presidencë. Foto: Presidenca
KPA Lajme Vendi

Kolegji mbyll hetimin për anëtarin e Kushtetueses Besnik Muçi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi mbylljen e hetimit gjyqësor për të zgjedhurin sëfundmi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi. KPA rrëzoi një kërkesë të Muçit për një provë të re që pritej nga Turqia.

Besnik Muçi gjatë betimit si i zgjedhuri i parë i Gjykatës Kushtetuese në Presidencë. Foto: Presidenca

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pasi dëgjoi të enjten se palët nuk kishin prova të reja vendosi të mbyllë hetimin gjyqësorë për ankimin e Komisionerit Publik ndaj konfirmit prej KPK të anëtarit më të ri të Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi.

Kolegji dëgjoi fillimisht Komisionerin Publik i cili tha se provat e paraqitura nga Muçi në seancën e kaluar, nuk ndryshonin asgjë sa i përket pamjaftueshmërisë financiare. Më pas Muçi paraqiti dy vëretetime postare dhe kërkoi nga KPA që të pranonte në momentin që do të vinin si prova dy dokumente për të ardhurat e një prej huadhënësve nga Turqia.

Kryesuesi i trupës i vuri në dukje Muçit se ai kishte pasur mjaftueshëm kohë për ti sjellë këto dokumente që ende nuk kishin mbërritur. Subjekti pretendoi se më herët ai nuk e kishte parë të nevojshme paraqitjen e këtyre provave. Komisioneri Publik e la vendimin mbi këto prova në dorë të Kolegjit, por u tha se ishte i gatshëm të shprehej edhe për to pa pritur që të vinin nga Turqia.

Muçi po ashtu bëri një parashtrim të situatës së tij finaciare për disa vite, ndërsa këmbënguli se bazuar në të dhënat e INSTAT për shpenzimet familjare ai kishte pasur mjaftueshëm të ardhura dhe rezultonte me balancë pozitive ose minimalisht negative.  Po ashtu ai pretendoi se në disa raste të ngjashme Komisioneri Publik nuk kishte bërë ankim. Muçi tha se referencë ishin marrë vendimet të KPK të pa ankimuara. Ai po ashtu paraqiti një version anglisht të këtyre parashtrimeve.

Pas një pushimi 10 minutësh KPA refuzoi të shtynte procesin për të pritur provën që sipas Muçit ishte nisur me postë nga Turqia, ndërsa pranoi të merrte në konsideratë parashtrimet në anglisht duke ia lënë përgjegjësinë për to vetë Muçit. KPA vuri në dukje se për të referencë mbetej version në shqip dhe përkthimi që bëhej nga përkthyesit e institucionit.

Me 18 tetor Muçi u betuar përpara Presidentit të Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka mbaruar studimet në vitin 1995 dhe ka punuar për 20 vjet si prokuror. Një vit më parë ai arriti të kalojë shkallën e parë të vetingut, por vendimi u apelua dhe ai po përballet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesën për shkarkim nga ana e Komisionerit Publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *