Gjyqtarja Administrative e Apelit, Alkelina Gazidedja, gjatë seancës dëgjimore në Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, me datë 09.01.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN
KPA Lajme Vendi

KPA mbyll hetimin në çështjen ndaj gjyqtares Alkelina Gazidede

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi kërkesën e Komisionerit Publik për të mbyllur hetimin në çështjen ndaj gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit Alkelina Gazidede dhe ftoi palët për bisedimet përfundimtare.

Gjyqtarja Administrative e Apelit, Alkelina Gazidedja, gjatë seancës dëgjimore në Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, me datë 09.01.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të përfundojë hetimin gjyqësorë në çështjen ndaj gjyqtares Alkelina Gazidedja.

Gazidede, e cila u konfirmua në 10 korrik 2020 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, u referua për apel nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe u ankua nga Komisioneri Publik i cili kërkon shkarkimin e saj nga detyra për shkak të problemeve në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.

Vendimi për të mbyllur procesin u mor pasi Kolegji administroi si prova dy vendimet të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me procedurat disiplinore të pezulluara ndaj gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit Alkelina Gazidede.

Vendimet e ILD, një pezullim për shkak të parashkrimit dhe një pezullim deri në vendimmarrjen e KPA, u depozituan nga gjyqtarja. Komisioneri Publik Dariel Sina mbajti në seancë qëndrimin se dy vendimet nuk kishin rëndësi për “rivlerësimin profesional të gjyqtares” nga Kolegji.

Në të njëjtën seancë Gazidede referoi në lidhje me një denoncim ndaj saj. Gjyqtarja këmbënguli se mënyra e përfundimit të çështjes ishte e parashikuar në ligj.

Në seancën e mëparshme publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit Komisioneri Publik Dariel Sina dhe Gazidede, e avokatja e saj Irena Reso u përballën mbi argumentet e ngritura në ankim kryesisht mbi të ardhurat e ligjshme për ndërtimin e një shtëpie, blerjen e një dyqani, mos deklarimin e gjendjes cash në disa vite dhe problemet në kriterin e aftësive profesionale. Këto të fundit KPK i kishte referuar për vlerësim në ILD.

Në fund të seancës Komisioneri Sina kërkoi mbyllje të hetimit. Trupa e kryesuar nga Ina Rama, me relator Ardian Hajdari e anëtarë  Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz pranoi kërkesën dhe caktoi seancën e konkluzioneve përfundimtare më 9 nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *