Prokurori Julian Çafka pas një seance në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA dërgon prokurorin Julian Çafka për riedukim në Shkollën e Magjistraturës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të premten më 5 prill vendimin për ndryshimin e vendimarrjes së Komisionit për prokurorin e Gjirokastrës, Julian Çafka dhe pas konstatimeve të probleme në kriterin profesional, e pezulloi atë për një vit nga detyra, duke e urdhëruar që të ndjekë trajnimin pranë Shkollës së Magjistraturës. Vendimarrja e Kolegji u njoftua se ishte me shumicë votash.

Gjatë shpalljes së vendimit u konstatuan probleme në aspektin profesional në disa çështje të hetuara dhe përfaqësuara prej prokurorit Çafka. Konkretisht, u evidentuan zgjatje të hetimeve tej afateve, moszbatimi i detyrave të lëna nga gjykata, vendime të pargumentuara të zgjatjes së heitmeve paraprake, si dhe veprimatari e pamjaftueshme hetimore që është konfirmuar dhe nga vendimarrjet e gjykatave që në mënyrë të përsëritur i kanë rrëzuar kërkesat për pushimin e çështjeve.

Në përfundim, Kolegji me shumicë votash, e ka gjetur të drejtë kërkimin Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe dërgimin e Çafkës për 1 vit trajnim në Shkollën e Magjistraturës.

Prokurori Julian Çafka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 14 shtator 2021, pasi disa çështje të denoncuara nga publiku ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera nga drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Gjirokastrës nuk u konsideruan penalizuese. Ndërkohë, KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej prokurorit Çafka në vitet 2018 dhe 2019, për “inspektim të shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore”.

Gjatë procesit në Kolegj, Çafka i justifikoi problemet e gjetura me ngarkesën e lartë në punë, kompleksitetin e çështjeve dhe këmbënguli që ato nuk ishin të tilla sa të ndëshkoheshin nga institucionet e rivlerësimit. Çafka referoi në KPA precedentë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mbi pavarësinë e magjistratëve dhe kërkoi që të lihej në fuqi vendimi i konfirmimit në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *