Gjyqtarja Miranda Andoni pas seancës në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Veting

KPA riçel hetimin për gjyqtaren Miranda Andoni

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën parashtrimet e Komisioneres Publike, Irena Nino në ankimin ndaj vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni. KPA po ashtu dëgjoi parashtrimet e Andonit që kërkoi lënie në fuqi të vendimit, ndërsa këmbënguli se pretendimet e Komisionerit Publik për mungesë burimesh dhe probleme të profesionalizmit nuk qëndronin.

Andoni u konfirmua në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në qershor 2020, por KPK relatoi atë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sa i përket një çështje në kriterin e profesionalizmit. Ish-Komisioneri Publik Dariel Sina nuk ra dakord me vendimin e KPK dhe ankimoi në tërësi konfirmimin e Andonit, duke arsyetuar në mungesë burimesh për pasurinë dhe problemet e profesionalizmit.

Trupa që po gjykon çështjen në Kolegj kryesohet nga Natasha Mula, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi.

Në seancë Komisionerja Irena Nino, që zëvendësoi Sinën pas emërimit të këtij të fundit në Gjykatën e Lartë, i qëndroi ankimit. Ajo këmbënguli të hetohej nëse personat e lidhur me gjyqtaren kishin apo jo kontrata të tjera me OSHE-në për energjinë elektrike dhe po ashtu të hetoheshin kontratat e kredive të nënshkruara nga bashkëshorti i subjektit. Komisionerja tha se për këto kontrata për të cilat KPK ishte njoftuar nga Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), nuk kishte pasur hetim nga KPK.

Andoni i kundërshtoi pretendimet e ngritura. Ajo solli si provë një dokument fotokopje nga OSHE sipas të cilit emrat që rezultonin si abonentë ishin thjeshtë të ngjashëm, pasi kishin atësi dhe datëlindje të ndryshme. Andoni po ashtu e cilësoi të pasaktë pretendimin e Komisioneres sa i përket kontratave të kredive, që ajo tha se ishin nënshkruar nga bashkëshorti si drejtor i një dege banke dhe jo si përfitues.

Nino kërkoi të mos konsideroheshin të ligjshme një shumë e marra nga nëna e subjektit prej rreth 3700 eurosh. Shuma rezulton e deklaruar në deklaratën vjetore 2008, por nuk është rideklaruar në atë veting. Njësoj Nino kërkoi të mos njiheshin si të ligjshme të ardhurat nga qiraja tatimi mbi të cilat ishte paguar gjatë procesit të vetingut.

Andoni i kundërshtoi këto gjetje. Ajo tha se qoftë shuma në euro qoftë ajo nga qiratë nuk ndikonin në analizën financiare. Gjyqtarja tha se ajo dhe bashkëshorti kishin paguar rregullisht tatimet mbi qiranë, por se nuk kishin gjetur dokumente për disa vite. Ajo shtoi se me pagesën e tyre gjatë vetingut, ato ndoshta ishin paguar dy herë.  Ajo tha se me bashkëshortin kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet.

Duke iu referuar vlerësimit të aftësive profesionale Nino tha se ishin gjetur probleme që duhej të vlerësoheshin nga Kolegji. Ai tha se në dosjet e rivlerësuara kishte zvarritje dhe probleme të procedurës, përfshi mos njoftim të palëve dhe mungesë të vendimeve të ndërmjetme.

Andoni tha se nuk “ishte krenare” me vlerësimin që kishte marrë në kriterin e profesionalizmit. Ajo tha se çështja e relatura në ILD nga Komisioni ishte arshivuar, ndërsa këmbënguli se disa nga problemet e gjetura vinin prej çështjeve komplekse.

Pasi dëgjoi palët KPA në dhomë këshillimi pranoi të merrte si prova të gjitha dokumentet e sjella nga gjyqtarja përveç dokumentit fotokopje nga OSHE që sipas Kolegjit nuk ishte në formën e kërkuar nga ligji. Më pas Natasha Mulaj kërkoi të dinte nëse palët ishin gati për konkluzionet përfundimtare dhe vendosi pas konsultimin në sallë që seanca e konkluzioneve të zhvillohej më 19 dhjetor në orën 10.00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *