Gjyqtari Selim Kryeziu pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Vladimir Karaj
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Selim Kryeziut

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, njoftoi të mërkurën më 14 dhjetor vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të ish-gjyqtarit të Apelit Shkodër, Selim Kryeziu në shkallën e parë të vetingut. Në njoftim thuhej se trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ina Rama, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Kryeziut ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, e gjeti atë të pabazuar dhe në mënyrë unanime vendosi ta largojë përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

Selim Kryeziu u shkarkua nga Komisioni më 22 korrik 2020, për shkak se transaksionet e tij me prona të patundshme dhe automjete ngrinin dyshime për deklarime të paplota, mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e pasurie si dhe për faktin që, një hetim për korrupsion i ndërmarrë nga SPAK ndaj tij, ndonëse është mbyllur me argumentin se “nuk provohej ekzistenca e faktit”, përforconte argumentin e cënimit të besimit të publikut te drejtësia.

Një nga problemet më të hershme të Kryeziut që u zbulua nga KPK lidhej me përfitimin e padrejtë të një apartamenti social në Librazhd dy dekada më parë, apartament të cilin subjekti e shiti menjëherë pasi e bleu te një qytetar tjetër përkundrejt një çmimi disafish më të lartë nga ai i blerjes.

Selim Kryeziu e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Librazhdit. Në vitin 2006, ai u emërua inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në vitin 2012 u promovua si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, funksion që e mbajti deri në shkarkimin e tij nga Komisioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *