Gjyqtarja Ina Hoxhaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Ina Hoxhaj drejt konfirmimit në detyrë

Gjyqtarja e Gjykatës së Pogradecit, Ina Hoxhaj u përball pa telashe të hënën më 17 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për gjyqtaren Hoxhaj po kryhet nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Ina Hoxhaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Pogradecit. Prej vitit 2018 ajo është komanduar si ndihmës magjistrate pranë Gjykatës së Lartë me afat 5-vjeçar.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Hoxhaj dha shpjegime për një automjet të blerë nga bashkëshorti në vitin 2015, para fillimit të bashkëjetesës mes tyre, si dhe përpara fillimit të ushtrimit të detyrës.

Relatorja Zhegu tha se Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të bashkëshortit të subjektit në shumën 590 mijë lekë për blerjen e mjetit. Gjyqtarja Hoxhaj sqaroi se bashkëshorti i saj është gjyqtari Florian Kalaja, i cili ka qenë vetë subjekt rivlerësimi dhe e ka kaluar me sukses vetingun.

Ajo kërkoi gjithashtu që vendimi i Komisionit për bashkëshortin e saj të administrohet si provë, si dhe që çështja lidhur me balancën negative për mjetin të konsiderohet si gjë e gjykuar. Relatorja Zhegu sqaroi se Komisioni kishte kryer hetime edhe për pasuritë e prindërve gjatë periudhës që subjekti ka ushtruar detyrën e gjyqtares, por nuk janë konstatuar shtesa të tyre.

Të gjitha verifikimet e kryera prej KPK nuk kanë gjetur probleme në kriterin e pasurisë, si dhe ka rezultuar balancë financiare pozitive për gjithë vitet.

Gjyqtarja Hoxhaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u vërejt tejkalim i afateve në arsyetimin e një vendimi dhe në gjykimin e një çështje. Hoxhaj e pranoi se, një prej vendimeve të përzgjedhura për vlerësim nga Komisioni nëpërmjet shortit, ishte arsyetuar tej afatit. Ajo sqaroi se ai vendim ishte arsyetuar në periudhën e stazhit profesional dhe se i ishte dashur të merrte kohën e nevojshme për të kryer një arsyetim të drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën.

Lidhur me zgjatjen e gjykimit tej afatit, subjekti vërejti se kjo situatë ishte krijuar për shkak të pamundësisë për njoftimin e njërës palë në proces. Ndërkohë, Zhegu konstatoi se gjyqtarja Hoxhaj zotëron aftësi të mira në interpretimin e ligjit.

Në përfundim të një seance të shkurtër, Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet të mërkurën, më datë 19 tetor, në orën 09:45.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *