Trupa e KPK gjatë një seancë.
KPK Lajme

KPK ‘shkarkon’ ish-gjyqtaren Majlinda Andrea për t’i hequr statusin

Vendimi u shpall në mungesë të ish-gjyqtares Andrea.

Majlinda Andrea nuk e ushtron funksionin prej vitit 2016, kur u akuzua për korrupsion dhe u dënua një vit më vonë me katër vite burg të konvertuara në shërbim prove. Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi në seancë dëgjimore se institucionet e drejtësisë nuk kishin ushtruar kompetencat e tyre për t’i hequr subjektit statusin e magjistratit për gjashtë vite radhazi.

Nga hetimi i kryer prej Komisionit, ka rezultuar se pas dënimit të Andreas, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë i është drejtuar Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë për të filluar procedurat për deklarimin e përfundimit të mandatit të Andreas.

Kjo kërkesë i është kaluar për kompetencë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ky i fundit ka vendosur në korrik të vitit 2017, të mos e miratojë kërkesën e ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe është propozuar që të kalohet për shqyrtim në institucionin e Presidentit të Republikës.

Ky institucion ka informuar Komisionin se korrespondenca e fundit lidhur me këtë procedurë mban datën 3 gusht 2017, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD ka sqaruar se nuk rezulton të ketë nisur hetim disiplinor apo të ketë paraqitur kërkesë për procedim disiplinor pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Relatorja Faskaj pohoi se, në kushtet kur ligji e ka parashikuar dënimin penal të gjyqtarëve dhe prokurorëve si shkak për mbarimin e statusit të magjistratit, kjo pasojë sjell edhe shkarkimin e tyre nga detyra.

“Vazhdimi i gëzimit të statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea do të ishte i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me qëllimin dhe parashikimet e Kushtetutës”, pohoi Faskaj dhe konstatoi se subjekti cënuar rëndë besimin e publikut tek sistemi drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *