Prokurori Bledar Bejko pas seancës në KPA. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN
KPA Lajme Veting

KPA hap shqyrtimin gjyqësor për prokurorin Bledar Bejko

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 16 maj hapjen e shqyrtimit gjyqësor lidhur me ankimin e Komisioneres Publike, Irena Nino ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Bledar Bejko. Po ashtu, Kolegji vendosi të pranojë kërkesën tjetër të subjektit të rivlerësimit për të administruar të gjitha aktet e dorëzuara, të cilat nuk ishin pjesë e dosjes së transferuar nga shkalla e parë.

Prokurori Bledar Bejko u konfirmua në detyrë më 26 maj 2022 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Ai iu nënshtrua dy seancave dëgjimore, me pyetje kryesisht mbi pasurinë dhe profesionalizmin.

Vendimi i Komisionit u vlerësua prej Komisioneres Nino, i pambështetur në vlerësim të drejtë të fakteve, provave dhe legjislacionit për vetingun e magjistratëve. Ajo kërkoi shkarkimin e tij për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.

Kryesuesja e trupës, Albana Shtylla, vërejti në fillim të seancës të martën, se sipas një shtese në rregulloren e KPA-së, koha në dispozicion për palët për paraqitjen e parashtrimeve është 60 minuta. Në vijim ajo sqaroi se veç ankimit të paraqitur nga Komisionerja Publike, ka ushtruar ankim kundërshtues edhe subjekti i rivlerësimit.

Bejko pretendoi gjatë parashtrimeve të tij, se ankimi nuk ishte dorëzuar në afatet ligjore dhe për rrjedhojë ankimi nuk duhej të pranohej. Megjithatë, ai dha qëndrimin e tij për çdo shkak të ankimit të parashtruar nga Nino lidhur me themelin e çështjes.

Ndaj Bejkos janë depozituar edhe denoncime të reja nga publiku, për të cilat Nino u shpreh se nuk ishte e nevojshme të përfshiheshin në debatin gjyqësor, duke i konsideruar të mjaftueshme shkaqet e ngritua në ankim, për të konkluduar në kërkimin e saj për shkarkimin e subjektit.

Bejko renditi të dhëna lidhur me denoncimet e bëra, ndërkohë që Kolegji pasi u tërhoq i bëri disa pyetje që kishin të bënin kryesisht me pretendime për zvarritje të hetimeve.

Bejko kërkoi t’i jepeshin dy ditë kohë për të siguruar të dhëna në funksion të pretendimeve të denoncuesve, por trupi gjykues e shtyu seancën për të mërkurën në orën 11:00. Kryesuesja Shtylla pohoi se Kolegji do të shprehet të mërkurën lidhur me denoncimet të reja dhe për kërkesën e subjektit për më shumë kohë, për të gjetur prova në funksion të pretendimeve të denoncuesve.

Parashtrimet për pasurinë

Komisionerja Nino u qëndroi shkaqeve të ngritura prej saj në ankim lidhur me konkluzionin e Komisionit për një apartament me sipërfaqe 96.5 m2 në Tiranë, të blerë nga subjekti në vitin 2008 kundrejt vlerës 87 mijë euro.

Si burime krijimi të kësaj pasurie Bejko ka deklaruar një transfertë 47 mijë euro nga prindërit e tij që rridhte nga shitja e një apartamenti që ata zotëronin, për çmimin 90 mijë euro; dy kredi konsumatore në shumat 4000 euro dhe 5000 euro të shlyera para afatit; si dhe një kredi e marrë për blerje apartamenti në shumën 30 mijë euro. Në vitin 2008 ka deklaruar si burim shumën 57 mijë euro të dhënë nga prindërit dhe pjesa tjetër nga kredia 30 mijë euro.

Nino u shpreh se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2008 një kontratë sipërmarrje me shoqërinë ndërtuese përpara blerjes së apartamentit me sipërfaqe 96.5 m2, pagesën e një shume 20 mijë euro në prill të atij viti, si dhe burimin e asaj vlere. Komisionerja shtoi se kjo marrëdhënie kontraktuale nuk është deklaruar nga subjekti megjithëse shuma e kthyer nga kjo shoqëri ka shërbyer për blerjen e apartamentit që Bejko zotëron aktualisht. Në vijim Nino konstatoi edhe mosdeklarimin e marrjes së kredive konsumatore në vitin 2008 dhe të shlyerjes së tyre të parakohshme.

Komisionerja i cilësoi kontradiktore deklarimet e subjektit lidhur me burimin financiar që ka shërbyer për shlyerjen e kredive konsumatore, me argumentin se sqarimi në deklaratëm “veting” është i ndryshëm nga sa ka shpjeguar Bejko gjatë hetimit administrativ.

Sipas Ninos, deklarimet kontradiktore dhe pasaktësitë çojnë në pamundësi për të verifikuar situatën faktike dhe për rrjedhojë subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për apartamentin. Prokurori Bejko i cilësoi të papabazuara shkaqet e themelit të çështjes duke theksuar se ka arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit.

Lidhur me mosdeklarimin e kontratës së sipërmarrjes në vitin 2008, ai u shpreh se ky veprim juridik nuk ka qenë objekt deklarimi, pasi nuk ka shtuar apo pakësuar pasuri. Ai vërejti se shumat ishin paguar e kthyer me transaksion bankar, brenda vitit.

Edhe për mosdeklarimin e kredive konsumatore subjekti shpjegoi se janë shlyer brenda vitit dhe sipas tij, as këto nuk kanë qenë objekt deklarimi.

Lidhur me burimin e shlyerjes së kredive, Bejko i qëndroi deklarimit se prindërit i kanë dhuruar në vitin 2008 shumën 57 mijë euro, nga të cilat 47 mijë euro janë transferuar për pagesën e apartamentit, ndërsa 9 mijë euro kanë shërbyer për kreditë dhe një mijë euro për shpenzime të tjera. Sipas tij, është “llogaritje e thjeshtë aritmetike”.

Për një lapsus në deklaratën “veting” lidhur me shlyerjen e kredive, subjekti pretendoi se nuk mund të sillte pasoja. “Lapsusi është pa ndonjë qëllim të kundërligjshëm”, pohoi ai.

Bejko këmbëguli se ishte e provuar se prindërit kishin pasur burime të ligjshme për dhurimin dhe se bilanci i vitit 2008 del pozitiv.

“Nuk ka fakte kontradiktore dhe është i pabazuar pretendimi i Komisioneres Publike për pamundësi verifikimi”, pohoi Bejko.

Nino cilësoi të pabazuar edhe konkluzionin e Komisionit për një makinë të blerë nga subjekti në vitin 2007, transaksion për të cilin Bejko ka pretenduar se e ka kryer për llogari të një shoku dhe se nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi.

Komisionerja konstaton se subjekti nuk ka deklaruar blerjen e mjetit në vitin 2007, burimin e krijimit, shitjen dhe as të ardhurat e përfituara. “Kishte detyrim ti deklaronte ato”, pohoi Nino.

Pretendimin e subjektit se shënimi i vlerës së shitjes në kontratë në shumën 500 mijë lekë, ishte një lapsus, Nino e konsideron në nivel deklarativ. Sipas saj, subjekti duhej ta kishte pasqyruar në deklaratën “veting”.

Po ashtu, Nino e vlerëson pretendimin e subjektit se makinën e kishte blerë për shokun e tij, në kundështim me përcaktimet e kontratës së shitjes, ku ndër të tjera shënohet se palët nuk e njihnin njëri-tjetrin.

Bejko theksoi se kishte sqaruar edhe më parë në ILDKPKI se e kishte blerë mjetin në Gjermani për një shokun e tij. Ai tha se nuk kishte pasur asnjë fitim nga ky transaksion.

Subjekti vërejti se në deklaratën noteriale të nënshkruar në kohë reale, përcaktohej se kishte marrë 2 milionë lekë. Ai shtoi se në udhëtimin kur kishte blerë automjetin për mikun e tij, kishte qenë me bashkëshorten. Sipas subjektit, kjo kishte qenë arsyesja përse nuk kishin deklaruar vlerën 2 milionë lekë në pikën e kalimit kufiytar, pasi secili kishte pasur nga 7000 euro me vete, që nuk e kapte kufirin që detyron deklarimin e likujditeteve.

Bejko ritheksoi se shënimi në kontratën e shitjes se çmimi ishte 500 mijë lekë kishte qenë një lapsus nga noteri dhe se nuk kishte qenë i kujdesshëm për ta lexuar, pasi nuk kishte pasur asnjë lloj interesi në atë pasuri.

“Pas hartimit të kontratës nuk kam pasur asnjë lloj marrdhënie me këtë pasuri”, deklaroi Bejko dhe vërejti se komisionerja nuk specifikon legjislacionin se ku i bazon pretendimet e saj.

Komisionerja i kërkoi Kolegjit që të kontrollojë edhe konkluzionin tjetër të Komisionit për një mjet tip Benz, të deklaruar nga subjekti se e ka marrë në përdorim për ta provuar, por që ia kanë vjedhur pas dy ose tre ditëve në vendin që e kishte parkuar poshtë shtëpisë. Bejko ka kryer kallëzim penal për vjedhjen e mjetit.

Nino vërejti se, bazuar në aktet e hetimit administrativ rezulton se Bejko i ka paguar 1 milion lekë një shtetasi të panjohur prej tij, të takuar në mënyrë rastësore në një lavazh, për të marrë në përdorim një makinë në gjendje jo të mirë dhe me targa të huaja.  Sipas Ninos, kjo situatë e vendos subjektin më së paku kundrejt një qasje të pakujdesshme me personat e tretë.

Prokurori Bejko theksoi se nuk kishte pasur detyrimin për deklarimin e këtij mjeti. Ai sqaroi se ishte kishte kryer kallëzim për vjedhjen e asaj makine, ndërkohë që i cilësoi të pabazuara shkaqet e ankimit.

Nino kërkoi edhe verifikimin e disa transaksioneve bankare të kryera nga bashkëshortja e subjektit në llogaritë e babait të këtij të fundit.

Bejko tha se kishte dhënë shpjegime të hollësishme për këto transaksione, megjithëse pretendoi se nuk kanë lidhje me procesin e tij të rivlerësimit, pasi sipas tij janë kryer përpara martesës. Subjekti theksoi se këto veprime nuk ishin kryer prej tij.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka paraqitur në raportin e dytë të rishikuar, dyshime për përfshirje të Bejkos në veprime korruptive, konkretisht në lehtësimin e pozitës së të pandehurve. Në përfundim, DSIK ka konstatuar papërshtatshmëri, konstatim që nuk u gjet i drejtë nga KPK.

Për një çështje të verifikuar në kuadër të vlerësimit të figurës, Komisionerja Nino konstatoi se nga verifikimi i akteve ka rezultuar se mungon njoftimi i të dëmtuarës për pushimin e procedimit penal, prej nga gjykata ka arsyetuar se mosushtrimi i ankimit ka sjellë si pasojë barazimin me vendimin e pafajësisë.

Për kriterin profesional, Nino parashtroi gjetje për moskryerjen e veprimeve hetimore nga subjekti në drejtim të zgjidhjeve të çështjeve për të cilat ishte vendosur mosfillim ose ishin pushuar. Sipas saj, subjekti ka treguar mangësi profesianale.

Nino kërkoi që gjetjet në kriterin e figurës dhe atë profesional, të analizohen në vlerësimin tërësor të çështjes, në kuadër të përcaktimeve ligjore lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Prokurori Bejko deklaroi se në vendimin e pushimit kishte shënuar që të njoftoheshin palët. Ai pretendoi se kallëzuesja i kishte marrë të gjitha aktet, përfshi dhe vendimin e pushimit. Sipas subjektit, kallëzuesja kishte kryer ankesa e kallëzim ndaj tij lidhur me këtë çështje, por nuk kishte ushtruar ankimin ndaj vendimarrjes së pushimit.

Lidhur me gjetjet në kriterin profesional, subjekti deklaroi se kishte kryer hetime dhe se kishte vendosur bazuar në bindjen e tij të brendshme. Ai theksoi se vetëm në një rast, gjykata nuk kishte vendosur sipas bindjes së tij, ndërsa në çështjet e tjera i kishte dhënë të drejtë.

Ai kundërshtoi si të pabazuar, paragjykues dhe jo objektiv kërkimin e Ninos për vlerësimin në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Bejko këmbënguli se shkaqet për pasurinë dhe profesionalizmin nuk janë të bazuara, ndërsa për dyshimet e institucioneve ligjzbatuese të ngritura prej DSIK-së, theksoi se ishin hetuar nga SPAK që nuk kishte gjetur probleme. Po ashtu, ai pohoi se nuk kishte pasur sjellje të pakujdesshme me të tretët dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *