KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-prokurorit Ferdinand Elezi

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të rrëzojë ankimin e Ferdinand Elezit ndaj vendimit të Komisionit që, duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Prokurori Ferdiand Elezi, përballë KPK | Foto : BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës, Ferdinand Elezi.

Sipas njoftimit të KPA, trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore dhe Ardian Hajdari, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz anëtarë, shqyrtuan në dhomë këshillimi ankimin e Elezin dhe me shumicë votash, vendosën ta rrëzojnë.

Me këtë vendim, Kolegji ka vendosur largimin përfundimtar të ish-prokurorit Ferdinand Elezi nga sistemi i drejtësisë.

KPK vendosi më 9 prill shkarkimin e Elezit, pasi u konstatua mosdeklarimi për vite me radhë i pjesës që i takonte bashkëshortes në një apartament të përfituar nga prindërit e saj në vitin 1993 dhe më pas mosdeklarimi i përfitimit të ¼ të çmimit të shitjes së këtij apartamenti.

Duke pasur parasysh edhe qëndrimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në lidhje me një rrethanë të ngjashme, Komisioni çmoi se mosdeklarimi i kësaj pasurie në vitin 2004, ashtu si edhe mosdeklarimi i shitjes dhe i përftimit të të ardhurave prej këtij veprimi juridik, në vitin 2012, ishin shkaqe shkarkuese.

Shkarkuese po ashtu u gjet diferenca sa i përket shpenzimeve për disa vite, pasi KPK arriti në përfundimin se Elezit i mungonin rreth 3 milionë lekë të ardhura të ligjshme për të justifikuar shpenzimet prej vitit 2005 deri në vitin 2016.

Elezi që u gjet në rregull në kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë profesional, këmbënguli se mosdeklarimi ishte një harresë, ndërsa pretendoi në llogaritje të pasaktë të të ardhurave nga KPK që e nxirrnin atë me diferencë negative.