Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Mimoza Tasi, Sokol Çomo, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA

KPA rrëzon ‘cenimin e besimit’ për Selim Kryeziun, por e shkarkon për pasurinë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi si të pabazuara konkluzionet e Komisionit për cënimin e besimit të publikut nga ana e ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër, Selim Kryezi, megjithatë e la në fuqi shkarkimin e tij për deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë të burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurive.

Selim Kryeziu u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 22 korrik 2020, me konkluzionet për deklarime të paplota të pasurive, mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e tyre, si dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Kryeziu ushtroi ankim duke ngritur shkaqe për aspektin procedural të ndjekur në Komisioni gjatë procesit të rivlerësimit të tij, si dhe ndaj konkluzioneve për kriteret e pasurisë dhe të figurës, duke i kundërshtuar ato.

Kolegji ka rrëzuar si të panevojshme kërkesat e Kryeziut për kryerjen e një aktekspertimi kontabël; thirrjen e dëshmitarëve; si dhe marrjen e provave të reja. Është vlerësuar si i pabazuar në ligj dhe kërkimi për kalimin e çështjes në seancë gjyqësore publike, duke u vendosur shqyrtimi në dhomë këshillimi mbi bazë dokumentesh. Po ashtu, janë gjetur të pabazuara edhe shkaqet procedurale të ankimit.

KPA rrëzoi ‘cënimin e besimit’

Kryeziu ka shënuar në deklaratën “veting”, blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 41.51 m2 në Librazhd nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB në fund të shtatorit të vitit 2000 për çmimin 615 mijë lekë, me burim të ardhurat familjare dhe kursimet në Francë. Në të njëjtën deklaratë ka sqaruar se ky apartament është shitur pas tre ditësh për çmimin 1.4 milion lekë. Ndërkohë, rreth tre muaj më vonë ka blerë një apartament tjetër me sipërfaqe 40.4 m2, për vlerën 1.2 milionë lekë.

Gjatë hetimit administrativ në Komision, subjekti ka shpjeguar se blerësit e apartamentit, shtetasit Q. dhe A.A. ishin zotërues të paligjshëm të asaj pasurie të zënë me forcë prej tyre në vitin 1997, përpara se ai ta blinte nga EKB.

Kryeziu ka deklaruar se duke patur një ndjenjë humanizmi ndaj personave që e kishin zaptuar apartamentin në 97-ën, si dhe me ndërmjetësimin e disa të afërmve të tyre, sapo e ka blerë ua ka shitur shumë më poshtë vlerës reale, duke shpjeguar se banesa gjendej në katin përdhe dhe ishte e kërkuar për biznese të ndryshme.

Komisioni ka çmuar se Kryeziut i është mundësuar të përfitojë dy herë nga ligji i privatizimit të banesave, duke vërejtur se ai zotëronte pjesë takuese dhe në apartamentin e privatizuar nga babai në vitin 1993. Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar fillimin e procedurave të përshpejtuara për strehimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Librazhd, Selim Kryeziu, por apartamentin e përfituar, subjekti nuk e ka përdorur për qëllimin për të cilin i ishte dhënë.

Pretendimet se është ndikuar nga ndjenja e humanizmit për ta shitur nuk u konsideruan bindëse nga Komisioni, pas konstatimit se prona ishte shitur tre herë më shtrenjtë.

Duke vlerësuar se subjekti e ka përdorur apartamentin e përfituar nga EKB-ja për qëllime përfitimi, në përfundim KPK ka çmuar se sjellja jashtëgjyqësore e subjektit dhe ndikimi i saj në cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë ka një rëndësi të veçantë dhe është objekt i rregullimit të normave të etikës gjyqësore në Shqipëri. Komisioni e ka bazuar konkluzionin në Kodin e Etikës Giyqësore të miratur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare në dhjetor të vitit 2006.

Subjekti i rivlerësimit ka parashtruar në ankim se konstatimi nga ana e Komisionit se ky apartament nuk është përdorur për qëllimin për të cilin ishte dhënë, është i gabuar. Ai ka argumentuar se banesa ishte e zënë me forcë dhe ka theksuar se ua ka shitur po këtyre shtetasve që e përdornin, pas kërkesës së tyre. Kryeziu ka parashtruar se të ardhurat nga shitja e asaj banese, për të cilën kishte nevoja urgjente, nuk i ka përdorur për asgjë tjetër, përveçse për qëllime banimi e strehimi.

Në vijim, Kryeziu ka konstatuar se KPK i ka dhënë fuqi prapavepruese Kodit të Etikës së Gjyqtarit, pasi është miratuar në vitin 2006, kurse transaksioni me apartamentin është kryer në vitin 2000.

Ai e vlerëson të gabuar dhe në cënim të ligjit e të Kushtetutës, zbatimin nga Komisioni në këtë rast të legjislacionit të vetingut që përcakton deklarimin e pamjaftueshëm për pasurinë dhe cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Në analizë të këtyre rrethanave, Kolegji vëren se Kodi i Etikës Gjyqësore është miratuar nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare në dhjetor të vitit 2006 dhe vlerëson se rregullat e përcaktuara aty nuk mund të kenë fuqi prapavepruese në drejtim të etikës së subjektit të rivlerësimit për rastin konkret – ndryshe nga sa ka konkluduar KPK.

“Në çështjen konkrete, subjekti i rivlerësimit nuk duket se ka cenuar besimin e publikut, pasi ai është ekspozuar në një marrëdhënie ku përfitimet materiale të tij kanë buruar nga qëllimi për t’u pajisur me apartament për strehim, si një e drejtë themelore bazike që i ishte mohuar deri në atë moment”, vlerëson KPA dhe arsyeton se ekspozimi i Kryeziut në një lloj marrëdhënieje të tillë, ku ka shitur apartamentin që iu akordua nga EKB-ja për shkak të konfliktit me poseduesit e paligjshëm dhe ka blerë një tjetër për të njëjtat qëllime strehimi, nuk e ka bërë atë një subjekt që mund të ndikohet në ushtrimin e detyrës në mënyrë të pavarur dhe jo etike.

Po ashtu, KPA evidenton se subjekti është sjellë me korrektësi ndaj legjislacionit tatimor, duke kryer detyrimet që i lindën mbi fitimin e realizuar nga diferenca në shitblerje të apartamentit.

Megjithëse KPA vlerëson se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë për shkak të mospasqyrimit të pjesës takuese në apartamentin e privatizuar nga babai në vitin 1993, konkludon se kjo pasaktësi nuk ka pasur si qëllim mbulimin e ndonjë situate të dyshimtë, si dhe nuk është ngritur ndonjë dyshim mbi burimin e krijimit të kësaj pasurie. Sipas Kolegjit, kjo pasaktësi nuk mund të ngrihet në nivelin e një shkaku shkarkimi.

Kolegji e ka rrëzuar si të pabazuar edhe konkluzionin e Komisionit për pastërtinë e figurës që ne vlerësimin tërësor e lidh me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Në vendimin e shkallës së parë theksohet se të dhënat e referuara në raportin e DSIK-së janë me nivel të ulët provueshmërie. Por KPK e pa me rezervë mosdijeninë e subjektit për një procedim penal të regjistruar ndaj tij, të pushuar më vonë me vendim gjykate.

Sipas Komisionit, kjo rrethanë e konstatuar në rivlerësimin e figurës mund të konsiderohet si tregues i cenimit të besimit të publikut te drejtësia, por Kryeziu e ankimoi këtë konstatim në Kolegj.

Sipas tij, Komisioni tregon njëanshmëri në vendimmarrjen e tij, kur e sheh me rezervë faktin që nuk ka pasur dijeni për procedimin penal. Sipas subjektit, padijenia e tij ka ardhur për shkak se procedimi penal ka qenë i regjistruar për persona të tjerë ose pa autor. Ai ka pretenduar se nuk është thirrur dhe as pyetur për ndonjë fakt apo rrethanë të këtij procedimi penal, duke u informuar për të vetëm kur i është vënë në dispozicion nga Komisioni. Po ashtu, Kryeziu ka sjellë në vëmendje faktin se ky procedim penal ishte pushuar.

Edhe Kolegji vlerëson se lidhur me kriterin e kontrollit të figurës nuk provohet që subjekti i rivlerësimit të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo që të ketë rrethana të tilla që të krijojnë bindjen se ai është i papërshtatshëm për kriterin e kontrollit të figurës.

KPA i çmon të paqarta përfundimet e Komisionit në vlerësimin e këtij kriteri, në mospërputhje me standartet e legjislacionit të vetingut të magjistratëve, si dhe të pambështetura në ligj dhe në prova.

“Komisioni nuk ka arritur të mbështetet në dokumente dhe argumente bindëse se faktet e parashtruara në raportin e DSIK-së plotësojnë rrethanat e parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 84/2016”, konstaton Kolegji dhe çmon se rrethanat e pretenduara nga Komisioni nuk janë të vlefshme për të konkluduar se Kryeziu ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Pamundësia financiare

Komisioni ka konkluduar se subjekti gjendet në pamjaftueshmëri të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 98 m2 në Tiranë kundrejt çmimit 60 mijë euro.

Kryeziu ka pretenduar ndër të tjera në ankim se mosdeklarimet në disa vite të gjendjes cash në banesë kanë qenë thjesht harresa njerëzore. Ai ka parashtruar se kursimet e padeklaruara gabimisht, kanë shërbyer për të kryer pagesat e kësteve të apartamentit. Po ashtu, ka këmbëngulur se ka vërtetuar burimet e shumave të marra hua në vlerën totale 20 mijë euro, që kanë shërbyer për pagesën e një kësti.

Në vendimin e arsyetuar të Kolegjit theksohet se në deklaratën e vitit 2003, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar shumën 1 milion lekë gjendje cash në banesë, ndërsa në deklaratat periodike të viteve 2004- 2010  nuk ka deklaruar pakësime apo shtesa të kësaj vlere dhe as gjendje cash.

“…Subjektet deklaruese kanë detyrimin të deklarojnë çdo shtesë të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, duke e përshkruar atë hollësisht dhe burimin e krijimit të saj,” vëren KPA dhe vlerëson se mosdeklarimi i pakësimeve apo shtesve gjatë periudhës 2004-2010, pamundëson kontrollin e rrjedhjes së gjendjes së cash-it ndër vite, duke devijuar edhe analizën financiare me alternativa të ndryshme.

“Ligji nr. 9049/2003 dhe formulari i deklarimit të pasurisë përcaktojnë detyrimin e subjektit deklarues të deklarojë në formën e përcaktuar prej tyre dhe jo të zgjedhë mënyra të personalizuara për të kryer këtë detyrim ligjor,” argumenton Kolegji duke theksuar se forma e deklarimit është një detyrim i mirëpërcaktuar që duhet respektuar.

Për rrjedhojë të problemeve në deklarime, nga analiza financiare e kryer në Kolegj është konstatuar balancë negative në shumën 1 milion e 849 mijë lekë për pagesën e këstit të parë të këtij apartamenti në vlerën 32 mijë euro në tetor të vitit 2005. Për pagesën e këstit të dytë në vitin 2006 në shumën 23 mijë euro, Kolegji konkludon se subjekti ka pasur mundësi të kursente 3000 euro, ndërsa nuk ka arritur të provojë mundësinë e huadhënësve për krijimin me burime të ligjshme të shumave që në total kapin shifrën 20 mijë euro. Për pagesën e këstit të fundit në vlerën 5000 euro në vitin 2007, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 826 mijë lekë.

Në përfundim, ashtu si KPK, edhe Kolegji çmon se Kryeziu gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 98 m2 në kryeqytet.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Ina Rama, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, ka vendosur të lërë në fuqi vendimarrjen e Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit Selim Kryeziu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *