Foto arkive e KPA | BIRN/Nensi Bogdani
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-gjyqtarit Tritan Hamitaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, njoftoi mbrëmjen e të hënës më 6 shkurt 2023 vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit të Apelit Durrrës, Tritan Hamitaj. Vendimi u mor nga trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo. Pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit te Hamitajt, Kolegji e ka gjetur atë të pabazuar dhe e ka rrëzuar ne mënyrë unanime.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 17 shtator 2020 të shkarkojë nga detyra ish-gjyqtarin Tritan Hamitaj për problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, gjyqtari Hamitaj nuk justifikonte me burime të ligjshme blerjen e pasurive në emër të tij apo të personave të lidhur; dhënien e huave prej tij; aftësinë financiare të të tretëve për kthimin e huave; krijimin e likuiditeteve si dhe mbulimin e shpenzimeve për periudhën e rivlerësimit.

Kryesuesja e trupës së KPK Suela Zhegu dhe relatorja Genta Tafa(Bungo) vlerësuan gjithashtu, se subjekti i rivlerësimit kishte cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, pasi sipas tyre kishte ndryshuar deklarimet, kishte kryer deklarim të rremë dhe se mbajti qëndrim jobashkëpunues gjatë hetimit administrativ.

Tritan Hamitaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave punoi si gjyqtar në Gjykatën e Lushnjës, atë të Durrësit dhe Gjykatën e Apelit në Durrës. Hamitaj ka mbajtur edhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2010-2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *